E Diel, 1 Nëntor 2026

Zana Turku: “Muji dhe Halilin do ti fusim në Unesko”



Petrika GROSI
Në deklaratën e bërë dje për shtyp mbi zhvillimin e Festvialit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, zv.ministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Zana Turku, mes të tjerash, zbuloi edhe disa detaje interesante mbi tavolinat e rrumbullakëta të debatit shkencor që do të zhvillohen si pjesë e këtij evenimenti por edhe në të ardhmen pas mbylljes së festivalit. Turku është shprehur se “Në vijim të tavolinave të rrumbullakëta nga diskutimet me nivel të lartë shkencor është propozuar që të shihet mundësia e studimit të mëtejshëm të potencialit që Eposi i Kreshnikëve ka për kulturen shqiptare dhe për përpunimin e mëtejshëm shkencor të dosjes për t’ja paraqitur më pas Uneskos.” Por sipas zv.ministres kjo përgatitje kërkon një periudhë të gjatë kohore që të përmbyllet si provces, në mënyrë që të prezantohet një material cilësor, i cili do të mundësojë mirëpërfaqësimin e traditës së lashtë shqiptare dhe ballkanike pas regjistrimit të tij në listën e pasurive botërore të njerëzimit. Nuk është bërë asgjë e ditur më konkretisht sa u takon grupeve shkencore që do të merren me pasurimin dhe përpilimin e mëtejshëm të dosjes mbi Eposin e kreshnikëve ndaj do të jenë albanologët ata që më pas duhet të thonë fjalën e tyre duke i vënë pikat mbi “i”. Ndërkaq, festivali në Gjirokastër dhe të gjitha veprimtaritë e tjera që zhvillohen paralet apo si pjesë e tij, bëhen edhe në kuadër të 29 shtatorit, Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Turku shton se “Qëllimi ynë është që të sensibilizojmë të gjithë faktorët që kanë përgjegjësi shtetërore dhe shoqërore, për ruajtjen dhe jetësimin e trashëgimisë sonë kulturore në mbrojtje të identitetit kombëtar”.
Studiues, specialistë të trashëgimisë kulturore, folkloristë, etnografë etj., kanë diskutuar në lidhje me situatën e deritanishme të botimeve në këtë fushë dhe shtimin e titujve të rinj në të ardhmen. Sipas studiuesve, pjesmarrës në këtë forum, aktualisht janë një sërë tituj periodikësh dhe botime të ndryshme që qarkullojnë por në të ardhmen duhet të kemi dhe më shumë të tilla në mënyrë që të ruajmë, pasurojmë dhe promovojmë trashëgiminë kulturore dhe vlerat e traditës shqiptare.

28 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›