Parlamenti që meritojmë (?)
Nga Edlira Gjoni
Të rikthejmë besimin e qytetarëve tek politika ose ndryshe Hajduti thotë Kapeni hajdutin. Ky duket se ishte refreni i seancës së djeshme të parlamentit shqiptar, teksa u bëmë me një kryetar të cilit kjo thirrje i buron nga zemra; me një anëtar fare të thjeshtë të opozitës, i cili dha dorëheqjen si kryeministër fare butësisht në respekt të Kushtetutës; më një votim ku konsensusi për kryetarin e ri i kapërcente jo vetëm numrat e mazhorancës së re, por edhe imagjinatën e asaj të vjetrës, që e pati kryetarin e sotëm zëvendës-kryeministër të sajin për shumë muaj rresht. Çfarë fati! A jemi akoma në Shqipëri?
Ish-kryetarja e Parlamentit duket e qeshur dhe e lumtur në rolin e ri të nxënëses së zellshme, shumë pak javë pas luftës së saj të gjithanshme për ta ngritur veten në kult jo vetëm aty ku lindi, por edhe ku u bë shembulli i djegur i politikës për gjininë femër. Kurse kryetari i ri i Parlamentit, që do mbajë ndezur zjarrin e shpresës shqiptare për rilindje në 44 vitet e ardhshme, dukej aq i sinqertë në fjalimin e tij rastësor të marrjes së detyrës, saqë është pothuajse mëkat të mos e besosh çdo fjalë të tij. I surprizuar nga votëbesimi i atyre që slanë grevë e lëvizje pa bërë për ta demaskuar, tradhtari i së majtës, fajtori i 21 Janarit, e keqja e Shqipërisë, u bë papritur udhëheqësi i 139 shokëve e miqve të tij dhe të kryetarëve të tjerë. Guri që hodhën poshtë, u bë guri i qoshes. Tenderat, Ziverët, filmimet, Fiks-faret, aferat, u harruan. Blerja e votës u zhduk si me magji. Kryetari i ri, me ndërgjegje të larë e madje edhe me pamje të re, u zgjodh si udhëheqësi shpirtëror i frekuentuesve të internet-kafe Kuvendit, që do na zbukurojë jetën në 4 vitet e ardhshme.
Dhe salla duartrokiti e mallëngjyer, nxitur nga një prej deputetëve të tij, ish-socialist, ndoshta demokrat i ardhshëm, siç e kërkon moda, anëtar i komisionit të votimit, që iu bënë duart flakë të kuqe nga forca me të cilën i përplaste, i gëzuar si fëmijë. Kryetari i partisë iu zgjodh kryetar parlamenti. Makthet mbaruan. Jeta e re filloi. Vjedhjet, blerjet, shantazhet, tradhëtitë, shitjet, abuzimet u fshinë si me magji. Kryetari hipi në karrigen më të lartë. Çnuk të vret, të bën më të fortë.
Propozimi për kandidaturën e tij kryesohej në firma nga Edi Rama. Në votim, mori 8 vota plus që i erdhën nga opozita e anëtarit të thjeshtë Sali Berisha. Nga të gjitha ekranet që jepnin drejtpërdrejt seancën, me gojën kyçur e sytë të shqyer nga habia, ndiqnin shfaqjen pa ditur ku të fshiheshin nga bumerangu politik e mediatik familjarët e Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës. Po, po, janë thjesht katër emra, popull, histori e mbyllur tre vjet më parë dhe nuk kanë rëndësi krahasuar me nevojën që vendi të eci përpara, të integrohemi e të shpallemi zgavra me njerëzit më të zgjuar në planet. Por deri atëherë, ajo çka i bëhet familjarëve dhe gjithë shqiptarëve të tjerë, është deformim i normalitetit mendor, të sjelljes, pritshmërive, kuptimit, reagimit, kërkesës që gjërat të ndryshojnë dhe aftësisë për ta bërë këtë. Se tani kemi 200 mijë votues me sindromën e Stokholmit, që janë të dashuruar aq shumë me tutorin ziverian e 21 janarian, saqë i dhanë votën. E janë aq të zënë me kultin piktoresk, saqë adhurojnë bashkë me të lartësimin e tradhëtarit të së majtës. E po kaq të tjerë në kahun tjetër janë kaq të inatosur me plakjen e parakohshme të udhëheqësit shpirtëror , saqë edhe ata kundrojnë gjithë gëzim votimin për kryetarin e ri të ish-kryetarit të tyre.
