E Diel, 1 Nëntor 2026

Ditari i Skëder Luarasit: Si u likujduam. Debatet që fshehu diktatura

Shkrimtaret kunder shkrimtareve, kujtimet e Skender Luarasit per Konferencen III te Lidhjes se Shkrimtareve, zbardhin pjesen e censuruar te debateve qe çuan ne perjashtimin e tij, Sejfulla Maleshoves dhe Ymer Dishnices. Si u krye ekzekutimi i letersise me urdher te Enver Hoxhes dhe zbatim nga Shefqet Musaraj dhe te tjere personazhe te kohes

Në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSH më datë 7 qershor 1949, Enver Hoxha mbajti diskutimin: “Letërsia jonë të ecë në rrugën e realizmit socialist”. Në këtë mbledhje u ftuan disa nga drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve (Dhimitër Shuteriqi, Shefqet Musaraj, Mark Ndoja) dhe u dëgjua raporti i tyre për problemet që mendonin të ngrinin në Konferencën e Tretë.

Që në fillim të diskutimit E. Hoxha theksoi: “Dëshirojmë të dimë si mendoni ju të zhvillohet Konferenca e Tretë e LSH, në mënyrë që të kemi edhe ne mundësi t’ju ndihmojmë me këshillat tona. Në materialin tuaj ku janë hedhur idetë kryesore të referatit, flitet shumë për shkrimtarët e paraluftës, ndërsa për shkrimtarët e Luftës Nacionalçlirimtare e të pasluftës flitet pak. Në këtë mënyrë shkrimtarët e vjetër eklipsojnë të rinjtë. Ne dëshirojmë që ju të na thoni si keni ardhur në këto rezultate dhe pastaj, siç thashë, t’ju japim dhe ne ndihmën tonë. Sipas pikëpamjes sime, Fishta me satirat e tij nuk pi ujë përpara “Epopesë së Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt. Të mos merremi me diskutime boshe për autorë reaksionarë si Fishta e Koliqi, por të vëmë në dukje vlerat e atyre që shkruajnë për popullin. Me gjithë këto, studimi që ka paraqitur Dhimitër Shuteriqi është i mirë. Kjo është një punë që në asnjë mënyrë nuk duhet të nënvleftësohet. Si kudo, edhe në fushën e letërsisë, ne duhet të qëndrojmë fort në pozitat e partisë. Shkrimtarëve të vjetër ua kemi vënë mirë në dukje si anët pozitive, ashtu edhe të metat, po të keni kujdes që si në referat, edhe në konferencë kjo çështje të mos bëhet problem central. Organizimin që mendoni, bëjeni, pse koha kërkon të keni një drejtim më të shëndoshë. Në punimet e konferencës të keni parasysh të kapeni mirë nga përmbajtja ideologjike e krijimtarisë letrare” (E. Hoxha, vepra 6, f. 188-197). Preokupim i Enver Hoxhës pasqyrohet edhe në shënimet “Këshilla për shkrimtarët e rinj”, qershor 1949 ( Vepra 6, f. 207)

Kujtime të Skënder Luarasit për konferencën

S. Luarasi kujton: “Që kur u ktheva në Shqipëri nga kampet e përqendrimit në Francë, më 13 qershor 1945, dhe gjer në tetor 1949, kur u mbajt Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve, këta katër vjet isha akoma i dobët, që të mos them i sëmurë, porse ndihesha i lumtur, në atdheun tim. Mund të kisha vdekur i gëzuar si në një ëndërr-agoni, por i helmuar prej njerëzve keqdashës, të cilët në marrëdhëniet tona shoqërore, duke mos i njohur fare mirë, i quaja shokë. Gjithë qortimet e fyerjet që më bëheshin i ndieja siç i ndien i sëmuri injeksionet e mjekut, sepse besoja se më bëheshin me dashamirësi nga shokë të Kryesisë së Lidhjes të cilët deklaronin se “ne jemi ushqyer me marksizëm - si foshnja që ushqehet me qumështin e nënës. Marksizmin e kemi ngrënë me lugë të

madhe!” Por me kalimin e kohës u binda se më bëheshin me dashakeqësi dhe këtu nuk ishin vlera materiale që humbisja, por vlera morale. Që në Konferencën e Parë të Lidhjes së Shkrimtarëve (7.10.1946) më patën zgjedhur anëtar të Komitetit, porse në mbledhjet e saj nuk më thërrisnin, veçse kur sekretari i Lidhjes të kishte ndonjë interes të vetin për të kënaqur. Sidoqoftë, në Konferencën e Tretë më ftuan edhe mua, me këmbëngulje, ndonëse isha i sëmurë. Seancën e parë, ku merrnin pjesë të ftuarit e delegacionet e huaja, e hapi Dhimitër Shuteriqi, i cili propozoi presidiumin e lexoi rendin e ditës. Prej komitetit të shoqatës zunë vend në kryesi nënkryetari Shefqet Musaraj, anëtari

