E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dita e 6-të e rinumërimit – Lëvizje votash, por jo ndryshim mandatesh

Rinumërimi i votave në qarkun e Tiranës vijon për të gjashtën ditë me 717 kuti të hapura nga 1,282 në total. Deri më tani janë evidentuar disa parregullsi të vogla që nuk kanë ndikuar në ndryshimin e mandateve, por kanë sjellë lëvizje në numrin e votave të kandidatëve.

Partia Demokratike rezulton me numrin më të lartë të votave të marra padrejtësisht gjithsej 368 vota  ndërsa Partia Socialiste ka përfituar 262 vota që nuk i takonin. Vota të tilla konsiderohen si të pavlefshme ose të marra nga partitë e vogla.

Partia Mundësia rezulton me 27 vota më shumë sesa numërimi fillestar, të cilat do t’i zbriten në përmbledhjen përfundimtare.

Deputeti i PS-së, Ervin Hoxha, është kandidati me numrin më të madh të votave të shtuara në mënyrë të gabuar nga komisionerët në numërimin e 11 majit, plot 263 vota, të cilat tashmë do t’i zbriten.

Ky proces ka ngushtuar ndjeshëm diferencën mes Olta Xhaçkës dhe Blerina Gjylametit. Xhaçka humbet 50 vota, ndërsa Gjylametit i shtohen 2. Tashmë të dyja janë ende në garë për mandatin.

Ndërkohë, në kampin opozitar, gara mes dy kandidatëve më të votuar të PD-së në listën e hapur ka pasur zhvillime: Ilir Alimehmetit i janë zbritur 97 vota, ndërsa Jorida Tabaku humbet 77 vota. Megjithatë, këto ndryshime nuk kanë ndikuar në shpërndarjen e mandateve.

Ky proces rivlerësimi është cilësuar si i parregullt nga disa kandidatë, të cilët kërkojnë hetim për krime zgjedhore.

Por anëtari i KAS-it, Koli Bele, deklaroi se Komisioni nuk ka kompetencë për hetimin e kutive, por vetëm për rinumërimin e fletëve të votimit.

 “Çdo devijim në procesin zgjedhor përbën krim, dhe hetimi i tij i takon institucioneve përkatëse, jo KAS-it.”, tha ai.

Sipas tij, me ritmin që po ecet, rezultati përfundimtar i rinumërimit pritet të dalë së shpejti.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›