“Der Spiegel”, 1982: Tashmë edhe në Shqipëri do të mund të shkohet me tren

Hekurudha e shqiptareve me ne fund pritet t’i bashkengjitet rrjetit evropian – nje plan i moçem ky. Deri me tani, ate gjithnje do ta pengonte diçka. Nje artikull i gjermanes se famshme ne vitin 1982, kur sapo ishte nenshkruar nje marreveshje me ish-Jugosllavine e asaj kohe, rrefen shume fakte interesante per ate çka po ndodhte dhe çka pritej te ndodhte me Shqiperine dhe rajonin
“Shqipëria në mediat perëndimore, 1945-1990” na shfaqet edhe më interesante duke na sjellë jo vetëm reportazhe e artikuj nga “vendi i shqiptarëve” që trajtojnë aspekte politike, por edhe detaje ku ndërthuren thellë politika me ekonominë, kultura me historinë, tradita me turizmin etj.
Hekurudhat shqiptare, tashmë një relikte e vërtetë me referencë nga koha e komunizmit, duket se kanë mbetur në vendnumëro apo më keq akoma, janë jashtë funksionit edhe 20 vite pas ardhjes së demokracisë në vend, duke përbërë sektorin më të pavëmendshëm ndaj investimeve, shtetërore apo private qofshin këto.
Por dikur ato shiheshin me prioritet dhe djersa e të rinjve shqiptarë derdhej çurkë dhe e pashpërblyer në ndërtimin e binarëve, të cilët do të merrnin edhe jetë njerëzish, fenomen i cili si shumë të tjerë do të shfrytëzohej nga Partia për të nxitur impulse heroike.
Kjo është përmbledhja e vetëm dy-tri pasazheve të vogla të nxjerra nga një artikull i “Der Spiegel” në vitin 1982, kur sapo ishte nënshkruar një marrëveshje me ish-Jugosllavinë e asaj kohe, vetëm pak kohë pas vdekjes së Titos dhe shpërthimit të trazirave në Kosovë.
Artikulli mbart vlera të veçanta, sidomos në aspektin politik dhe atë historik, prej të cilit mëson shumëçka për një erë të re (gjithsesi të përmbajtur e në frymën e mosbesimit) bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë, planeve shqiptare, atyre jugosllave, sovjetike e kineze lidhur me të ardhmen e rajonit, si dhe histori deri diku të padëgjuara më parë për “ëndrrën shqiptare” për t’u lidhur me botën nëpërmjet “udhës së hekurt”, e cila merr më shumë kuptim tashmë që shqiptarët janë në prag të udhëtimit pa viza drejt Evropës.
Ndërkohë që deti mbetej e vetmja urë lidhëse me botën, hekurudha kishte filluar të shihej me prioritet nga qeveria komuniste shqiptare dhe e ardhmja e saj dukej se do përbënte edhe çelësin për të shpëtuar në njëfarë mënyre nga një erë e re izolimi absurd, në të cilin ajo kishte futur me ndërgjegje kriminale në atë kohë tre milionë shqiptarët.
Duket se kjo ujdi për të lidhur të dyja vendet me një linjë hekurudhore kishte ngacmuar edhe gazetarët perëndimorë, të cilët madje nuk kishin përtuar të shfletonin arkivat për të zbuluar se kur regjistrohen përpjekjet e para të shqiptarëve në këtë drejtim, duke na dhënë plot detaje interesante që unë mendova se do të duhej medoemos t’i paraqiteshin publikut shqiptar.
Vënia në dukje e fakteve absurde si: “Të gjithë binarët përfundojnë në Portin e Durrësit e asnjëri prej tyre nuk e kalon kufirin shtetëror” apo edhe: “Shqipëria është i vetmi vend në kontinent, të cilin nuk mund ta arrish me tren”, përbëjnë edhe thelbin e kësaj historie, e cila, sipas tyre, tashmë duhej të merrte fund.
Sfondi historik dhe përballja me synimet gllabëruese të fqinjëve duket se përkojnë plotësisht me realitetet e dhimbshme historike të shqiptarëve, të cilët jo gjithmonë për fajin e tyre nuk arrinin dot të përmbushnin këtë objektiv, për të cilin do të gjendej gjithnjë - sipas artikullshkruesit - një sebep për ta braktisur.
Gjithsesi, artikulli në fjalë flet edhe për shumë detaje të tjera, të cilat na japin të kuptojmë shumëçka për situatën e atëhershme, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj:
Më poshtë, artikulli i plotë i revistës gjermane “Der Spiegel” në vitin 1982, shkruar nën titullin “Lokomotivë mbi liqen”.