Mark Ndoja, vetë sekretari Dhimitër Shuteriqi e të tjerë. Binte në sy mungesa e kryetarit Sejfulla Malëshova. Programi si u zhvillua konferenca. Në revistën “Literatura jonë” përshkruhet programi i zhvillimit të Konferencës së Tretë.

(Jeta kulturore e vendit: Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë nr. 8, tetor 1949, f. 43-46). “Më 9-12 tetor u zhvillua në Tiranë Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve. Seanca e parë u çel në orën 10 të mëngjesit, dt. 9 tetor në sallën e Teatrit Popullor, ndërsa seancat e tjera në sallën e Klubit të Punëtorëve të Artit dhe të Kulturës. Ishin të ftuar sekretari i PPSH Bedri Spahiu, Hysni Kapo, Liri Belishova, Nexhmie Hoxha si dhe shkrimtari i laureuar me çmimin “Stalin”, Arkadi Pervencov etj. Shoku Dh. Shuteriqi, sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve, e hapi mbledhjen dhe propozoi për në presidium shokët: A. Xhuvani, Sh. Musaraj, Dh. Shuteriqi, M. Ndoja, M. Treska, Z. Sako, K. Jakova, S. Spasse, S. Caci. Kryeson shoku Dhimitër Shuteriqi i cili lexoi rendin e ditës: 1 Përshëndetje, 2. Referati, 3. Zgjedhja e Komisioneve, 4. Diskutimet, 5. Statuti, 6. Zgjedhja e Komitetit Drejtues, 7. Rezolucioni.

I jepet fjala Arkadi Pervencevit që përshëndet në emër të shkrimtarëve sovjetikë e më pas e merr fjalën Shefqet Musaraj i cili mban referatin. Në fund të referatit Dhimitër Shuteriqi propozon sekretarët e konferencës: A. Varfi dhe I. Zamputi (Mbyllet seanca e parë në orën 13).

Skënder Luarasi kujton:

Dhimitër Shuteriqi ia dha kryesinë n/kryetarit Shefqet Musaraj, i cili lexoi përpara ndo njëqind anëtarëve raportin e tij të gjatë me akuza rreth “oportunistit” Sejfulla Malëshova. Tani kuptuam përse nuk u duk në presidium edhe kryetari i Lidhjes, atë e patën rrëzuar nga pozita e tij më përpara, pa dijeninë e anëtarëve të Lidhjes. Të gjithë kthyen sytë nga Sejfulla Malëshova të çuditur se si nuk u qe njoftuar ky fakt më përpara.

