Dita Ndërkombëtare e Mësuesit, Gonxhja: 1759 mësimdhënës japin kontributin e tyre në arsimin profesional

TIRANË, 5 tetor /ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja uroi sot mësuesit e arsimit profesional me rastin e 5 Tetorit, Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit.
Gonxhja falënderoi 1759 mësimdhënës që japin kontributin e tyre në institucionet e Arsimit dhe Formimit Profesional.
“Faleminderit 1️7️5️9️ mësimdhënësve të institucioneve të Arsimit dhe Formimit Profesional, që japin kontributin e tyre në formimin e profesionistëve të së ardhmes”, shkroi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Në shumë shtete të botës, 5 tetori i është dedikuar mësuesve.
Për herë të parë kjo datë u shënua në vitin 1994, për nder të rekomandimeve të UNESCO-s në lidhje me statusin e mësuesve, që është një instrument standard ku adresohet situata në të cilën gjenden mësuesit në gjithë botën.
Profesioni i mësuesit nderohet kudo nëpër botë dhe kjo mund të bëhet në çfarëdo date, mirëpo në kalendarin e UNESCO-s, 5 tetori është Dita Ndërkombëtare e Mësuesit. Qëllimi i kësaj dite është të ofrojë mbështetje e inkurajim për mësuesit dhe gjithashtu të sigurojë që nevojat e brezave të ardhshëm të vazhdojnë të plotësohen prej tyre.
Dita Botërore e Mësuesit paraqet një shenjë të rëndësishme të ndërgjegjësimit, të të kuptuarit dhe të vlerësimit që shfaqet për kontributin vital që mësuesit i dhurojnë arsimit e zhvillimit të shoqërisë ndër vite.
/a.f/