* * *
Tri linja hekurudhore u desh të ndërtonin të rinjtë shqiptarë qysh prej përfundimit të Luftës së Dytë, të shtrënguar të hidhen në punë të detyrueshme. Viktimat me pasojë vdekjen që ato shkaktuan, Partia i paraqet si heronj për t’u marrë shembull.
300 kilometra shina kanë dalë prej punës së tyre. Të gjithë binarët përfundojnë në Portin e Durrësit e asnjëri prej tyre nuk e kalon kufirin shtetëror: Shqipëria është i vetmi vend në kontinent, të cilin nuk mund ta arrish me tren.
E kjo tashmë duhet të ndryshojë. Pas eksperiencave negative me superfuqitë dikur aleate; BRSS dhe më pas edhe me Kinën e largët, që ndihmoi me financime e kredi të domosdoshme, shteti i izoluar i shqiptarëve po kërkon tashmë një portë drejt Evropës.
Njëra prej linjave të saj hekurudhore shkon deri në Shkodër, duke cekur liqenin e ndarë përgjysmë mes shqiptarëve dhe jugosllavëve, të quajtur “i Shkodrës”. 25 kilometra më tej ndodhet porta e parë hekurudhore që të afron me linjat jugosllave në Mal të Zi. Kjo distancë duhet të afrohet - sipas protokollit të marrëveshjes së nënshkruar në Tiranë mes dy shteteve - deri nga fundi i vitit të ardhshëm.
Më pas, një shqiptar, për të parën herë në historinë e tij - të paktën deri më tani teorikisht - do të mund të udhëtonte mbi binarë deri në Lisbonë, Vladivostok apo deri në Hong Kong, madje, duke ndërruar trenat.
Trenat shqiptarë, ashtu sikurse edhe ata malazezë, ecin mbi sipërfaqe të pjerrëta. Pa dyshim se kjo lidhje e re është menduar që t’i shërbejë më pak këmbimit të njerëzve e më shumë atij të mallrave, për të transportuar minerale nga Shqipëria dhe për të sjellë mallra nga Jugosllavia.
Përveç kësaj nuk është akoma e qartë nëse do të mund të udhëtojë në fillim të vitit 1984 treni i parë nga Shkodra drejt Titogradit: deri më tani, do të bëhej gjithmonë diçka shkak që Shqipëria të mos lidhej me rrjetin hekurudhor panevropian.
Ëndrra për një linjë hekurudhore ndërkombëtare ka qenë ravijëzuar në fakt qysh me lëvizjet e para për pavarësinë e Shqipërisë, rreth 100 vjet më parë. Patrioti Sami Frashëri, i biri i një familjeje feudale, i parashkroi popullit të vet mirëqenie dhe civilizim, nëse ndërtohej një e tillë.
E për këtë të fundit, e interesuar asokohe ishte edhe Perandoria Austro-Hungareze që po hynte thellë në Ballkan. Por kur inxhinierët e Kajzerit ia nisën punës me matjet në terren në zonën e Kosovës, 20 000 fshatarët e irrituar shqiptarë i penguan ata me armë.
Oficerët e rinj turq (xhonturqit) kishin hapur fjalë se Sulltani kishte rënë dakord me Kajzerin në Vjenë që toka e përdorur për hekurudhë të mos kompensohej, pra për fshatarët vendas nuk do të kishte asnjë të ardhur. Xhonturqit donin të ushtronin presion mbi sovranin e tyre: nga frika se kryengritja popullore në Kosovë mund të përhapej në mbarë Perandorinë Osmane, Sulltani u paraqiti rebelëve të tij një kushtetutë që parashihte reforma – duke shënuar kësisoj edhe fitoren e parë të lëvizjes së xhonturqve.
Konsulli austriak në Mitrovicë, ndërkohë, e shihte ndryshe këtë punë: ai ia hidhte fajin – në një letër të dërguar prej tij për ministrin e Jashtëm në Vjenë, Kontin Lexa von Aehrenthal – agjentëve të Serbisë për dështimin e planeve për hekurudhën. Gjashtë vite më vonë nisi – e sigurisht edhe me ndihmën e kontributin e serbëve – ajo që njihet si Lufta e Parë Botërore.
Me një lidhje hekurudhore mes zonës së banuar me shqiptarë të Kosovës dhe Shkupit maqedonas e duke vijuar deri në Selanik, shqiptarët qysh në atë kohë tashmë mund të thuhet se kishin lidhje me botën e jashtme – gjithsesi, me Orientin në fakt: ajo u shërbente turqve si një shembull, për të dërguar në vend ekspedita ndëshkimore për shqiptarët që nuk rrinin urtë.
Në luftë për të poseduar këtë linjë, për herë të parë u ngrit flamuri kuqezi i indipendencës shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Kështu, ëndrra e një hekurudhe u ngjiz me frikën se në këtë mënyrë do të humbej edhe pavarësia.
