Diskriminohet opozita

Në vija të përgjithshme ka rritje fondesh në buxhetet për njësitë vendore, mirëpo nëse do të qëmtohej shuma që u përket atyre që drejtojnë opozitarët, ka dallime. Vërtet që Berati me kryebashkiak një të PS-së ka rritje (nga 145 828 në 160 580), por duhet marrë parasysh se atje Këshillin Bashkiak, strukturën themelore, nuk e ka PS-ja. Kjo mund ta vendosë në vështirësi të zgjedhurin socialist përballë shumicës së këshilltarëve, që mund të kenë qenë baza e shtimit të fondeve dhe në përputhje me propagandën qeveritare për vëmendje ndaj këtij qyteti. Po bie në sy që edhe Bashkia e Krumës, që drejtohet nga PD-PR, ka më shumë fonde sesa Shijaku, i drejtuar nga PS-ja. Në tabela janë të gjithë fondet e parashikuar nga buxheti, në mënyrë krahasuese për vitet 200 dhe 2009, si dhe vlerat monetare për të gjitha bashkitë në shkallë vendi.
Bashkitë dhe komunat, 4.5 miliardë lekë më shumë fonde
Bashkia e Vlorës do të përfitojë nga buxheti 2009 rreth 15 milionë lekë më shumë, ndërsa ajo e Shkodrës, e cila renditet në vendin e dyta për skandale me prokurimet, plot 45 milionë lekë
Duket se këtë herë qeveria e ka mbajtur premtimin lidhur me rritjen e buxhetit për sa u takon bashkive dhe komunave në mbarë vendit. Kështu, sipas draftit për “Buxhetin e shtetit 2009”, komunat dhe bashkitë përfitojnë në total një shumë që përllogaritet në rreth 17.3 miliardë lekë, ose afro 4.5 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin 2008. Duke analizuar tabelat me fondet përkatëse të vëna në dispozicion për dy vitet, vihet re se rritja e buxhetit është pothuajse simetrike për të gjitha bashkitë, ndërsa për komunat vihen re disa disbalancime në nivele jo shumë kritike, ku duket se kryesisht favorizohen ato komuna që i përkasin bastionit të djathtë. Megjithatë, vëmë re se për vitin 2009, Bashkia e Tiranës do të përfitojë plot 78 milionë lekë më shumë krahasuar me vitin aktual, pasi shuma që vihet në dispozicion është afro 967 milionë lekë, nga 889 milionët e vëna në dispozicion për vitin 2008.
Shkodra më e favorizuar se Vlora
Ndërkohë, për Bashkinë e Vlorës, rritja e buxhetit do të aplikohet me vetëm 15 milionë lekë. Por duket se krahasuar me qytetin bregdetar, Bashkia e Shkodrës do të përfitojë si buxhet më të madh, ashtu edhe rritje më të madhe fondesh të vëna në dispozicion, në shumën e plot 35 milionë lekëve. Në fakt, diferenca e totalit të vënë në dispozicion për këto bashki është shumë më e vogël në krahasim me rritjen e fondeve për sa i përket buxhetit për vitin 2009. Nisur edhe nga aktiviteti që ushtrohet në të dy qytetet, vëmë re se Vlora i përket një niveli më të lartë të mbledhjes së të ardhurave nga bizneset e ndryshme, që në qytetin bregdetar janë shumë më tepër në numër krahasuar me Shkodrën. Por lidhur me këtë fakt, qeveria justifikohet se fondet në vlera të larta për Shkodrën shkojnë në favor të ndërtimit të rrugëve. Por ky justifikim bie ndesh me ecurinë e punimeve infrastrukturore në bashkinë e qytetit verior.
Zemërgjerësi me komunat
Në listën e rritjes së fondeve për komunat dhe bashkitë, një vend të rëndësishëm zë edhe buxheti i vënë në dispozicion vetëm për komunat. Ndër më të spikaturat vlerësojmë komunën e Kamzës, e cila në krahasim me simotrat e veta merr një pjesë të konsiderueshme të buxhetit, në vlerën që arrin në rreth 32 milionë lekë, vlerë kjo thuajse e përafërt në krahasim edhe me atë të vënë në dispozicion nga buxheti i vitit 2008. Komuna Golaj në rrethin e Hasit është një nga komunat e tjera me fonde të konsiderueshme të vënë në dispozicion nga buxheti, që arrin vlerën e rreth 33 milionë lekëve. Fonde të konsiderueshme përfitojnë edhe një pjesë e komunave të ndryshme në rrethin e Pogradecit dhe atë të Korçës, sikurse janë përkatësisht komuna e Buçimasit me rreth 34 milionë lekë dhe ajo e Pojanit me 36 milionë lekë, pjesë nga buxheti 2009.