Dita kundër Homofobisë, LGBT: Mos na diskriminoni
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, 17 Maji, lëvizja LGBT PRO ka bërë një thirrje të hapur publike kundër diskriminimit të homoseksualëve, lesbikeve, biseksualëve dhe transeksualëve. I pranishëm në aktivitetin e zhvilluar në mbrojtje të të drejtave të këtyre personave ishte dhe Boris Ditrih, një nga projektuesit e ligjeve në mbrojtje të orientimeve të ndryshme seksuale. Boris Ditrih: Është shumë e rëndësishme që ligji për diskriminimin seksual, i cili është në letër, të fillojë të jetojë. Dua të them se ligji është shumë i mirë dhe shoqëria shqiptare duhet të jetë më tolerante dhe e hapur të pranojë ndryshimet. Është e rëndësishme që persona të tillë të dalin dhe të shprehen për seksualitetin e tyre dhe ata që e shprehin këtë në Shqipëri, janë heronj. Për sa i përket vënies së tij në lëvizje, është jetike që qeveria të caktojë buxhet dhe komisione të veçanta në vënien në funksion të tij. Sipas përfaqësuesve të kësaj lëvizjeje, ndonëse vihen re një sërë arritjesh, Shqipërisë i duhet ende të punojë në të gjitha nivelet për të arritur barazinë dhe respektimin e lirisë seksuale.