Dita ndërkombëtare e OKB, Xhaçka: Shqipëria e përkushtuar ndaj vlerave të multilateralizmit dhe rendit botëror

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka në ditën ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, ka deklaruar se rëndësia dhe kontributi i kësaj organizate në ruajtjen e paqes dhe sigurisë është i jashtëzakonshëm.
Xhaçka shkruan në rrjetin social Facebook se Shqipëria është e përkushtuar ndaj vlerave të multilateralizmit dhe rendit botëror të bazuar në rregulla ndërsa premton se vendi ynë do punojë me të gjithë aleatët dhe partnerët për të kontribuar për një OKB më të fortë dhe më efektive.
“Të dashur miq, kjo është një ditë vërtet e rëndësishme për çdo qytetar të çdo vendi të globit. Dhe unë dua t’i uroj shumë suksese jo vetëm Organizatës së Kombeve të Bashkuara që sot e feston këtë përvjetor, por edhe çdo burri, çdo gruaje dhe çdo fëmije kudo në botë sepse e vërteta është që kjo organizatë ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në ndërtimin e botës ku jetojmë ne të gjithë sot.
Shqipëria është një vend që beson tek roli i jashtëzakonshëm i OKB dhe që është e përkushtuar ndaj ruajtjes dhe forcimit të sistemit ndërkombëtar të bazuar tek rregullat. E kemi treguar këtë duke ju bashkuar e duke punuar seriozisht për nismat, objektivat dhe agjendat e OKB, por edhe duke mbështetur, jo vetëm politikisht, përpjekjet paqeruajtëse të OKB-së, duke ndihmuar me trupa, vëzhgues ushtarakë apo policorë, si edhe me fonde në buxhetin e posaçëm të operacioneve paqeruajtëse”, tha Xhaçka.
Ministrja theksoi se Shqipëria luan një rol të madh në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, këto të fundit të kërcënuara ndjeshëm nga agresioni rus në Ukrainë. Dhe sipas ministres Xhaçka, Shqipëria ka marrë një rol të dorës së parë në përpjekjet e mbështetura nga shumica dërrmuese e vendeve të globit për t’i dhënë fund këtij agresioni.
“Ne jemi krenarë që sot vendi ynë mund të luajë një rol akoma më të madh në këtë drejtim gjatë mandatit të tij 2-vjeçar në Këshillin e Sigurimit. Dhe jemi krenarë që po e luajmë këtë rol në një moment kur ky rend ndërkombëtar që ka garantuar paqen dhe sigurinë është nën kërcënimin më serioz që ka njohur që prej krijimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara si pasojë e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës.
Shqipëria ka marrë një rol të dorës së parë në përpjekjet e mbështetura nga shumica dërrmuese e vendeve të globit për t’i dhënë fund këtij agresioni dhe për të izoluar agresorin, jo thjesht sepse ne besojmë që kjo është gjëja e duhur për të bërë dhe që Ukraina meriton të gjithë mbështetjen tonë, por edhe sepse ne besojmë, që përmes kësaj mbështetje ne jemi duke kontribuar krah aleatëve e partnerëve dhe pjesës dërrmuese të vendeve anëtare të OKB-së, për të ruajtur e konsoliduar rendin ndërkombëtar dhe rolin primar që OKB-ja ka në garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit.
Prandaj, ky përvjetor këtë vit merr një rëndësi akoma më të madhe, sepse sot më shumë se kurrë kombet duhet t’i qëndrojnë fort mbrojtjes të parimeve dhe vlerave të Kombeve të Bashkuara dhe të multilateralizmit, sepse kështu do të mund të sigurojmë të ardhmen dhe prosperitetin e brezave që do të vijnë”, tha Xhaçka.
/rtsh.al/