Dita e Buzëqeshjes në Lezhë, fëmijët shpërndajnë pergamena me mesazhe frymëzuese

Një qytet që buzëqesh është një qytet që jeton me më shumë dashuri! Prej 11 vitesh, Dita e Buzëqeshjes është kthyer në një festë të veçantë për Lezhën, duke sjellë gëzim dhe energji pozitive në çdo cep të qytetit. Këtë vit, kjo ditë u përkujtua në harmoni me Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë, duke krijuar një mesazh të dyfishtë: forca e fjalës dhe magjia e një buzëqeshjeje.
Fëmijët e shkollës “Besëlidhja”, së bashku me mësuesit dhe prindërit, shpërndanë mbi 4 mijë pergamena me mesazhe frymëzuese, duke i vendosur ato në institucione, biznese dhe rrugët e qytetit. Çdo thënie ishte një kujtesë e thjeshtë, por e fuqishme: “Buzëqeshja është dhurata më e bukur që mund t’i bëjmë njëri-tjetrit”.
“Dëshira për të dhuruar buzëqeshje, dashuri dhe mbështetje dhe për t’i bërë njerëzit që gjithçka është e bukur dhe të kalojmë çdo vështirësi”, tha mësuesja Lulzime Celami.
Nisma është pritur me entuziazëm nga qytetarët, të cilët e kanë kthyer këtë festë në një traditë që rritet çdo vit. Për fëmijët, kjo është më shumë se një aktivitet është një mësim mbi rëndësinë e optimizmit, solidaritetit dhe fuqisë së fjalës së shkruar.
“Një buzëqeshje mund të ndryshojë një ditë, një libër mund të ndryshojë një jetë,” ishte një nga mesazhet kryesore të kësaj dite, duke përcjellë simbolikën e dy festave.
Lezha ka treguar edhe një herë se dashuria dhe mirësia janë ato që e bëjnë një komunitet të fortë. Dhe kur një qytet buzëqesh, ai fiton një dritë që nuk shuhet kurrë.
/rtsh.al/