Më bënë përshtypje mbi të gjitha citimet: “(Shquhen) Pas shpalljes së indipendencës më 1912, Çajupi, Noli, Ndre Mjeda, Sejfulla Malëshova dhe i riu Millosh Gjergj Nikolla, i cili përfaqëson përpjekjen letrare të të rinjve përparimtarë të viteve të fundit të regjimit zogist. Me Gjegj Fishtën e Ernest Koliqin në krye që i ndanin një herë e mirë llogaritë me popullin tonë, që i shkuan tradhtisë gjer në fund duke vënë pa rezerva në shërbim të okupatorëve fashistë gjithë talentin e tyre. Kjo rrymë bëri kë më shumë e kë më pak shumë nga shkrimtarët e njohur e të afirmuar të kohës. Mitrush Kuteli për të mbjellë konfuzion në radhët e letrarëve të luftës shkruante më 1 maj 1944: “Për t’u quajtur shkrimtar ose poet kombëtar nuk duhet medoemos shtizë, dyfek a mitraloz. Mjafton që të shkruash bukur në gjuhën e pastër të kombit, për vepra e ndjenja fisnike. Që në themelimin e saj Lidhja u influencua shumë nga fryma oportuniste e Sejfulla Malëshovës që ishte atëhere ministër i Kulturës dhe u zgjodh në Konferencën e Parë edhe Kryetar i Lidhjes”. Në raport në një anë vlerësohej S. Malëshova në një rang me Çajupin,                   Nolin, Mjedën e Millosh Gjergj Nikollën në anën tjetër dënohej për frymën e tij oportuniste duke qenë kryetar i Lidhjes dhe në të njëjtën kohë ministër i Arsimit. Shkruanin tani kundër Fishtës e Koliqit ata që dikur i thurnin lavde. A nuk kishim të bënim me dublicitete fjalësh e “oportunizëm” Dhimitri Paskon (Mitrush Kuteli) e njihja për patriot e të talentuar e jo siç na paraqitej në raport. Sa mbaroi Sh. Musaraj së lexuari raportin, u ngrit S. Malëshova jashtëzakonisht i nevrikosur dhe kërkoi që t’i jepej fjala për t’iu përgjigjur akuzave: “Mjaft ta kemi dëgjuar zërin tënd prej korbi!”, - i bërtiti Sh. Musaraj. Filloi njëfarë grindjeje si tek çezmat e arave qëmoti në Korçë, midis grash që kërkonin të pranditnin njëra-tjetrën. Kjo m’u duk e pështirë për një mbledhje të lartë intelektualësh, sidomos ajo e folura cinike e dy-tre vetave të komisionit më bëri që të kërkoj fjalën, të cilën kryesia ma dha. Thashë: “Në këtë mbledhje që në fillim u shkel rregulli parlamentar. Duhet të ishte zgjedhur prej të gjithë anëtarëve një kryesonjës i paanshëm. Të gjithë anëtarët e lidhjes kanë të drejtë të marrin fjalën, ca më shumë ish-kryetari. Duam të dimë edhe pikëpamjet e tij.. Jemi demokratë dhe punët duhet t’i zhvillojmë sipas rregullave parlamentare. Këtu jemi mbledhur të kërkojmë llogari prej komitetit të Lidhjes. Që në fillim shohim se kryetari paska qenë shkarkuar përbrenda komisionit, që mbledhjen e çeli sekretari, i cili i dha drejtimin e mbledhjes n/kryetarit, në vend që t’ua linte delegatëve të zgjidhnin një “chairman” dhe pastaj të lexohej e të gjykohej raporti. Të gjithë ne që jemi anëtarë të Lidhjes kemi të drejtë të kërkojmë fjalën dhe të na jepet. Na intereson ta dimë çka të na thotë kryetari i pushuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Në gjyq edhe një krimineli i jepet e drejta të thotë fjalën e fundit”.

Urdhëroi gjeneral Bedri Spahiu: “Seanca mbyllet. Hapet pas dreke “Pas shumë pëshpëritjesh e skërmitjesh më në fund të nesërmen (pasi kaloi një seancë diskutimesh), në seancën e tretë ia dhanë fjalën Sejfulla Malëshovës Si paraqitet vazhdimi i Konferencës Seanca e dytë hapet në orën 16. Kryeson Shefqet Musaraj i cili propozon Zgjedhjen e Komisioneve dhe më pas kalohet në diskutime (Seanca e dytë mbyllet në orën 19) Të nesërmen,10.10.1949, ora 10, hapet seanca e tretë. Kryeson Shefqet Musaraj.

Vazhdojnë diskutimet. Fjala i jepet S. Malëshovës

 (Fjala e Sejfulla Malëshovës botohet e copëtuar dhe e perifrazuar në broshurën “Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve S. Malëshova nuk është dakord me disa pika të referatit të komitetit drejtues të cilën e gjeti skematik dhe artificial… Përgjithësisht ka patur gabime, por nuk ka pasur një oportunizëm në përgjithësi. Pikëpamjet e S. Malëshovës ndonëse të veshura me frazeologji marksiste gjetën disaprovimin e plotë të konferencës... S. Malëshova në diskutimin e tij jo vetëm që përpiqet të mbrojë pikëpamjet e tij likujdatore, por shkon edhe më tej duke goditur referatin, komitetin drejtues, Lidhjen e Shkrimtarëve, dhe vetë vijën e partisë. Këto pikëpamje antimarksiste, antiparti, konferenca, e ndihmuar nga KQ, i dënoi rëndë, duke forcuar kështu Organizatën e Shkrimtarëve dhe për një punë më të madhe dhe më të shëndoshë mbi baza të drejta marksiste-leniniste (f. 44 po aty)