Kur Shqipëria në vitin 1912 u bë e pavarur, më shumë se gjysma e zonave të banuara me shqiptarë mbeti jashtë shtetit të ri, e para së gjithash ajo e Kosovës, të cilën sot e kësaj dite akoma e mban Serbia – me të vetmen linjë hekurudhore që të shpie në botën e jashtme. Importet drejt vendit të padepërtueshëm të shqiptarëve, e para së gjithash drithi, dhe madje edhe një pinjoll me gjak gjerman, Princi Vilhelm Vid, erdhën nëpërmjet detit.
Fqinji Serbi dëshironte të ndërtonte një hekurudhë që do të kalonte nëpër Veri të vendit – për t’u lidhur kësisoj me pjesën e mbetur të Shqipërisë. Por shqiptarët vlerësuan se ishin italianët ata që kishin të drejtë, ndërsa e pretendonin për vete një gjë të tillë. Në vitin 1925, Kryeministri shqiptar, Ahmet Zogu, i dha kompanisë italiane hekurudhore “Ferrovie dello Stato Italiano” një koncesion. Por kjo e fundit nuk shtroi asnjë metër binarë, por u përqendrua në nxjerrjen e naftës në zonën që iu dha për përdorim.
Italianët ndërtuan rrugë që të çonin drejt Portit të Durrësit, nëpërmjet të cilit Shqipëria zhvillonte edhe tregtinë me jashtë – por gjithsesi e orientuar ekskluzivisht drejt Italisë. Kësisoj, gëlltitja e Shqipërisë nga Italia ishte në rrugë e sipër. Kur Musolini më pas sulmoi Greqinë nga territori shqiptar, porse hasi në një mbrojtje të fortë, ai kishte futur tashmë në meselenë ballkanike edhe Hitlerin, në prill të vitit 1941.
Nga fundi i Luftës, ushtarët gjermanë për shkak të mungesës së hekurudhës, u desh të lëviznin e të tërhiqeshin nëpër malet e Shqipërisë të mbuluara me borë, ku priteshin nga partizanët e Titos.
Njerëzit e Titos, qysh prej këtij momenti, nisën të bënin realitet një ëndërr të vjetër serbe: ata nuk donin vetëm Veriun e Shqipërisë, por të gjithë Shqipërinë, duke e shndërruar atë në një republikë të shtatë jugosllave. Stalini ia kishte rrahur shpatullat duke i siguruar se një linjë hekurudhore jugosllave, nëpër një Shqipëri të lidhur tashmë me Jugosllavinë, do t’i siguronte perandorisë së tij qasje drejt Mesdheut.
Ashtu sikurse italianët, edhe jugosllavët vunë dorë fillimisht mbi pasuritë nëntokësore shqiptare. Sipas shembullit sovjetik, u ndërtuan shoqëri aksionere të përbashkëta shqiptaro-jugosllave, të cilat ishin përshtatur në aspektin juridik me kushtetutat staliniste shqiptare dhe jugosllave, madje ato reflektohen edhe sot e kësaj dite në targat e kamionëve të të dyja shteteve.
Unioni monetar, i cili parashihte zëvendësimin e monedhës shqiptare me dinarin jugosllav, do të pasohej nga unioni doganor. Nako Spiru, shefi i Planit të Shtetit të Shqipërisë në vitin 1947, kreu vetëvrasje, ndërkohë që po ravijëzoheshin qartazi planet e reja ekonomike të përbashkëta. Shefi i Shtabit të Ushtrisë, Mehmet Shehu, u mbajt në arrest shtëpie, pasi ai nuk pranoi t’u bindej urdhrave të Shtabit të Ushtrisë Jugosllave.
E ky binjakëzim i dy shteteve duhej të kurorëzohej me ndërtimin e një hekurudhe që do të lidhte kësisoj Serbinë me Portin e Durrësit. Por zënka e Titos me Stalinin në vitin 1948 i dha fund çdo përpjekjeje për të lidhur Shqipërinë me Jugosllavinë dhe në këtë aspekt edhe ndërtimi i linjës hekurudhore u ndërpre duke e lënë Shqipërinë në një izolim të plotë: Stalini u desh të dërgonte drithë për shqiptarët që po vuanin urie nëpërmjet detit.
Vetëm nga mesi i viteve ‘60, u hapën për Shqipërinë sërish portat drejt rrugëve të Jugosllavisë dhe Beogradi u bë kësisoj edhe partneri tregtar më i rëndësishëm i Tiranës.
Nxënësit e studentët shqiptarë arritën ta zgjasnin linjën e tyre hekurudhore deri pak afër kufirit, ndërsa qeveria e tyre bleu disa lokomotiva: ato duhej të ngarkonin dhe shkarkonin mallra në portin jugosllav të Rijekës, në mënyrë që të transportoheshin drejt Shqipërisë me rrugë ujore.
