Dita e muzikës, koncert me program muzikor shqiptar dhe të huaj

Një program i pasur muzikor solli këngë shqiptare, por edhe krijime muzikore të huaja në koncertin që u zhvillua për Ditën Botërore të Muzikës. Koncerti u zhvillua nën dirigjimin e mjeshtrit Oleg Arapi dhe solli në skenë artistë të ndryshëm, duke përcjellë emocione të veçanta për publikun. Koncerti krijoi një atmosferë festive me praninë e solistëve, sopranos Renisa Laçka si dhe tenorit Bledi Polena.
“Ishte një program vërtet specifik dhe i larmishëm, shumë i bukur, me nota muzikore nga ato shqiptare deri te repertori klasik botëror. Vërtet, përveç kësaj, ishte edhe një atmosferë fantastike nga publiku”, deklaroi sopranoja Renisa Laçka.
Dita Botërore e Muzikës kremtohet çdo 21 qershor. Festa e Muzikës është kthyer në një fenomen ndërkombëtar dhe festohet në të gjithë botën, në të njëjtën ditë, në më shumë se 460 qytete në rreth 110 vende. Dita Botërore e Muzikës është gjithashtu një mundësi për muzikantët që të afrohen më pranë audiencës së tyre.
/RTSH/