E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisionet Parlamentare të Ligjeve, Ekonomisë dhe Politikës së Jashtme miratojnë disa marrëveshje e konventa të rëndësishme

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Komisioni për Ekonominë dhe Financat dhe Komisioni për Politikën e Jashtme diskutuan dhe miratuan sot në mbledhjet përkatëse, projektligjin Për ratifikimin e konventës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Estonisë për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat. Kjo konventë luan një rol shumë të rëndësishëm në kompleksin e faktorëve që garantojnë, favorizojnë dhe stimulojnë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare ndërmjet dy vendeve. Konventa krijon një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të individëve a të personave juridikë, shqiptarë dhe estonezë, që kanë veprimtari biznesi ose të ardhura të tjera, që parashikohen në juridiksionin e legjislacioneve tatimore të të dyja shteteve. Projektligji u vlerësua pozitivisht gjatë diskutimeve në të tre komisionet e sipërpërmendura dhe u kalua unanimisht për në seancë plenare. Ndërkohë, po sot, Komisioni për Çështjet Ligjore shqyrtoi projektligjin Për ratifikimin e marrëveshjes të tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve (E.F.T.A.) dhe të marrëveshjeve për bujqësinë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës e Principatës së Lihteinshteinit, Republikës së Shqipërisë e Mbretërisë së Norvegjisë dhe Republikës së Shqipërisë e Republikës së Islandës, si pjesë përbërëse të saj. Për përafrimin e marrëveshjes në fjalë kanë punuar përfaqësues nga Shqipëria, si dhe përfaqësues të vendeve të tjera nënshkruese. Marrëveshja është rezultat i procesit të liberalizimit dhe lehtësimit të tregtisë që Shqipëria ka ndërmarrë me nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla edhe me Bashkimin Europian, me vendet e Europës Juglindore (marrëveshja CEFTA), si dhe me Turqinë. Në të parashikohet, liberalizimi i plotë, reciprokisht, të imporit dhe eksportit të produkteve industriale, si dhe import-eksporti i produkteve të përpunuara bujqësore dhe të peshkimit, për të cilat palët kanë rënë dakord për koncensione reciproke të përcaktuara në protokollet dhe anekset përkatëse.
Komisioni ra dakord unanimisht për kalimin e këtij projektligji në seancë plenare Nga ana tjetër, krahas projektligjit Për ratifikimin e konventës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Estonisë për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal në lidhje me tatimin mbi të ardhurat, Komisioni kuvendor për Politikën e Jashtme shqyrtoi edhe projektligjin Për ratifikimin e konventës ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe evazionit fiskal për taksat mbi të ardhurat dhe kapitalin. Anëtarët e Komisionit vlerësuan mjaft pozitivisht këtë konventë, e cila krijon një bazë të plotë ligjore për trajtimin tatimor të invidividëve dhe personave juridikë, shqiptarë dhe gjermanë, të cilët kanë veprimtari biznesi apo të ardhura të tjera që parashikohen në juridiksionin e legjislacioneve tatimore të të dyja shteteve. Komisioni ra unanimisht dakord për kalimin e projektligjit në seancë plenare.



Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›