E të gjithë shohin, dëgjojnë, komentojnë, në telefon, Facebook apo faqe gazetash online, duke bërë pa fre të mençurin, të mirin, të larin, shën-Mërinë mashkull, predikuesin femër, gjykatësin e gjithësisë, që i di të tëra edhe pa ditur asgjë. Të aftë të gjykojmë, përflasim, përgojojmë e shkatërrojmë me guxim të çartur qenien e çdokujt që na sheh syri e sna rrok mendja.
140 deputetët e parlamentit të ri, mes tyre me hajdutë, kriminelë, me dosje a pa dosje, të akuzuar nga vetë ata për njëri-tjetrin për zhvatje e abuzime, falsifikues diplomash e personalitetesh, jo vetëm që nuk janë aty rastësisht, por janë edhe përfaqësuesit që përshtatur me filozofinë e Churchill: Janë deputetët që meritojmë. E po në të njëjtën logjikë, këta deputetë, do të drejtohen gjithaq nga kryetari që meritojnë. Ndaj, ashtu si në parlament, edhe ne duhet të jemi të gjithë të qetë, të lumtur e të sigurtë se nesër, siç na thonë fjalimet e zjarrta, nisemi për në Europë. Do hamë me lugë të florinjtë; do e kemi të gjithë pa përjashtim rrogën mbi një mijë euro (minimalja kjo) e pensionet do jenë rreth 800 euro. Në spital sdo ketë më asnjë radhë për asnjë shërbim, mjekim e ilaç. Ti kërkon, ilaçi mbin, mjeku e infermieri vepron para se të kërkosh ti. Universitetet private do mbyllen. Vetëm ata konkurruesit në treg do mbijetojnë, e diplomën do tjua japin vetëm pasi të keni mësuar të shkruani e të lexoni. Publiku do rrisë konkurrencën brenda llojit e kjo do ju forcojë më shumë për në tregun e BE-së ku jemi nisur. Shtëpitë do të jenë të gjitha të sistemuara brenda sipas dëshirës suaj e jashtë sipas planit urban, që ka për të ndryshuar faqen e cdo cepi formal e informal në vend. Industria e bujqësia sdo bëjnë pushim as natën, as ditën, as në dimër e as në verë. Turizmi nga Puka në Librazhd sdo njohë sezon. Administrata jonë do jetë më e kërkuara në gjithë BE-në për efikasitetin, mendimin e thellë dhe saktësinë e pakrahasueshme në punë, e do rrezikojmë të kërkojmë punëtorë nga rajoni që të mbushin zyrat tona, ngaqë neve do na përthithë tregu europian, kryesisht Brukseli dhe Strasburgu.
E kështu, 80% e këtyre gjërave do ndodhin në 4 vitet e para, e 20% tjetër në 44 vitet e dyta të pushtetit.
Unë do jem një zë i fortë për opozitën dhe avokate e palëkundur e saj, sepse vetëm kështu vendi mund të integrohet i sigurt në BE thoshte në këtë linjë ëndrre katër vjet më parë Jozefina Topalli, ditën e parë të legjislaturës së kaluar.
Sot, me po atë ton optimizmi zyrtar, kreu i ri i parlamentit na thotë se do rikthejë besimin e qytetarëve tek politika. Si jo? Madje, të kthyer e kemi. Të gjitha palët, që në konsensus të frikshëm, që në seancën e parë, votojnë atë që 5 vite më parë, donin ta hiqnin qafe politikisht. Kurse sot, të gjithë i kanë sytë nga ai, personazhi i Fiksit, që rrezik, edhe nga arkiva e ka fshirë ngjarjen.
Është e vështirë të kuptosh se nga duhet nisur rruga e ndryshimeve pozitive në Shqipëri, sepse të gjithë, me radhë, jemi herë aktorë, e herë spektatorë nxitës të një komedie të shpifur që po luajmë me veten, si personazh kryesor të saj. Ndaj ska pse kryetari apo parlamenti i ri të lodhen shumë për të rikthyer besimin e qytetarëve tek politika. Qytetarët e kanë besimin të palëkundur. Ndaj në krye kemi sa më sipër. E do qëndrojnë gjatë!