Dita e Vatikanit/Papa flet për lirimin e shën Pjetrit
Lutja e Kishës më ndihmon, posaçërisht në çaste të vështira: këtë pohoi Benedikti XVI sot paradite, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Katekizimin ia kushtoi lirimit të mrekullueshëm të Shën Pjetrit, në Jeruzalem, sipas rrëfimit në Veprat e Apostujve. Si Pjetri, ashtu edhe Pasardhësi i tij, gjen forcë në lutje. Në audiencën e përgjithshme, Benedikti XVI u ndalua në mënyrë të veçantë tek episodi i fundit i jetës së Shën Pjetrit, sipas rrëfimit në Veprat e Apostujve: lirimi nga burgu në Jeruzalem, falë ndërhyrjes së mrekullueshme të Engjëllit të Zotit. Papa përshkroi sjelljen e Pjetrit në pranga. Ai është krejt i qetë, kujtoi Ati i Shenjtë, sepse ia ka besuar gjithnjë vetveten Zotit. E di mirë edhe se mund të mbështetet në lutjen e bashkësisë: lutje e thënë me gjithë zemër dymijë vjet më parë, që këputi prangat, hapi dyert e hekurta dhe e liroi mrekullisht Apostullin. Lutje, që vijon në shekuj. Dymijë vjet më pas, Benedikti XVI jeton të njëjtën përvojë: “Edhe unë, që nga çasti i parë i zgjedhjes si Pasardhës i Shën Pjetrit, e ndjeva gjithnjë pranë ndihmën, që më vinte nga lutja e Kishës, nga lutja juaj, posaçërisht në çastet më të vështira. Ju falënderoj me gjithë zemër. Përmes lutjes së përhershme e besimplote, Zoti na liron nga zinxhirët, na prin për të dalë nga të gjitha netët e robërisë, që mund ta torturojnë zemrën tonë, na jep qetësinë e shpirtit për t’i përballuar vështirësitë e jetës, edhe atëherë kur na mohojnë, na kundërshtojnë, na persekutojnë”.
Qetësia e besimi, pohoi Papa, janë dy ndjesitë, që pushtojnë zemrën e Shën Pjetrit para rrezikut të vdekjes. Apostulli e ndjen veten të qetë, të vetëdijshëm se është i rrethuar nga solidariteti e nga lutja e të vetëve e kështu, duke harruar gjendjen në të cilën ndodhet, lëshohet plotësisht në dorë të Zotit: “Kështu duhet të jetë edhe lutja jonë: e pareshtur, solidare me të tjerët, plot besim në Zotin, i cili na njeh deri në fund të shpirtit e kujdeset për ne aq, sa - thotë Jezusi - deri flokët e kokës suaj janë të numëruara prej Tij një për një”.
Në përvojën e bashkësisë së Jeruzalemit, vërejti në vijim Benedikti XVI, mund të shikojmë se dëshmia zbehet, në se nuk frymëzohet, nuk ndihmohet e nuk shoqërohet nga lutja, nga vijimi i dialogut të gjallë me Zotin: “Një rikujtim i rëndësishëm edhe për ne, për bashkësitë tona, që nga më të voglat, si familja, deri tek më të mëdhatë, si famullia, dioqezi, Kisha mbarë”.
Kështu u shpreh Papa, duke shtuar se nuk duhet ta lëmë veten në mëshirën e pasioneve, nuk duhet të lejojmë të shtypemi nën thundrën e diktaturës së dëshirave tona, të egoizmit tonë. Në se duam të shpëtojmë nga gjithë kjo barrë e rëndë, që na shkarkon mbi supe bota, gjëja kryesore është të mësojmë t’i lutemi mirë Zotit. Na e dëshmon këtë Shën Pjetri, në Jeruzalem, në Kishën ku Zoti e vuri si shkëmb: “Ai provon se njeri vërtet i lirë, është vetëm ai, që ndjek Jezusin, që mbështillet nga drita vetëtitëse e Ngjalljes e që, prej këndej, mund të dëshmojë, deri në martirizim, se Krishti u ngjall”. Lirimi i Pjetrit flet qartë për forcën e lutjes. Apostulli, përfundoi Papa, e ndjen veten të qetë, të sigurtë, me sigurinë e njeriut, që e di se nuk është kurrë vetëm. Bashkësia lutet për të, Zoti është pranë: “Lutja e vazhdueshme dhe e njëzëshme është mjet i çmuar edhe për të kapëcyer pengesat, që mund të ndeshim në shtigjet e jetës, sepse bashkimi i thellë me Zotin na bashkon thellësisht edhe me të tjerët”.
