Prurjet e Vjosës rriten, Kryetari i Bashkisë Subashi monitoron situatën nga ura e Mifolit

Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi i shoqëruar nga specialistët e emergjencave civile, ka mbërritur sot (19 nëntor) në urën e Mifolit për të vëzhguar nga afër prurjet e lumit Vjosë. Aktualisht, niveli i ujit në këtë pikë ka arritur në 4.8 metra, ndërkohë që kuota kritike që mund të sjellë daljen e lumit nga shtrati është mbi 7 metra.
Ndërkohë, në Memaliaj, niveli i Vjosës ka kaluar tashmë mbi 7 metra, prurje të cilat pritet të mbërrijnë në territorin e Fierit pas disa orësh. Autoritetet lokale janë në kontakt të vazhdueshëm me IGJEUM dhe po presin informacion të përditësuar mbi ecurinë e reshjeve dhe situatën hidrologjike.
Specialistët theksojnë se, nëse reshjet kanë kaluar pikun e intensitetit, situata në Fier pritet të mbetet e qetë. Por, nëse piku ende nuk është arritur, atëherë parashikohet një rritje e mëtejshme e prurjeve të Vjosës, çka mund të rrisë rrezikun për zonat përreth. Autoritetet janë në gatishmëri dhe u bëjnë thirrje banorëve të ndjekin njoftimet zyrtare.
/rtsh.al/