Skënder Luarasi kujton:

Sejfulla Malëshova, alias poeti Lame Kodra, shkruante një shqipe të pastër, të bukur, por e copëzonte. Kur foli ai, disa nga anëtarët e komitetit e ndërprisnin herë pas here, e qeshnin dhe e përqeshnin, u mungonte serioziteti, qenë dehur prej keqdashjes. Ish-kryetari tha se nuk ishte dakord me sa thuhej në raporte kryesisë dhe e mbylli fjalimin duke thënë se çdo vendim, për çdo veprim, e patën marrë së bashku, me miratimin e të gjithëve, dhe po ashtu duhej ta mbanin edhe përgjegjësinë. “Diskutuan të tjerë” (Mbyllet seanca e tretë në orën 12.30). Ndër diskutantët që mbajtën qëndrim të pavarur janë Nonda Bulka e Milto Sotir Gura

Ç’thuhet në raport për Luarasin. Seanca e katërt hapet në dt. 11tetor, ora 9. Pas disa diskutantëve e merr fjalën Skënder Luarasi, i cili diskuton në një mënyrë konfuze duke mbrojtur pa rezerva pikëpamjet oportuniste armike të Sejfulla Malëshovës, pikëpamje të cilat ai i fsheh nën një lloj anarkizmi pseudorevolucionar të përzier me llagomani pa fre.

(f. 45 po aty) (Fjalimi i S. Luarasit nuk jepet.) Në broshurën shkruhet: …I jepet

fjala Skënder Luarasit. Skënder Luarasi kritikoi referatin që ishte i gjatë dhe i cekët, kërkoi nga X të njohë më shumë “luftën e madhe që kanë bërë prindërit tanë për të krijuar lëvizjen tonë kombëtare” dhe u bashkua me mendimin e S. Malëshovës që “të mos u lëmë as kaq armiqve nga ajo që është e jona”. “Kisha për të folur më shumë për këto gjëra, - përfundoi S. Luarasi, - por pasi S. Malëshova i tha të gjitha unë u lehtësova. Tre vjet kanë qenë për ne tre vjet zie… Si s’kemi plasur, si s’kemi vrarë veten. Po kjo konferencë i varrosi të gjitha në të shkuarën, sot e tutje të vështrojmë të vëmë secilin në vendin e merituar”. Pas S. Luarasit e mori fjalën Ymer Dishnica, që siç pritej, jo vetëm i mbajti

ison Sejfulla Malëshovës, por tha edhe ato që s’pati guxim t’i thoshte shoku i tij. Bëhen dhjetë minuta pushim. Seanca hapet përsëri. Kryetari i seancës, Misto Treska, pasi vë në dukje se diskutimet kanë marrë fund, u jep fjalën shokëve të presidiumit të cilët kanë vërejtjet e tyre në lidhje me diskutimet e zhvilluara. Diskutojnë me radhë X, Y, Z. Që të tre me argumente dhe fakte rrëzojnë plotësisht pikëpamjet oportuniste dhe antimarksiste të Sejfulla Malëshovës, Ymer Dishnicës dhe të Skënder Luarasit, duke bërë të qartë për të gjithë inkompetencën e këtyre të treve në fushën e interpretimit të çështjeve tona historiko-letrare’’.

Shkrimtarët kundër shkrimtarëve

Ja çfarë thanë shkrimtarët dhe anëtarët e Lidhjes kundër tre personazheve që më vonë u përjashtuan nga lidhja. Sh. M.: Sefulla Malëshova nuk i shfaq sot këto ide oportuniste. Sot ai mbron vijën e tij të vjetër, vijën e thellë oportuniste që u solli kaq dëme punës sonë letrare… Kaq kisha për Sejfullain. S. Luarasit nuk i paska zënë syri gjë tjetër, veçse zi në punën tonë letrare. Ne dëgjuam këtu kaq vetë që folën gjatë gjithë seancave të ndryshme të konferencës. Asnjë nga shokët nuk e paraqiti situatën të zezë si e paraqiti Luarasi. Ai që shfaqi opinion të ngushtë personal i cili s’ka me vete asnjë nga anëtarët e kësaj konference (S. Luarasi kujton se ndërkaq Sh. M. shtoi: “Kaq ta bësh dhëmbin ne s’të lëmë ty të shkruash për Migjenin - dhe Dh. Sh! “Ashtu de! Mirë ia bëre!” (Sipas shënimeve të Luarasit).