Këshilli Papnor për Drejtësinë e Paqen: duhet mbështetur një rrjet botëror për luftën kundër trafikut të njerëzve/Olimpiada e Londrës 2012 është rasti për t’iu kundërvënë prirjes së konsoliduar, që dëshmon për rritjen e shfrytëzimit të prostitucionit gjatë ngjarjeve të mëdha sportive. Këtë rrezik denoncoi dje, kryetari i Këshillit Papnor për Drejtësinë dhe Paqen, kardinali Peter Turkson, në fund të konferencës mbi fenomenin dramatik të trafikut të njerëzve, organizuar në Vatikan, së bashku me Zyrën për Politikat e Emigracionit të Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Anglisë dhe Uellsit. Sipas statistikave, viktimat e këtij trafiku janë rreth 2,4 milion e kanë të bëjnë kryesisht me vende si Lituania, Nigeria, Tajlanda, Afrika e Jugut, SHBA-të dhe Evropa, përfaqësues të të cilave morën pjesë në konferencë. Kardinali Peter Turkson theksoi se për të luftuar këtë plagë, duhen mbrojtur të drejtat themelore të njeriut e duhet punuar për kthimin e zemrave: “Gjëja e parë, që mund të vërejmë, është shtrirja e problemit. E nëse problemi është botëror, zgjidhja duhet të përfshijë të gjithë, në një lloj ‘rrjeti’ ku të bëjnë pjesë Kisha, forcat e rendit e të gjithë ata, që mund të na ndihmojnë. OKB-ja ka rregulla e norma në këtë fushë, por pse nuk funksionojnë? Nuk kanë rezultat, sepse së pari, duhet ndryshuar zemra e mendja. Viti i ungjillëzimit është një mundësi në këtë drejtim”.
Prostitucioni, shfrytëzimi në punë, torturat, janë vetëm disa nga format rrënqethëse të trafikut të njerëzve. Konferenca vuri gishtin në plagën e varfërisë, e cila shumë lehtë kthehet në “serbator shfrytëzimi”. Ç’mund të bëjë Kisha për ta parandaluar këtë fenomen? Ndër rrugët e përvijuara, mbështetja baritore dhe rehabilitimi i viktimave, 79% e të cilave shfrytëzohen për qëllime seksuale. E pranishme në konferencë, pikërisht njëra nga vajzat e shfrytëzuara si prostituta. Anglezja Sofi Hejes, e gënjyer nga i fejuari, u hodh në rrugë me kercënime e keqtrajtime. Tregoi si doli nga kjo gjendje, me ndihmën e Kishës. Motër Eugjenia Bonetin, murgeshë, përgjegjëse e Zyrës për Trafikun e grave dhe të fëmijëve pranë Bashkimit të Eproreve të Italisë, shprehje e impenjimit katolik: “Ne duam ta lidhim ligjin – që është shumë i rëndësishëm – me kujdesin për njerëzit. Viktimat kanë nevojë të rigjejnë rrugën e jetës, sidomos kur poshtërohen, shiten e blehen. Personi ka nevojë të rizbulojë bukurinë e vetvetes, vlerën e tij si qenie njerëzore, dinjitetin e tij. Vajzat duhet ta kapërcejnë idenë se janë vetëm mall, se mund të shesin vetëm trupin e tyre, e duhet të kuptojnë se janë diçka shumë më e madhe e shumë më e bukur. Pra, shërbimi ynë për t’i rehabilituar e për t’i interguar ato në shoqëri, duhet të ketë parasysh se këto vajza, megjithëse janë shfrytëzuar deri në palcë, kanë dëshirë të jashtëzakonshme ta konsiderojnë veten sërish njerëz, me aftësi, me të ardhme, me zotësi për të kontribuar në shoqëri, në familje e në Kishë”.
Duke folur për Olimpiadën e Londrës, që do të zhvillohet këtë vit, nga 27 korriku më 12 gusht, kardinali Turkson kërkoi të tregohet kujdes për të zbuluar trafikantët e për t’i ndihmuar njerëzit të mos bien në kurthin e tyre. E denoncoi lidhje me institucionet, që shpesh i detyrojnë viktimat të mos i besojnë askujt e ta kenë shumë të vështirë të dalin nga trafiku: “Nganjëherë, trafikantët maskohen si policë, ose si roje kufiri. Viktimat, e mashtruara në këtë mënyrë, nuk dinë te kush të shkojnë, kanë frikë të denoncojnë. Kisha është një mundësi, një lidhje për shpëtim. Gjatë rrëfimit, ose thjesht, duke folur me dikë, mund të nisë një rrugë, e cila, siç ka ndodhur shpesh, çon jashtë skllavërisë”.
Të gjithë të pranishmit në konferencën ndërkombëtare vunë në dukje nevojën për impenjimin më të madh të qeverive në frontin e brendshëm e të jashtëm. I qartë, paralajmërimi i kryeipeshkvit të Abuxhës, në Nigeri, ku trafiku i vajzave për prostitucion gjen shpesh lëndën e vet të parë. Ja ç’tha imzot Xhon Olorunfemi Onajekan: “Të shkatërrosh jetën e tjetrit nuk është vetëm krim. Është kundër vetë Zotit. Njeriu, që bën diçka të tillë, duhet të mendojë për fëmijët e vet. Frika nga gjyqi e nga gjykatësi nuk mjafton për ta ndalur atë, që dëshiron të bëjë keq. Duhet gjetur mënyra për t’i folur ndërgjegjes”.
Marrë nga Radio Vatikani