E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita Botërore kundër Hepatiteve, mjekët apel popullatës: Diagnostikohuni

TIRANE - Rreziku në rritje i infektimit nga Hepatiti B dhe C ka shtyrë mjekët që t’i bëjnë thirrje popullatës që të diagnostikohen në kohë, për të parandaluar format akute të infeksionit, i cili mund të shkaktojë cirozë apo kancer të mëlçisë. Shefja e shërbimit të gastrohepatologjise në QSUT, Adriana Babameto vlerëson si tepër shqetësues përhapjen e heparit në popullatë, në të gjitha grupmoshat.

“Pothuajse një e treta e popullsisë së botës e ka takuar infeksionin nga virusi B dhe C. Përsa i përket shifrave të vendit tonë shikojmë që prevalenca për virusin C llogaritet nga 0.8 deri në 1.5% dhe prevalenca për virusin B 8-8.5%. Po të mos trajtohet një infeksion kronik mund të shkojnë në fibroze, cirozë dhe më tutje edhe në kancer të mëlçisë. ”- deklaron Babameto.

Rreth 1 milion vdekje në vit i atribuohen Hepatitit viral, ku 1 në 12 njerëz bashkëjetojnë me këtë virus, pavarësisht se në shumë raste nuk e dinë.

“Rreth 30% e pacientëve kalojnë pa ndonjë simptomatologji të qartë. Kjo ndodh kryesisht për hepatitin C, i cili njihet si sëmundje e qetë.”- shpjegon Babameto.

Deri më sot ekzistojnë disa lloje hepatitesh, ndërsa shkaktarët dallohen në varësi të llojit të virusit dhe formave se si ky virus depërton në trupin e njeriut.

“Kryerja e marrëdhënieve seksuale të kontrolluara dhe të mbrojtura, për arsye se është një nga rrugët kryesore, pas transfuzioneve të gjakut, të përhapjes së këtyre viruseve. Përdorimi prej disa personave, sidomos në ambientet e brendshme familjare apo partnerët, të mjeteve të tilla siç janë furçat e dhëmbëve, ose brisqet, ose pajisjet që mund të kenë kontakt me gjakun.”- shpjegon mjekja.

Për të parandaluar hepatitin A dhe B ekziston edhe vaksina e cila ende nuk po jep rezultat për hepatitin C. Si mund ta kuptojë një person nëse është i infektuar me hepatit ose jo?

“Në rastet kur shfaqet në format akute mund të kenë shenja të ndryshme, të cilat mund të karakterizohen nga një dobësi e theksuar trupore, nga anoreksi, shpesh herë mund të kenë dhimbje të muskujve ose të artikulacioneve. Mund të ketë një zverdhje, jo në të tëra rastet, nuk është konditë, urinim me ngjyrë më të errët.”- deklaron mjekja Babameto.

Situata mund të jetë edhe më e rëndë nga sa paraqitet. Sipas një studimi ende të pa zyrtarizuar, ndërmarrë në qendrat e dializës në Shqipëri rezulton se 36% e pacientëve të diagnostikuar rezultojnë të jenë të prekur me hepatit gjatë kohës që trajtoheshin me dializë. Apeli i mjekëve vjen në kuadër të Ditës Botërore të luftës kundër Hepatiteve.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›