Raporti vazhdon më tej: Ja edhe fjalët e shkrimtarit Dh. Sh.: “Do të them diçka edhe mbi sa foli Skënder Luarasi. Skënder Luarasi ka tre vjet që shikon vetëm zi në vendin tonë, - kështu na tha. Por Skënder Luarasi ka 40 vjet që shikon zi dhe që nuk shikon kurrë dritë të bardhë. Nuk di se çfarë shikonte në kohën e Nolit. Në kohën e Zogut domosdo ka parë zi. Po që sot tre vjet, pse sheh vetëm zi Luarasi? Ky njeri mbeti me kritikën te buza si një varrmihës i vërtetë”. “Luarasi foli këtu për dublicitetin e fjalëve dhe të mendimeve. Po ja që fjala është fjalë dhe s’ka pse të jetë duble po të mos e duam ne. Çfarë deshi të provonte Skënder Luarasi mbi dublicitetin e “fjalëve dhe të fjalive”? Sigurisht të kritikonte, po kritikë tërthorazi. Në fakt, qe ai vetë që na foli këtu me fjalë e fjali duble, që bëri dublicitet. Luarasi tha se gjatë këtyre tre vjetëve ai s’ka pushuar së foluri kundër “padrejtësive” që paska bërë kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve”.

S. Luarasi kujton: Kur mbaroi seanca dhe u nisëm për në shtëpi, asnjëri prej shokëve me të cilët isha takuar në mbledhje, nuk më shoqëroi në shtëpi, përveç Nonda Bulkës. Ky më tha udhës: “Sa i fortë u tregove kur të shanë dhe aspak s’u zemërove, por qeshe!” I thashë: “O sa do të isha zemëruar po të më kishin lavdëruar ata njerushka!” Sharja më e madhe në Konferencën e Tretë m’u bë kur m’u tha se unë qeshë shkrimtar pa parime dhe se në fushën e letrave nuk kisha bërë as aq sa mund të ngrinte një milingonë. Jo që nuk u zemërova nga kjo sharje, por edhe qesha me përbuzje. Këto punë të mia nuk mund t’i dinte sepse ai qëndronte në anën e kundërt të barrikadave si shërbëtor i dy zotërinjve. Veç mësimeve të përditshme, pata përkthyer që nga “Vilhelm Teli” deri tek “Boris Godunovi”, dhjetë vepra të letërsisë botërore, prej të cilave vetëm pesë shpëtuan se qenë botuar më përpara sesa të nisesha për në frontin e Madridit. Nuk paskam bërë as sa mund të ngrejë një milingonë! Vetëm në motin 1949 në kuadrin e aktiviteteve letrare me rastin e përvjetorëve të poetëve Gëte, Shiler, Pushkin, Petëf, Haine. Përktheva përveç poezive minore të Gëtes, si “Kënga e shpirtrave mbi ujë”, “Kënga e Muhamedit”, “Prometeu”, edhe pjesën e parë të “Faustit”. Plot shkrime të tjera nuk m’i botuan. Pas çlirimit, beharin e motit 1948, i dërgova kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, “Migjeni, jeta dhe vepra” që të botohej me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes së poetit. Përse nguli këmbë Y që të mos botohej me emrin tim, por ia dhanë një tjetri që ta redaktonte e botonte?”

Në botimin zyrtar të konferencës shkruhet:

“Pas tyre, i deleguari i KQ i PPSH, pasi kërkoi leje të bëjë disa vërejtje rreth diskutimeve, me një analizë të shpejtë, po të mprehtë prej marksist-leninisti ua hoqi edhe lëvozhgën e fundit që u kishte mbetur Sejfulla Malëshovës, Ymer Dishnicës dhe Skënder Luarasit dhe i nxori në shesh në lakuriqësinë e tyre prej megalomanësh të sëmurë”. Seanca e pestë hapet pasdreke në orën 17 ku u fol për projekt-statutin (Seanca mbyllet në orën 20.30). Seanca e gjashtë hapet të nesërmen datë 12 tetor, ora 16. Kalohet në pikën e pestë të rendit të ditës: Zgjedhja e Komitetit Drejtues dhe e Komisionit të Kontrollit. “Komisioni i zgjedhjeve paraqit listën, e cila, me përjashtim të ndonjë tentative denigrimi të ulët që provoi Skënder Luarasi, pranohen njëzëri dhe me duartrokitje”.

