Dita e parë e shkollës ups, parlamentit
Seanca e parë e parlamentit të ri mu duk si dita e parë e shkollës.
Të gjithë ishin të veshur me përparëse të reja, të larë, të qethur e të parfumosur.
Disa mezi e kishin pritur zilen e parë, sepse mbërritën një orë më herët.
Dikush erdhi me vonesë. Ndaj mësuesi e filloi mësimin disa minuta pas orarit.
Në vend të librave na dhanë nga një kompjuter të ri, të shëmtuar.
Nuk do kemi më mësuese kujdestare, por mësues.
Aq ishte mërzitur e shkreta, sa nuk ia hodhi fare sytë ekranit që kishte përballë.
Në plate, më shumë përshëndeteshin nxënësit e palëve kundërshtare sesa ato brenda llojit.
Nga lozha mundoheshin të matnin temperaturën e ditëve të ardhshme.
Për herë të parë mësuesi më i vjetër nuk i ra ziles së parë.
Në shenjë proteste që populli e kishte pushuar nga puna, u allnua me të dhe vendosi që të mos i fliste 24 orë.
Drejtori i ri është më i gjati i historisë së arsimit politik të Shqipërisë.
Sa më të gjatë kanë qenë drejtorët, aq më shumë kanë qëndruar në detyrë.
Këtë radhë, më e rëndësishme se sasia, është cilësia. E cila na ka munguar përgjatë historisë sonë 100 vjeçare dhe na ka lënë prapa shkollave të tjera.
Rilindja filloi. Sot lind një ditë e re. Suksese të gjithëve.
