E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita ndërkombëtare kundër duhanit, Kryetarja e Kuvendit apel për ndalimin e pirjes së duhanit veçanërisht nga moshat e reja

Në kuadër të ditës ndërkombëtare kundër duhanit, Jozefina Topalli në cilësinë e Kryetares së Kuvendit por më shumë në rolin e nënës, përcolli një mesazh të fortë ndaj prindërve, nënave, e veçanërisht mësuesve, të bëjnë çdo gjë që fëmijët, të rinjtë dhe rejat, të edukohen për mos pirjen e duhanit. Nga Kamza, ku dhe zhvilloi një takim të ngrohtë dhe të përzemërt me banorët e kësaj bashkie, Kryetarja Jozefina Topalli u ndal në mënyrë të veçantë tek rrezikshmëria e lartë që i shkakton duhani shëndetit të të rinjve, duke vënë theksin tek roli edukues që duhet të luajnë prindërit por edhe mësuesit në luftën kundër duhanpirjes nga moshat e reja. Sot është dita kundër duhanit, unë si nënë, ju drejtohem juve bëni çdo gjë që fëmijët tanë të vegjël të mos pijnë duhan, është i dëmshëm për shëndetin, është i dëmshëm për jetën. Unë i bëj një thirrje të veçantë mësuesve, mos lejoni fëmijët që të pijnë duhan në shkolla, konsiderojeni armik të jetës suaj, se nëse e mendoni kështu unë jam e sigurtë se vajzat e djemtë e rinj nuk do të pijnë duhan. Sot është dita kundër duhanit, konsiderojeni armik dhe çlirohuni pej tij. Natyrisht, këtë e kam vetëm për të rinjtë dhe të rejat, sepse edhe ne të mëdhenjtë bëjmë disa gabime. Edhe njëherë u uroj shumë suksese, vajzave dhe djemve, ju uroj shumë suksese burrave dhe grave, punëtorëve, punonjësve të shëndetësisë, biznesmenëve, Kryetarit të Bashkisë u shpreh Kryetarja e Kuvendit

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›