E Hënë, 2 Nëntor 2026

Diskutim mbi Reformën Zgjedhore në “Mirëmëngjes Shqipëri”- Meta apelon për gjithëpërfshirje. Çipa: Procesi zgjedhor duhet të garantojë meritokraci

Në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” u diskutua gjerësisht mbi konstituimin e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili u formua ditën e djeshme.

Tema u trajtua nga analisti dhe gazetari Aleksandër Çipa si dhe nga përfaqësuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta, përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë.

Gjatw diskutimit, Gerta Meta theksoi domosdoshmërinë e një reforme gjithëpërfshirëse, të thelluar dhe me dakordësi politike, duke paralajmëruar se mungesa e partive të reja në proces është një sinjal i ngërçit politik dhe rrezikon besimin e votuesve.

Ndërkohë, Aleksandër Çipa e cilësoi takimin si pasqyrim të bipolaritetit tradicional të politikës shqiptare, duke shprehur skepticizëm për ndryshime substanciale dhe duke nënvizuar problemet e meritokracisë, mosdeformimit të rezultatit zgjedhor dhe mospërfaqësimit real të partive të vogla.

Gerta Meta u ndal tek pritshmëritë e votuesve shqiptarë dhe domosdoshmëria e një reforme gjithëpërfshirëse.

“Patjetër që kjo reformë zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e thelluar dhe të vendosë në pah të gjitha problematikat zgjedhore. Duhet të ketë një dakordësi politike për të pasur një konkluzion të përbashkët për atë që presin votuesit shqiptarë, në mënyrë që të kenë besim të plotë në proceset zgjedhore,” tha ajo.

Ndwr tw tjera theksoi se mungesa e partive të reja në konstituimin e komisionit është një sinjal i mospërfaqësimit të plotë.

“Gjithmonë është artikuluar se do të ketë gjithëpërfshirje, por fakti që partitë e reja nuk ishin dje është mesazh se reforma fillon me një ngërç të politikës shqiptare, duke mos pasur dakordësi,” u shpreh Meta, duke shtuar se duhet pritur nëse do të ketë një frymë të re në javët e ardhshme.

Meta paralajmëroi se reforma zgjedhore është një temë që ka filluar të lodhë jo vetëm politikën, por edhe votuesit.

“Reforma zgjedhore në Shqipëri është një temë që ka filluar të lodhë jo vetëm politikën, por mbi të gjitha votuesit shqiptarë. Ndaj duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe jo një reformë e minutës së fundit,” theksoi ajo.

Nga ana e tij, Aleksandër Çipa e cilësoi konstituimin e komisionit si një pasqyrim të bipolaritetit tradicional të politikës shqiptare.

“Takimi i djeshëm më la shijen e tradicionalitetit të bipolaritetit politik të vendit. Ka ardhur koha që ne duhet ta refuzojmë sepse ka tejkaluar inflacionisht këtë kuptim të Reformës Zgjedhore,” tha Çipa.

Ai shtoi se nuk pritet ndonjë ndryshim substancial, pasi çdo palë zgjedhje ka sjellë vetëm amendime të ligjit zgjedhor.

“Normalisht nuk është se pritet që do të ketë ndonjë ndryshim substancial, sepse çdo palë zgjedhje ka sjellë vetëm ripërshtatje të ligjit zgjedhor për atë edicion zgjedhor,” u shpreh gazetari.

Çipa vuri në dukje se opozita ka kërkuar diversitet përmes koalicioneve, ndërsa shumica socialiste ka konkurruar vetë pa aleanca.

“Diversiteti i palëve ishte kërkesa e opozitës për pranimin e koalicioneve opozitare, ndërkohë që shumica socialiste ka operuar deri tani me konkurrencën vetjake, pa pasur nevojë për koalicione,” tha ai.

Gazetari theksoi se problemi kryesor i ligjit zgjedhor qëndron tek meritokracia dhe mosdeformimi i rezultatit.

“Problemi i ligjit zgjedhor në vend qëndron tek fakti i meritokracisë dhe mosdeformimi i rezultatit zgjedhor, i cili shpesh kontestohet nga pakica dhe nga opinioni publik e shoqëria civile,” u shpreh Çipa.

Ai shtoi se partitë e vogla nuk kanë peshën e duhur në proces, duke e cilësuar këtë si një mangësi të rëndësishme.

“Problemi tjetër është tek partitë më të vogla. Këtu kemi të bëjmë thjesht me një element formal që kanë të drejtë pjesëmarrjeje, por nuk kanë të drejtë vote. Duhet të ishte vlerësuar kontributi i këtyre partive me peshën specifike të tyre në parlament. Por pluraliteti për reformën zgjedhore në këto kushte nuk mund të garantohet,” përfundoi Çipa.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›