Skënder Luarasi kujton: Në seancën e fundit të Konferencës së Tretë, ku do të bëhej zgjedhja e Komitetit Drejtues, kryesia e mbledhjes me anë të X, propozoi ndër anëtarët e rinj edhe ata tre të vjetrit. Përsëri kërkova fjalën e ma dhanë dhe thashë: “Propozimet duhet të bëhen prej delegatëve dhe jo prej kryesisë së komisionit të vjetër. Në komisionin e ri jam kundër rizgjedhjes së X, Y, Z. Po jap arsyet: (S. Luarasi dha arsyet përse i quante të papërshtatshme kandidaturat e tyre si “oportunistët e vërtetë”).

 Cilët janë oportunistet e vërtetë: “M. N. është modeli tipik i oportunistit. Lexoni artikullin e tij për Patër Fishtën në Destaptur, 1943. Atje ka thënë se populli shqiptar duhet të edukohet edhe njëqind vjet, pastaj të kuptojë sa i madh është Gjergj Fishta. Dhe lexoni artikullin e tij pas çlirimit mbi dom Ndre Mjedën që ta shihni se qysh e poshtëron Fishtën! Në konkursin e Himnit Mbretëror më 1937, marshi me pseudonimin “Duke et detvorum est pro patria mori” është i tij.

Dh. Sh. është tipi i diplomatit që kthen fytyrën nga të fryjë era. Ai flet, punon e shkruan me dublicitete. Në konkursin e Himnit Mbretëror 1937, marshi me pseudonimin “Shpati” është i tij. Këtë marsh Dh. Sh. adhuruesi i Mustafa Krujës, të cilit i dedikon edhe një ekzemplar të “vjershave” të tija me dedikim: “Lëvruesit të madh të gjuhës shqipe, me përunjësi të thellë”. Këtë marsh, them ditën e 28 Nëntorit 1937, shkoi në Grenëbël, në Gjenevë, për ta kënduar në darkën e kryekonsullit të Naltmadhërisë së Tij Zogut të Parë. Të na thotë Dh. Shuteriqi se nën cilin plaf politik ka fjetur… me Mustafa Krujën (të cilit i ka dedikuar këtë libër) me ish-mbretin apo me…”

Unë nuk pata mbaruar fjalinë, kur Dh. Sh. ndërhyri: “Unë vërtet fjeta atë natë në shtëpi të Mustafa Krujës në Gjenevë, por nuk bëra politikë, lojtëm kartra. Ja pyetni edhe M. D.)...” Dh. Shuteriqi nuk e pati mbaruar fjalinë kur Bedri Spahiu i bërtiti: “Mos iu përgjigj!” Dhe mua: “Skënder! Skënder! Mos kritiko, por bëj autokritikë! Dhe kthehu nga udha që ndjek se do të biesh në greminë! Ku ishe ti kur Dh. Sh. luftoi për Shqipërinë?” “Ky, - iu përgjigja, - për Shqipërinë nuk jep as një fije flokësh të tij të brilantosur. Ju duhet ta dini se ku isha unë asaj kohe. Mua të mos më krahasoni me këtë, por me ndonjë oficer shqiptar, i cili qe betuar të mbronte flamurin e Skënderbeut ditën e 7 Prillit…”

“Ç’do të bëje ti atë ditë?”

 “Do të kisha mbetur në Durrës përkrah Mujo Ulqinakut. Sa për autokritikën ç’kërkoni ju prej meje? Apo të them që më vjen keq që nuk u ndodha në Tiranë. Do të kisha fituar para duke përpiluar antologji fashiste tok me Dh. Sh. apo duke ndihmuar koloninë italiane ditën e 6 prillit, ose duke bredhur me Fiatin e regjentit fashist nëpër Labëri që t’i çoja bashkudhëtarët e mi të luftonin krahpërkrah ushtarëve të Musolinit siç bëri Sh. M…”

