Dita nderkombetare e romeve

Unioni për zhvillim dhe integrim të minoritetit rom në Shqipëri “Amaro Drom” ka zhvilluar një konferencë me temë “Për një shoqëri pa paragjykime dhe diskrimine”, ku morrën pjesë presidenti i Republikës, Bamir Topi, ambasadorë të akredituar në Tiranë dhe përfaqësues nga organizmat qeveritare.
Kryetari i këtij unioni kërkoi më shumë kujdes për arsimimin e këtij komuniteti.
“Fëmijët tanë janë më ata që dikur endeshin pa harruar moshat e treta. Le të shërbëj ky si një mesazh se arsimi për ne do të jetë dhe do të mbetet një prioritet”, është shprehur Skënder Veliu, përfaqësues i “Amaro Drom”.
Kreu i shtetit Bamir Topi që në fillim të fjalës së tij tha se komuniteti rom është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë sonë.
“Sot është një ditë e shënuar e cila vjen 40-vjet mbas atij takimi të parë të organizuar në Londër që në thirrjen “Gelen-Gelen“ u organizua si e para konferencë ndërkombëtare dhe u konsakrua si “Dita Ndërkombëtare e Romëve“. Kjo festohet kudo në të gjithë botën, festohet edhe në Shqipëri dhe sigurisht është një nga atributet e rëndësishme të viteve të demokracisë që kjo ditë e shënuar festohet në liri të plotë, festohet në një harmoni më të gjithë pjesën tjetër të shoqërisë”, tha Topi.
Presidenti Topi ka dënuar incidentin e denoncuar në Top Channel të datës 8 prill ku u dogjën barakat në cilën strehoheshin pjestarë të këtij komuniteti.
“Rasti i fundit, që ju e përmendët, që ka të bëjë me një episod të pakëndshëm në një zonë këtu, shumë afër këtij ambienti ku ne po zhvillojmë Konferencën, pikërisht tek stacioni i trenit, patjetër që alarmoi të gjithë institucionet shqiptare, sepse ishte një rast vërtetë violent, episodik, por që na bën të reflektojmë që elementë të tillë të cilët ndikojnë në prishjen e imazhit të institucioneve shqiptare, që në fakt kanë qenë të gjithë shumë të ndjeshme përsa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me minoritetet. Të rikthejnë situatën në një situatë normale”, theksoi Topi.
Meqënëse dita e sotme përkonte me hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit presidenti Topi ka inkurajuar romët shqiptarë të jenë aktiv në këtë eveniment shumë të rëndësishëm për demokracinë në Shqipëri siç i vlerësoi ai këto zgjedhje.
“Duke shfrytëzuar të drejtën e votës juve bëheni kontributorë direkt të përmirësimit të klimës sociale në Shqipëri”, tha zoti Topi.