E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e kaosit

Për tri orë, Prishtina ishte të dielën në kaos të vërtetë. Trafiku ishte i bllokuar gati tërësisht. Organizimi i një gjysmë maratone, ka paralizuar gati tërë kryeqytetin e Kosovës. Krejt çfarë bënte policia, ishte zënia e udhëkryqeve për të liruar rrugën për maratonistët, ndërkohë që nuk ishte krijuar asnjë plan alternativ për të lëvizur automjetet. Për më tepër, shumica e njerëzve, as që dinte se çfarë ka ndodhur. “Është dashtë të pres një orë në kolonën e veturave, nga Obiliqi deri Te Rrethi në Prishtinë. Ka qenë një kaos i vërtetë dhe shumë qytetarë nuk e dinin se për çka është gjithë kjo rrëmujë”, thotë Valdet Hasani.

Ai është nisur të dielën nga Vushtrria, por si shumë të tjerë është dashur të presë në rrugë, derisa të mbarojë gjysmë maratona.

Sipas tij, në rastet kur ka organizime të tilla, institucionet përgjegjëse duhet të ofrojnë zgjidhje dhe të ketë rrugë alternative, në mënyrë që qytetarët të mos mbeten të bllokuar.

Por ndryshe mendon policia. Sipas tyre, gjithçka ka qenë mirë e organizuar.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se për maratonën në fjalë, qytetarët kanë qenë të informuar dhe se nuk mendon se ka pasur kaos apo ndonjë aksident. “Policia e ka bërë publike organizmin e kësaj gjysmë maratone dhe se nuk mendoj që ka pasur kaos në komunikacion, sepse veturat janë drejtuar nga policia”, thotë Kelani për Express. Sipas tij, nuk është shënuar ndonjë aksident, pasi veturat e kanë pasur limitin e duhur, se deri në sa duhet të vozisin.

Por në realitet, të gjitha udhëkryqet nga duhej të kalonin maratonistët, ishin të mbyllura dhe rrugë alternative nuk ka pasur.

Sipas organizatorëve të gjysmë maratonës, kjo garë ka qenë shumë e rëndësishme dhe një sukses në vete, duke e quajtur ambasadore të Republikës së Kosovës. Sipas kryetarit të Federatës së Atletikës, Halil Sylejmani, motoja e gjysmë maratonës është paqja dhe toleranca, moto kjo edhe e shqiptarëve.

“A ka më bukur, a ka më mburrje se kur vrapon në një shtet të pavarur siç është Kosova”, thotë Sylejmani për Express.

Pavarësisht faktit që në disa rrugë të kryeqytetit ka mbretëruar kaos për shkak të kësaj gjysmë maratone, Sylejmani e arsyeton këtë me faktin e mbajtjes së saj një herë në vit dhe se ky organizim duhet të respektohet.

“Federata jonë i ka njoftuar, që prej tri javësh mediat, duke përfshirë Policinë, KFOR –in, Emergjencën, Shëndetësinë, shkollat e mesme se kjo maratonë do të organizohet për 9 maj”, thotë Sylejmani. Ai shpjegon se për pjesën tjetër të punës, përgjegjëse është policia. Gjysmë maratona organizohet për nder të Ditës së Evropës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›