Kinezët, të cilët zëvendësuan praninë e sovjetikëve në Shqipëri, e këshilluan shefin e shtetit shqiptar, Enver Hoxha, të përmirësonte marrëdhëniet me Jugosllavinë, madje të shkonin deri në një union ushtarak ndërballkanik, i cili duhej të përfshinte edhe Rumaninë dhe në të cilin duhej të ishte Jugosllavia, ajo që do të kishte rolin udhëheqës – me një linjë hekurudhore si aks lidhës mes tyre. Shqipëria duhej të tërhiqej pas kësaj nga armatimi i saj i rëndë.
Hoxha e refuzoi këtë ide dhe ua hoqi më pas të drejtën kinezëve - tashmë i gjendur në vështirësi për të siguruar devizë të huaj - të fusnin më hundët në çështjet që kishin të bënin me pavarësinë e Shqipërisë.
Shtrirja e binarëve u ndërpre, ndërkohë që Beogradi kishte realizuar një linjë tjetër hekurudhore: ajo lidh Beogradin me portin malazez të Adriatikut, Barin (Tivarin, shënimi im) në një afërsi të drejtpërdrejtë me kufirin shqiptar, për t’i dhënë kështu akses në komunikacion, një uzine prestigjioze metalurgjie që gjendet në një zonë malore.
Kjo linjë ishte deri më tani plotësisht jorentabël, derisa Juri Brezhnjev, zëvendësministri i Tregtisë me Jashtë nga Moska dhe djali i udhëheqësit të partisë sovjetike, ofroi që nëpërmjet një linje të tillë hekurudhore të transportoheshin mallrat nga Blloku Lindor, të cilat do të kalonin kësisoj kryq e tërthor Serbisë.
Qysh prej asaj kohe po ngrihet një linjë (pjesërisht e elektrifikuar) lidhëse nga BRSS që kalon nga Hungaria e që shkon deri në Adriatik. Në portin jugosllav të Barit po shfaqen gjithnjë e më shumë anije luftarake sovjetike, madje kryejnë edhe riparime.
Sigurisht se një vit pas vdekjes së Titos në krahinën e Kosovës, të banuar me shqiptarë, pati trazira, për të cilat Beogradi bëri përgjegjëse Shqipërinë. Por jo në të gjithë Jugosllavinë ndajnë pikëpamjen se ka qenë një hap i drejtë, ta çojnë Shqipërinë sërish drejt izolimit, duke e shtyrë sërish nën sqetullën e sovjetikëve, për të cilën revista beogradase “Nin” ka gjetur madje edhe shenjat e para se mund të ndodhë: në rreshtat e saj has në këto fjalë “mbrojtje nga izolimi”. Platforma mediatike në fjalë dha tre shembuj me këtë rast, duke kujtuar se “udhëheqësi shqiptar e zgjedh partnerin që duhet t’i bëjë shoqëri, sipas nevojës”:
1. Shqipëria, e cila para 20 vjetësh doli nga Këshilli i Ndihmës Ekonomike Reciproke (KNER), gëzon akoma përfitimet që vijnë nga të gjitha marrëveshjet e lidhura dikur me të: ato monetare dhe ato doganore, të cilat në fakt janë paraparë vetëm për anëtarët e saj të plotë.
2. Shqipëria njeh akoma zyrtarisht vlefshmërinë e marrëveshjes për bashkëpunimin dhe ndihmën reciproke me Bullgarinë.
3. Ndër miqtë e paktë të huaj që u ftuan në Kongresin e Partisë së Punës së Shqipërisë, përfaqësuesi i PK të Vietnamit, i cili me këtë rast përfaqësoi edhe të vetmen parti komuniste në pushtet në botë që përshëndeti PPSH-në, gëzoi një trajtim të veçantë. Tirana i njeh, sigurisht, shumë mirë marrëdhëniet shumë të ngushta mes Vietnamit dhe Bashkimit Sovjetik.
Komunisti i moçëm kroat, Bakariç, bëri thirrje duke u nisur nga këto sinjale, ndryshe nga ç’bëri udhëheqja partiake në Serbi, për një “ndërtim urash” me shqiptarët. E kështu që, pas kësaj, erdhi edhe nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje për hekurudhat.
Në krahinën e Kosovës, shqiptarët e shtypur po luftojnë ndërkohë akoma kundër serbëve – dhe hekurudhës jugosllave në vend: kryengritësit demontuan pajisjet siguruese dhe sulmuan sërish trenin e natës, që shkonte drejt Shkupit, me gurë. Makinistët e shokuar të trenave u desh të dërgoheshin në spital për t’u kuruar.
Marrë nga “Der Spiegel”, 26.4.1982