Ska shanse

Takime të nivelit të lartë në Tiranë të presidentit të Kosovës, një krahinë etnike e Shqipërisë, Fatmir Sejdiu
Presidentët e të dy shteteve shqiptarë, Bamir Topi i Shqipërisë dhe Fatmir Sejdiu i Kosovës, e quajtën punë të kryer çështjen e zgjidhjes së statusit përfundimtar të krahinës etnike të Shqipërisë që shpalli pavarësinë në 17 shkurt. Presidenti Topi e priti Sejdiun dje në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri si president shteti. Topi ishte shumë i qartë në përsëritjen e qëndrimit të Shqipërisë, kur tha se puna kishte përfunduar dhe se Kosova ishte shtet i pavarur. “Në mënyrë të padiskutueshme, pozicioni i Shqipërisë, i popullit shqiptar dhe i institucioneve të Shqipërisë është që çështja e Kosovës konsiderohet e përfunduar nga pikëpamja e njohjes, e konstituimit të saj. Nuk mund të ketë më rikthim tek çështjet e vjetra, nuk mund të ketë skenar për ndarje të Kosovës. Kosova do të projektohet si e tillë në tërë integritetin e saj, ashtu sikurse është njohur nga populli i Kosovës, nga bota më e rëndësishme e institucioneve ndërkombëtare, si një vend integral, si një vend që do t’i kontribuojë ndjeshëm paqes dhe stabilitetit rajonal”, - tha Topi. Kosova, e cila iu dha Serbisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në 1913, sipas presidentit Topi, ka të qartë rrugën e saj të integrimit. Po sipas presidentit Topi, Kosova është shtet i lirë, sovran dhe i pavarur, ndërsa “vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një shprehje të qartë për të ardhmen e tyre euroatlantike dhe të gjithë janë të predispozuar që të punojnë në këtë drejtim”. Topi vlerësoi gjithashtu, se Shqipëria e konsideron rolin e Kosovës dhe të institucioneve të saj si një element të qenësishëm në funksion të stabilitetit rajonal. Ndonëse Kosova si krahinë etnike e Shqipërisë ka më shumë se 96 për qind shqiptarë dhe pjesën e mbetur etni të tjera, për presidentin Topi, “Kosova po projektohet gjithnjë e më shumë si një shtet multietnik në respekt të të drejtave të qytetarit, të të drejtave të minoriteteve, si një vend ku çdo ditë implemetohen ligje me standarde evropiane”.
Vend të veçantë Sejdiu i ka dhënë mbështetjes së Shqipërisë për Kosovën. Pa u nisur nga fakti që Kosova është pjesë e Shqipërisë, shprehur me vullnetin e lirë të të deleguarve të saj në të gjithë kuvendet kombëtarë së paku që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kuvendi i Vlorës dhe Konferenca e Bujanit, Sejdiu tha se Kosova, njëherazi shteti i dytë shqiptar, nuk do ta harrojë ndihmën e Tiranës. “Për të gjithë qytetarët e Kosovës, për kohët shumë të vështira që kemi kapërcyer me mbështetjen që i keni dhënë në radhë të parë lirisë njerëzore, asaj që është rruga e ekzistencës njerëzore, shpreh falënderimet për mbështetjen që i keni dhënë Kosovës edhe për procese të tjera të saj si shtet demokratik dhe sovran”, - tha Sejdiu. Ai e quajti Shqipërinë “pjesë e zhvillimeve historike të Kosovës” dhe shtoi se “pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka hyrë në një stad tjetër të zhvillimeve, ku përsëri gëzon mbështetjen e plotë të Shqipërisë dhe vendeve aleate”. Sejdiu u prit edhe kryeministri Sali Berisha. Kryetari i qeverisë vuri theksin tek procesi i njohjes së shtetit të ri dhe tek bashkëpunimi me Shqipërinë, së cilës Kosova iu mor për t’iu dhënë Serbisë në 1913. Berisha tha se “njohja e pavarësisë së Kosovës është një proces i pandalshëm” dhe se vlerësonte “trendin shumë pozitiv që kanë ngjarjet në Kosovë, rol i cili po vjen gjithnjë e në rritje për paqen dhe stabilitetin në rajon”. “Shpreh kënaqësinë e madhe për njohjen e Kosovës, nga dy fqinjët tanë, Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilët kanë kontribut të pamohueshëm në pavarësinë e Kosovës”, - tha ai, duke shtuar të njëjtin vlerësim edhe për njohjet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Portugalia dhe Malajzia. Me mendjen tek bashkëpunimi ekonomik, Berisha tha se “qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë çdo përpjekje për intensifikimin e gjithanshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve. Shqipëria po punon në projekte infrastrukturore, si për ndërtimin e rrugës Durrës-Morinë, po përfundon projektin e rrugës Fierzë- Koman, rrugën e “Arbrit” dhe do të shqyrtohen të gjitha lidhjet e mundshme, përfshirë rrugët dhe lidhjet e tjera, të cilat do të jenë të përshtatshme për të dy vendet”, - tha ai. Sakaq, për presidentin tjetër shqiptar, Fatmir Sejdiu, “të gjithë zhvillimet pozitive në Shqipëri, për Kosovën janë pjesë e përvojës së rëndësishme dhe një model sesi të ecim përpara”. Sejdiu me gjuhën e tij të nënës, një shqipe thuajse më të pastër sesa ajo e kryeministrit, tha se “qëllimi ynë është një jetë më e mirë e qytetarëve, plotësimi i ambicies sonë për të qenë partnerë të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal dhe për të lëvizur më shpejt drejt proceseve të integrimeve euroatlantike”. Sejdiu u prit në mbrëmje dhe nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe foli përpara deputetëve në seancë plenare. Sot Sejdiu do të vizitojë nën shoqërimin e Topit, punimet në rrugën mbarëkombëtare Durrës-Kukës.
I njëjti hero
Në Pallatin e Brigadave u dekorua dje nga presidenti Bamir Topi presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Dekorata iu dha Sejdiut me motivacionin: “Për kontribut të shquar në udhëheqjen e rezistencës popullore kosovare dhe të gjithë veprimit politik për fitoren e Pavarësisë së Kosovës e ndërtimin e një shteti të ri demokratik, për rolin e tij të rëndësishëm si politikan e respektuar nga populli i tij dhe faktori ndërkombëtar, në krijimin e ekuilibrave politikë dhe institucionalë”. Sejdiu tha ishte i nderuar me urdhrin që mban emrin e heroit të njëjtë kombëtar që kanë shqiptarët. “Këtë dekoratë që lidhet me emrin e heroit legjendar nacional Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e mbaj dhe e pranoj si nder të veçantë që i bëhet popullit të Kosovës, që i bëhet aspiratës sonë, të dekadave dhe për gjithë gjeneratat dhe brezat që kanë kapërcyer në sakrifikimin e tyre, për lirinë, për pavarësinë, për demokracinë, pra, që ne e quajmë ndjenjë të përbashkët ndërtimin e Kosovës si shtet demokratik të vlerave”, - tha Sejdiu.