Kur do të bëheshin votimet, ashtu toptan dhe emrat e X, Y, Z u lanë në listë, unë nuk bërtita. Në fshatrat tanë barinjtë u bërtasin berrave, njerëzit u thërrasin njerëzve. Pas zemërimit më pushtoi mallëngjimi. Kujtova patriotin francez Jean Montin, themeluesin e Këshillit Kombëtar të Republikës, të cilin nazistët e arrestuan dhe e vdiqën me tortura udhës për në Gjermani; po pas çlirimit populli francez e përcolli në Panteon. Është e tmerrshme kur njeriun e zemëruar e pushton mallëngjimi. Kjo ndjenjë më pushtoi mua atë çast kur kujtova nxënësit e mi: Qemal Stafën, Emin Durakun, Vojo Kushin, Ali Demin, Asim Zenelin, Nexhat Agollin, Teufik Çangën, Kristo Isakun, Murat Pacin, Skënder Çaçin, Hajdar Dushin, Elez Brahën, Reshit Çollakun, Pandi Xhamballon, Vildan Luarasin, Stefan Luarasin etj., shokët e mi të Spanjës: Asim Vokshin, Urfi Gollin, Teni Konomin, Musa Fratarin, Kostë Dhimitër Liton, Zef Hotin, Ramiz Varvaricën, Thimio Gogozoton, Xhemal Kadën, sikur të gjithë m’u sulën dhe më thirrën: “Pse hesht, pse hesht?” Dhe unë klitha! Një herë klith njeriu në jetë: kur sheh dritën e diellit për të parën herë, dhe bukurinë e nënës natyrë. Porse kjo është klithmë ngazëllimi. Të dytën herë unë klitha nga zemërimi i thellë e i papërmbajtur: “Kush voton këta të tre, shkel gjakun e dëshmorëve!”

Vazhdimi sipas botimit “Literatura jonë”:

“Këto vërejtje shkaktuan ndërhyrjen e sekretarit të PPSH, i cili edhe një herë tregoi vijën e shëndoshë të partisë dhe demaskoi meskinitetin dhe dobësinë e Skënder Luarasit. Në Komitetin Drejtues u zgjodhën shokët: Sh. Musaraj, Dh. Shuteriqi, M. Ndoja, A. Xhuvani, Z. Sako, M. Treska, A. Çaçi, K. Jakova, S. Spasse, S. Çaçi, F. Gjata. Pastaj u kalua në pikën e gjashtë të rendit të ditës. Sh. M. lexoi rezolucionin. Në orën 20, datë 12 tetor 1949, në mes duartrokitjesh të nxehta u mbyll Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Po atë mbrëmje Lidhja e Shkrimtarëve dha një bufe në hotel “Dajti” ku morën pjesë të gjithë shkrimtarët. Po në këtë kohë Komiteti Drejtues në mbledhje të veçantë procedoi në zgjedhjen e sekretariatit të tij. Kryetar u zgjodh Shefqet Musaraj, nënkryetar Dhimitër Shuteriqi dhe sekretar Mark Ndoja”.

Përfundimi i Konferencës

Në broshurën “Konferenca e Tretë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë” (faqe 1-2) shkruhet: “Partia e Punës i dha të gjithë rëndësinë e duhur kësaj konference, e cila u përgatit dhe u mbajt me ndihmën e saj të plotë. Konferenca e aprovoi thuajse unanimisht raportin e Komitetit Drejtues të Lidhjes, të mbajtur nga shoku Shefqet Musaraj. Në këtë raport u bë kritika dhe autokritika e gjithë punës letrare në vendin tonë që nga organizimi i lidhjes, si dhe në vija të përgjithshme, kritika e gjithë të kaluarës sonë letrare. Sikundër pritej, nuk qe i një mendje me Komitetin Drejtues ish-kryetari i Lidhjes, Sejfulla Malëshova, këmbëngulës në pikëpamjet e tij oportunisto-likuidatore që e kanë dëmtuar aq shumë popullin tonë dhe posaçërisht kulturën tonë, të cilën Sejfulla Malëshova kërkon ta orientojë nga “Perëndimi”. Me pikëpamjet e tij u bashkuan edhe dr. Ymer Dishnica, shok i vjetër i mendimit dhe i veprimit i Malëshovës, si dhe Skënder Luarasi.

