Dita e Tokës në Fier, ndalim qarkullimi për makinat deri në mesditë
Edhe qyteti i Fierit i është bashkuar aktivitetit sensibilizues në Ditën Botërore të Tokës.
Institucionet vendore, Bashkia dhe Prefektura në bashkëpunim me strukturat e policisë kanë organizuar ndalimin e qarkullimit për automjetet prej nga ora 8 e mëngjesit deri në mesditë në qendër të qytetit.
Nisma kishte për synim reduktimin e qarkullimit të automjeteve dhe dhënien përparësi mjeteve alternative të lëvizjes apo ecjes së kalimtarëve në bulevardin kryesor te qytetit.
E shënuar çdo vit në datën 22 Prill, Dita e Tokës synon të shtyjë njerëzit të jenë sa më miqësorë me mjedisin.
Mesazhi i kësaj dite shërben si ndërgjegjësim për të gjithë në reduktimin sadopak të nivelit të ndotjes dhe për një qytet të pastër.
RTSH