Dita nis me vrasje dhe viktima
Mëngjesi i sotëm ka nisur me një sërë ngjarjesh të rënda, të cilat kanë sjellë edhe viktima. Në Elbasan është vrarë një 37-vjeçar, në Durrës është gjetur një person i mbytur, ndërsa në Shkodër një invalid ka mbetur i vdekur, duke qenë se shtëpia e tij është përfshirë nga flakët.
Kështu, në Elbasan Almir Cani është qëlluar në afërsi të banesës së tij në orët e vona të mbrëmjes së djeshme dhe ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
Policia ka nisur menjëherë hetimet për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e motiveve të krimit, ndërsa sipas familjarëve, ka qenë një person i panjohur ai që e ka thirrur për të dalë nga shtëpia, ku më pas e ka ekzekutuar.
Në zonën mes Porto Romanos dhe Currilave në breg të detit në Durrës është gjetur kufoma e një mashkulli rreth të 55-ave, që nuk është identifikuar ende.
Në Shkodër ndërkohë ka humbur jetën 75-vjeçari Zija Tahiri, shtëpia e të cilit është përfshirë nga flakët.
Çorovodë, del nga rruga autobuzi, 10 të plagosur
Një autobus me pasagjerë ka dalë nga rruga paraditen e sotme në Çorovodë duke shkaktuar 10 plagosur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në aksin Berat-Çorovodë në fshatin Buziq ku autobuzi i linjës Vendresh-Çorovodë ka dalë nga rruga duke përfunduar në kanal.
Dyshohet se si pasojë e aksidentit janë plagosur 10 persona, të cilët janë dërguar në spitalin e Çorovodës dhe sipas mjekëve gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.