Pikëpamjet e këtyre tre personave pësuan disfatën më të madhe para konferencës. Ato u demaskuan në mënyrën më të plotë… Nga ndeshja me pikëpamjet armike të Sejfulla Malëshovës me shokë, shkrimtarët nuk panë vetëm se sa i dëmshëm është oportunizmi në letërsi, po ata panë sheshazi edhe inkompetencën flagrante të Sejfulla Malëshovës, dr. Ymer Dishnicës dhe Skënder Luarasit për të biseduar mbi çështjet e letërsisë në përgjithësi dhe mbi çështjet e letërsisë sonë veçanërisht. Para konferencës, u ra maska e tyre prej njerëzish të vetëquajtur të ditur, këtyre “gogomelëve” të kulturës. Konferenca e njohu injorancën e tyre megalomane dhe të sëmurë”… “Tani këto ferra u spastruan…” Partia mendon për letërsinë dhe për shkrimtarët dhe do t’i udhëheqë kurdoherë me siguri. Përjashtimet. Kryesia e re e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, në mbledhjen e datës 10 qershor 1950, duke analizuar çështjen e anëtarësisë dhe punën për 6-mujorin e parë vendosi: përjashtimin nga radhët e Lidhjes së Shkrimtarëve të anëtarëve: Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica dhe Skënder Luarasi për qëndrimin e tyre armiqësor karshi partisë e vijës së saj në letërsi si dhe karshi Lidhjes së Shkrimtarëve dhe letërsisë së re shqipe të manifestuar në formën më të theksuar në Konferencën e Tretë të Shkrimtarëve. Komiteti Drejtues përjashtoi gjithashtu “për aktivitet antipushtet ose për shkelje të ligjit që përcakton statuti” shkrimtarët Hafëz I. Dalliu, M. Kuteli, A. Frashëri, N. Nikaj. (Revista “Literatura jonë”, viti 1950, nr. 7, f. 69.)

Skënder Luarasi kujton:

“Kjo qe një akuzë shumë e rëndë për mua, por të vërtetën do ta zbulonte koha. Thellë në ndërgjegjen time i bëra vetes pyetjen: “Po ku e gjetën këta laspangjerë të drejtën ta peshojnë dashurinë time për atdhenë, për popullin tim shqiptar, për moralin e drejtësinë, me kandarin e tyre prej batakçiu?” Dhe u përgjërova t’i përçmoj këta që më quanin shok, por prapa kurrizit më hapnin varrin e më merrnin nderin nëpër këmbë!”

S. Luarasi shton: “Ka dy lloj njerëzish: njerëz me nder dhe njerëz pa nder. Natyra u ka dhënë njerëzve jetën, por nderin e krijon njeriu vetë me punën e tij të mirë për familjen, për atdhenë, për njerëzimin. Njeriu i mirë e bën kurban jetën për dobi të atdheut, të mbarë njerëzimit dhe mbron nderin si thesarin më të shtrenjtë që mund të ketë pronjë. Nga rrethi i njerëzve të tillë kanë dalë luftëtarët e botës për të mbrojtur idealet e njerëzimit, prej rrethit të tillë dolën edhe dëshmorët e Luftës Nacionalçlirimtare. Njerëzit pa nder e vrasin shokun e tyre prapa krahëve”.

Fjala e Enver Hoxhës pas konferencës

Një ditë pas mbylljes së Konferencës III, E. Hoxha mbajti fjalën e mbylljes në Plenumin 3-të të KQ të PPSH, 13 tetor 1949: “Të shtojmë vigjilencën revolucionare për të ruajtur fitoret e arritura…” Vepra 6, f. 338-374, viti i bot. 1971)

Enver Hoxha për Skënder Luarasin

Ne veprën e 6-të të Enver Hoxhës, f. 353, e botuar në vitin 1971, shkruhet: “Në konferencën e shkrimtarëve pati edhe ndonjë element si S. L. që bërtiste të lejohej të fliste Sejfulla Malëshova “se te ne ka liri fjale”. Tipa si ky kanë një kuptim borgjez për lirinë e fjalës dhe janë gati në emër të saj të mbrojnë e të kënaqin interesat e tyre të ngushta prej intelektuali të sëmurë e arrivisti pa princip”.

Ky qëndrim a nuk është i një oportunisti?

Kur do të bëheshin votimet, ashtu toptan, dhe emrat e tre laspangjerëve u lanë në listë, unë nuk bërtita. Në fshatrat tanë barinjtë u bërtasin berrave, njerëzit u thërrasin njerëzve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›