E Diel, 1 Nëntor 2026

Të gjitha misteret e krijimit të universit

Miliarda vite me pare, ne nje pike te panjohur te hiçit zanafillor, shpertheu procesi evolutiv qe ka arritur deri ne ditet tona. Por Toka fsheh prej ngahera shume sekrete

Qysh nga origjinat e tij të largëta, njeriu nuk u mjaftua me të jetuarit, por ndjeu nevojën që të kthehej për të bërë pjesë në projektin e pafundmë, prej të cilit ishte i bindur se e kishin dëbuar. Po përse kaq siguri? Në të gjitha kulturat që kanë gjalluar në këtë planet, ekziston ideja e një atdheu të largët, e një parajse tokësore, në të cilën njeriu ishte gjithçka, e gjithçka lëvrinte në të. 

Nuk kishte nevojë të dëshironte asgjë, e prapë kërkonte më shumë, e guxoi t'i afrohej së vërtetës, dijës, frutit të ndaluar. Qe ai çasti kur Zoti ndëshkoi etjen për ambicie të njeriut dhe e dënoi atë me një jetë mundimesh dhe vuajtjesh, në një botë të egër e të panjohur. Ç’është njeriu? Çfarë fshihet në 95% të trurit të tij, funksionet e të cilit mbeten ende të fshehta?
Nga Big Bengu deri më sot, ende shtrohet pyetja: Nga e si u krijua njeriu?
A jo që na çudit me njeriun e lashtë, por që ende lëngon brenda secilit prej nesh, është aftësia e jashtëzakonshme për të jetuar në simbiozë me kozmosin, duke i njohur plotësisht shqisat e tij e duke ditur t'i kontrollonte e t'i orientonte kah e në mes të pafundësisë. Rreth kësaj aftësie të jashtëzakonshme, njeriu i zakonshëm nuk di se si të përfitojë më, i mësuar siç është për të derdhur në teknologji funksionet natyrale të shqisave të tij, duke harruar kësisoj rëndshëm përmasën e tij shpirtërore.
Në origjinën e dijës e të kulturës së çdo etnie njerëzore, ka një element që vjen para elementëve alkimikë apo themelorë, uji, toka, ajri, zjarri, hapësira: është tingulli.
Gjoni, në prologun e Ungjillit sipas atij vetë, thotë: "Në fillim ishte Ai që është Fjala". Ai ishte me Zotin; Ai ishte Zot. Ai ishte në fillim me Zotin. Përmes tij Zoti ka krijuar gjithçka?

Zanafilla thotë: “Zoti tha: bëhu, e u bë”.

Në themel të filozofisë më të lashtë greke ishte marrëdhënia mendim-fjalë-realitet. Por filozofia greke ka marrë nga ajo e Egjiptit.
E në fakt, zanafilla egjiptiane e Menfit thotë: “Ptah, i madhi, është zemra (truri) dhe gjuha (fjala) e Enneade-s së zotave, ai krijoi zotat, lindi në zemër dhe lindi në gjuhë diçka në formën e Atum”. Tashti, Atum është krijuesi, por kuptohet se ai është i krijuar, falë zemrës (fronit të mendimit, sipas egjiptianëve) e falë zërit (gjuhës).
Edhe egjiptianët kanë marrë nga filozofia e Lindjes së Afërme, e kështu me radhë, derisa arrijmë atje ku adresohet filozofia më e lashtë: India. Brahma është Gjithçkaja, është Zot, shpirt universal.

Në themelin e zanafillës Indu, e kotë ta themi, është tingulli.

Tingulli i heshtur i Spiritualitetit. Kushdo që ka njohje rreth doktrinave shpirtërore indiane, do të ketë dëgjuar për Mantra-n. Është një disiplinë meditative e cila nëpërmjet shqiptimit zëulët të rrokjeve të shenjta sanskrite, mundëson të dërguarit - për ta thënë me terma profanë - në ‘rikumbim’ të mendjes, e cila është armikja më e betuar e Atmanit, Unit, shpirtit individual që duhet të realizohet për t'u kthyer e bërë pjesë në Gjithçkanë.
Mendja prihet ta largojë individin nga pafundësia, duke i dhënë iluzionin e të qenit i vetëmjaftueshëm dhe duke e shtyrë kah egoizmi. Vetëm duke arritur të asgjësosh e të kontrollosh mendjen, Atman ngjitet në perceptimin më të lartë prej ku ndihet përkatësia në Gjithçkanë që është Shpirt hyjnor.
Ajo që njeriu ka harruar përgjatë udhëtimit të tij të pasigurt historik, është pikërisht fakti i të qenit njeri, një zot i rrëzuar që ëndërron të vezullojë prej dritës hyjnore.

