E Diel, 1 Nëntor 2026

Forumi ekonomik Shqipëri-Kinë/Berisha: “Shqipëria, rritje ekonomike në Evropën në krizë”

10-05-2012 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë bëri edhe një ekspoze të fushave dhe sektorëve në të cilët bizneset kineze mund të kenë akses për të hedhur investimet e tyre, ku nuk ka munguar edhe ftesa për privatizimin e ALBETROL apo investimet në sektorin minerar

Kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha morën pjesë në Forumin ekonomik shqiptaro-kinez, si dhe vizituan Panairin e teknologjisë dhe investimeve kineze, të hapur dje në Tiranë. Të pranishëm në këtë forum ishin drejtues të 67 sipërmarrjeve, ndër 500 më të rëndësishmet në Kinë dhe 100 biznesmenë të cilët kanë zgjedhur Tiranën, si destinacionin e parë të tyre në Evropë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, Nënkryetari i Bashkisë së Nanjingit, në Kinë, z. Li Fuquan, Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri z. Ye Hao, përfaqësues të Konf-industrisë dhe të biznesit në vend, etj. Në këtë aktivitet, në praninë e Kryeministrit Berisha, u nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi midis Bashkisë së Tiranës dhe Bashkisë së Nankinit. Në fjalën e tij në forum, Kryeministri Berisha falënderoi Kryetarin e Delegacionit Kinez për delegacionin e rëndësishëm që solli në Tiranë, zhvillimin e panairit të prodhimeve, që solli potencialet e sipërmarrjeve të mbi 60 bizneseve të fuqishme kineze në Shqipëri. “Ju siguroj se jeni në një vend mik që mirëpret vizitën tuaj me një kënaqësi të madhe. Sot pikërisht në selinë e Këshillit të Ministrave kryesova task-forcën për të jetësuar bashkëpunimin në përputhje me këtë platformë, bashkëpunim që do të shtrihet në gjitha fushat. Kina ka në projektet e saj ngritjen e parqeve ekonomike. Ekziston një miqësi e thellë mes kombeve tona, që 20 vitet e fundit ka njohur arritje të mëdha. Shqipëria vërtet është një vend i vogël në hartë, por është një vend me burime të mëdha, ka krijuar një klimë biznesi ndër më miqësoret në rajon, është i vetmi vend në rajon që ka pasur rritje të pandalshme të investimeve. Ndërsa Europa është në krizë Shqipëria ka njohur rritje ekonomike”- u shpreh Berisha.
Kryeministri bëri një ekspoze të gjerë të potencialeve të mëdha që ofron Shqipëria në shumë fusha kryesore si, përcaktimin e zonave për parqe industrialë, potencialet në fushën e energjisë së rinovueshme, ku janë për t’u ndërtuar 443 hidrocentrale të vogla, të mesme e të mëdha, apo ku ofrohen edhe kaskada të tjera si ajo e Vjosës, Skavisës, por edhe potenciale të tjera të mëdha. “Shqipëria përbën një rezervuar të energjisë së rinovueshme në Europën Juglindore dhe më gjerë, janë 443 hidrocentrale të mëdha dhe të vogla për ndërtim. Kompanitë kineze janë të mirëpritura dhe i garantojmë për rregulla më transparente dhe liberale. Shqipëria ka rezerva të mëdha minerare, rezerva botërore kromi, hekuri, nikeli. Jeni të ftuar të merrni me koncesione këto miniera që janë vërtet me pasuri të mëdha mineraresh. Masivet e jugut në tërësinë e tyre janë me gurë dekorativë. Shqipëria është një vend me naftë, në këtë vend gjendet fusha më e madhe e naftës në kontinentin europian. Albetrol është në privatizim, ju ftoj të merrni pjesë në proces. Shqipëria bazohet në një sistem fiskal ndër më të ulëtit, ju garantoj që do të keni një mik të çmuar në Qeverinë shqiptare që do të bëjë gjithçka që investimet tuaja të jenë një histori suksesi për ju dhe dy vendet tona”- u shpreh Berisha. Kryeministri vlerësoi si shumë të rëndësishme platformën e paraqitur vetëm disa ditë më parë nga Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës Ëen Jiabao, në Varshavë, për bashkëpunim të ndërsjellë mes vendeve të këtij rajoni dhe Republikës Popullore të Kinës.
Kryeministri vuri në dukje edhe rëndësinë e projektit të madh të Korridorit 8, projekt që rikthen rrugën e lashtë Egnatia dhe që e lidh atë me rrugën e lashtë të Mëndafshit, rrugë këto që i shërbyen qytetërimit botëror. Shqipëria po ndërton pjesën e saj të këtij korridori, tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha vlerësoi edhe rëndësinë shumë të madhe të bashkëpunimit në fushën kulturore e arsimore, duke informuar në këtë drejtim, se së shpejti, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës, do të ngrihet në Tiranë Instituti i Konfucit, sikundër, qeveria shqiptare ka vendosur që gjuha kineze të mësohet në shkollat shqipe. “Kina i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit në fushën kulturore, arsimore, së shpejti do të ngrihet në Tiranë Instituti i Konfucit, ashtu siç kemi vendosur futjen e gjuhës kineze në shkollat fillore”- tha ai.
Duke theksuar edhe njëherë përkushtimin e qeverisë shqiptare për krijimin e një klime sa më të favorshme për investime në vend, Kryeministri Berisha ftoi sipërmarrjet kineze dhe i siguroi ata se do të kenë gjithnjë një mik të çmuar në qeverinë shqiptare, që do të bëjë gjithçka që investimet dhe projektet e tyre të jenë një histori e vërtetë suksesi si për ata, ashtu edhe për të dy vendet dhe kombet tona.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›