Poni akuzon Edi Ramën: 3 herë më të larta se bashkitë e tjera
Taksat e pushtetit lokal në Tiranë do të ishin më të ulëta nëse bashkia dhe kreu i saj, Rama, do të bënin transparent buxhetin. Kreu i këshilltarëve demokratë në Këshillin Bashkiak, Ferdinand Poni, e quajti të pajustifikuar qëndrimin e Ramës, ndërsa deklaroi se biznesi i vogël paguan 2-3 herë më shumë taksa krahasuar me bashki të tjera.
Ky kryetar që flet për transparencë, duhet ti jepte këshillit nivelin dhe bazën e çdo takse, unë e them edhe botërisht, në mënyrë që ne ti tatojmë më pak qytetarët, që ne ti ngarkojmë ata më pak për shpenzimet ekstravagante që bashkia do të bëjë, sepse ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe bashkia duhet të jetë në shërbim të qytetarëve. Ka më se dy muaj që kjo listë taksash, në mënyrë që të bëhet buxhet i shëndetshëm, nuk ka ardhur. Bashkia e Tiranës ka taksa hera-herës tri herë më të larta se një bashki tjetër ngjitur me të apo ka taksa fare të pamotivuara për reklamat apo çuditërisht mbrohen grupe monopoliste dhe nuk mbrohen qytetarët e zakonshëm", - deklaron Poni. Ai e akuzoi Ramën për mungesë transparence dhe për rrënim të taksapaguesve në kushtet kur qeveritë e vendeve evropiane po aplikojnë paketa lehtësuese për biznesin për të mos u prekur nga kriza ekonomike.