Dita e Verës, Manastirliu uron me aktivitetet e nxënësve

TIRANË, 14 mars/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu uroi sot Ditën e Verës, një nga festat më të vjetra pagane shqiptare.
Në një postim në rrjetet sociale, Manastriliu ndau momente nga festimi i kësaj feste nga nxënësit e shkollave, të cilët kanë organizuar panaire me gatimet tradicionale të kësaj feste, si dhe kanë vizatuar e pikturuar natyrën me lulet shumëngjyrëshe të saj.
“Gëzuar Ditën e Verës me nxënësit e shkollave tona”, shkruan Manastirliu.
Dita e Verës, e quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, ka krijuar tashmë traditën e saj, jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë.
Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.
Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit. Kushdo që do të kalojë këto ditë pranë Elbasanit do të ndjejë aromën ndjellëse të ballokumeve.
1 nga 10/k.s/j.p/