E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita Botërore e Kontracepsionit, vetëm 8 për qind e femrave shqiptare përdorin metoda mbrojtëse



Vetëm 8 për qind e femrave shqiptare përdorin masa mbrojtëse përsa i përket planifikimit familjar. Shifra tepër e ulët, bëhet e ditur dje zyrtarisht nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), në Ditën Botërore të Kontracepsionit. Kjo ditë është shoqëruar në vendin tone me një fushatë sensibilizuese, rreth metodave që duhet të përdorin qytetarët për planifikimin familjar. Nëse para viteve ‘90, askush nuk fliste për këto metoda dhe fushatat sensibilizuese ishin të ndaluara me ligj, pas viteve ‘92, panorama ndryshoi, dhe në vitet ‘96, nisi përdorimi në masë i metodave kontraceptive edhe në vendin tonë. Sipas specialistëve të ISHP-së, femrat shqiptare, megjithëse kanë më shumë informacion për këto metoda, përqindja e përdorimit të tyre është tepër e ulët deri në 8 për qind. Aktualisht në mbi 400 qendra shëndetësore, këto metoda ofrohen falas. “Që nga viti 1996 metodat e kontracepsionit ofrohen falas nga shteti në 430 qendra të sektorit publik, duke përfshirë këtu maternitetet, poliklinikat dhe ambulancat e fshatit. Metodat falas përfshijnë kondomin, pra metodat e kontracepsionit, tabletat dhe injeksionet”,-pohon Jeta Lakrori, specialiste e ISHP-së. Por raporti i përdorimit të metodave kontraceptive, ndryshon mes zonave rurale dhe atyre urbane. Sipas Lakrorit, në tërë republikën, metodat moderne përdoren kryesisht në zonat urbane, dhe mbi të gjitha nga femrat e arsimuara apo me të ardhura ekonomike më të mira. Ndërkohë, për të pasur një pasqyrim më real të situatës rreth mënyrave që përdorin shqiptarët, për planifikimin familjar, ISHP-ja pritet që të publikojë në muajin dhjetor një studim vetëm për këtë çështje.

Virusi A/H1N1, ministri Vasili mbledh Komitetin e Ekspertëve

Ministri i ri i Shëndetësisë, Petrit Vasili që në ditët e tij të para të punës ka dashur të marrë nën kontroll situatën e përhapjes së gripit të derrit në vend. Për këtë arsye, ai ka mbledhur së fundi Komitetin e Ekspertëve, ku është informuar mbi situatën për gripin e ri pandemik në vend, duke kërkuar mbledhjen e grupit të komunikimit lidhur me informimin e publikut për këtë çështje. Gjatë mbledhjes me ekspertët, janë dhënë edhe udhëzimet lidhur me rritjen e efektivitetit të komunikimit me publikun. Mesazhet bazë parandaluese që Ministria e Shëndetësisë ka planifikuar të komunikojë do të shpërndahen në publik nëpërmjet spoteve televizive (tre të tilla), posterave (tre të tilla), fletëpalosjeve (dy të tilla) si dhe aktiviteteve të tjera në grupe specifike të popullatës me risk më të larte të përhapjes së infeksionit (shkolla, qendra prodhimi etj.).
Por përveç informimit nga afër me situatën aktuale të virusit A/H1N1, axhenda e ministrit të Shëndetësisë ka qenë mjaft e ngjeshur në ditët e para të punës. Gjatë këtyre ditëve, Petrit Vasili ka pasur takime me disa personalitete të huaja botërore të fushave të ndryshme.

28 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›