E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për financimin e universiteteve, gati drafti fillestar

Ligji që pritet të kalojë brenda vitit, do të parashikojë financimin e universiteteve private dhe publike në të njëjtën formë, nëpërmjet studentëve

Ligji i ri për financimin e universiteteve ka nisur të përpilohet nga grupi i punës që është ngritur nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Sipas burimeve të gazetës, tashmë është përgatitur drafti model, mbi të cilin do të hartohet projektligji. Ndërkaq, në fund të verës, ai do të bëhet publik. Burime të sigurta bëjnë të ditur se ky ligj do ti nënshtrohet një debati të gjerë në sferën e botës akademike, por nuk përjashtohet as mundësia e një debati publik përpara miratimit të ligjit. Si arsye për këtë veprim shihet fakti që projektligji i ri do të sjellë një ndryshim rrënjësor të mënyrës se si ne njohim deri më sot arsimin e lartë dhe të mënyrës se si janë mësuar të gjithë maturantët deri më sot. Kjo, pasi tashmë do të jenë universitetet ato që do të financohen dhe jo studentët. Modeli më i favorizuar, sipas burimeve të gazetës, ka në themel të funksionimit të tij kuponët. Këta kuponë, që kanë një vlerë të caktuar, të llogaritur në bazë të kostos së studimeve, u jepen studentëve në dorë dhe studentët përzgjedhin shkollën ku duan të vijojnë studimet. Duke dhënë këtë kupon në shkollë, është shteti ai që paguan vlerën e kuponit, si në rastin kur ky është universitet publik, edhe në rastin kur ai është privat. Në kuptimin real, kuponët janë një formë e ngjashme me bonot e privatizimit të cilat mund të përdoren vetëm për pagimin e tarifës vjetore të shkollimit të studentëve. Si në Lituani, edhe në Kili, prej nga është bazuar sistemi i ri, këta kuponë janë si për studentët më të mirë, edhe për ata me të ardhura minimale. Në Kili, 5% e maturantëve më të mirë përfiton kuponin, ndërkohë që pjesa tjetër e kuponëve shpërndahet për ata që kanë nevojë ekonomike. Risia që sjellin këto dy sisteme, në rast se do të zbatohen në Shqipëri, ka të bëjë me konceptin në vetvete të universiteteve në vend. Deri më sot, buxheti për arsimin e lartë u jepet universiteteve publike, në bazë të buxhetit që ato kërkojnë. Nëse një sistem i tillë do të prezantohet, atëherë kuponët do tu jepen maturantëve përfitues, të cilët do të zgjedhin universitetin që duan të vijojnë studimet, qoftë ky privat apo publik, e më pas shteti do të japë shumën përkatëse që përmban kuponi tek ky universitet. Elementi i dytë në këtë model ka të bëjë me kreditë studentore, që janë të panjohura për sistemin shqiptar. Këto kredi janë të buta, me garanci të shtetit dhe të universitetit dhe në Lituani e në Kili shërbejnë më së shumti për atë kategori maturantësh që nuk përfiton kupon. Nëse ky sistem i ri financimi vihet në jetë në format e mësipërme, tarifat studentore vjetore do të jenë të bazuara në koston e studimit edhe për universitetet publike. Si pasojë, nga 15 deri në 40 mijë lekë të reja që janë sot, ato do të katapultohen në më shumë se 80 mijë lekë të reja në vit; shifër kjo vështirë e përballueshme nga klasa ekonomike e mesme e shoqërisë. Për këtë arsye, dy modelet ofrojnë mundësinë që studenti të marrë kredi të barabartë me tarifat e studimit dhe njëzet për qind më tepër që do ti shërbejnë për jetën e përditshme, për një afat 15-vjeçar. Me garancinë e shtetit dhe të universitetit, ata paguajnë vetëm interesat për 6 vitet e para, shifër kjo që shkon më pak edhe se tarifat aktuale të studimit; ndërsa pas gjashtë viteve të para nisin të paguajnë edhe principalin. Kjo është konceptuar në Lituani dhe në Kili, si model që mundëson pagim të lehtë nga studentët, pasi në këtë koncept pas gjashtë viteve, ata do të kenë mundur të nisin një punë në profesionin e tyre. Krahas dy instrumenteve të para të financimit të studimeve, ekziston edhe instrumenti i tretë që ka të bëjë me bursa dhe financime të vogla për jetën e përditshme të studentëve, kryesisht për ata në nevojë ekonomike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›