Njeriu si masë e krijimit

Çfarë lidhjesh mund të gërshetohen mes gjeometrisë dhe krijimit? Fraza mitike si, “Në fillim ishte fjala”, ose aksioma të pazbërthyeshme si “Gjeometria është muzikë e ngrirë” (Goethe) ose akoma më mirë e edhe më përpara “Gjeometria është muzikë e ngurtësuar” (Pitagora), në dukje nuk mund të lidhen. Krahasimi mbetet thuajse një paradoks, duke pasur parasysh ngjyrimet e ndryshme të këtyre mesazheve. Nëse mes gjithë krijimit njeriu rezulton të jetë produkti më i arrirë i bëmave hyjnore (duke ditur se është krijuar si imazh a ngjashmëri), çfarë roli luan Gjeometria në krijim apo mos ndoshta mund të jetë vetë njeriu hallka e lidhjes?
Është shumë tërheqëse të dihet se shumë prej njerëzve të mëdhenj të së shkuarës e kanë ndërmarrë këtë rrugë kah mendimi fillimor, pra kah Thelbi, nëpërmjet të cilit mund të lidhet gjithçka, ku gjithçka mund të bashkohet në një sinkretizëm idealist, diktuar nga i vetmi synim për të zbuluar të vërteta të mëdha që e mundojnë njeriun në kërkimin e dëshpëruar të realitetit të tij autentik. Qëllimi për të kuptuar të vërtetën, është diçka që mund të arrihet vetëm nëpërmjet sintezës.
Sepse, sintezat janë në të vërtetë konstruksione të shenjta të të gjitha kohërave e të çdo vendi ku vepron Krishterimi si katedralet e mëdha apo kulturat dukshmërisht të ndryshme prej tonës, si ato parakolombiane, indu, egjiptiane, greke etj.?
Vendet ishin të ndryshme, kohërat të ndryshme, por qëllimi, pra rezultati i harmonisë, ka qenë gjithmonë i pandryshueshëm; sepse figura njerëzore, që në njëfarë periudhe të historisë është sintetizuar me urti nga Leonardo da Vinci (i cili ndjek me përsosmëri të dhënat e Vitruvios), nuk shprehin tjetër veç se konceptin se Njeriu është masa që duhet ndjekur për të shqyrtuar në trajtë të zvogëluar Krijimin Hyjnor, e për rrjedhojë edhe imazhin e Zotit.
Rezultati është Njeriu Vitruvian, i cili përfaqëson Mikrokozmosin që ndryshon sipas Makrokozmosit. Një konkluzion më i denjë na ofrohet nga Johan Kepler, i cili, në një nga traktatet e tij më të famshme, “Harmonices Mundi”, shkruan: “Gjeometria i paraprin krijimit të gjërave, të përjetshme si Shpirti i Zotit, madje, gjeometria është vetë Zoti dhe na ka ofruar arketipat për krijimin e botës”.
Enrico Galimberti, “Big Bengu” në mitet egjiptiane të krijimit
Mes miteve egjiptiane të krijimit, ka ngjallur shumë interes ai “i përpunuar” në Hermopoli. Qyteti quhet sot El-Ashmuneim, që në egjiptiançen e lashtë është Khmun, numri tetë, që i korrespondon hyjnisë së Ogdoad, ekzistenca e të cilit i paraprin hyjnisë Ra. Në lashtësi, qyteti qe qendra e kultit Thot, zotit të urtësisë e mbrojtësit të skribëve, që është Hermesi për grekët.
Në epokën greko-romake Thot adhurohej si Hermet Trismegjisti, pra, tri herë i madhi, dhe atij i atribuohej i ashtuquajturi Trup Hermetik, pra një bashkësi shkrimesh me interpretim të errët dhe me karakter mistik. Miti hermopolit nuk shmanget shumë nga ai heliopolitan dhe pse në ca veçanësi trazuese.
Kumti i teorisë së Big Bengut na duket më se i justifikuar, ndonëse nuk e pranojmë një liri të tillë për të arnuar në rrobat e hipotezave tona një teori shkencore. Gjithsesi, nëse egjiptianët do të kishin dashur të na e hiqnin çdo dyshim mbi faktin se kishin përpunuar një teori shkencore-religjioze (kujtojmë se në ato kohëra të gjitha shkencat ishin të shenjta) të ngjashme me Bib Bengun tonë, miti do të thoshte pak a shumë kështu: “Dhe forcat që ushtroheshin mbi lëndën hyjnore zanafillore u shkrinë mes tyre e i dhanë jetë një shpërthimi të papërshkrueshëm e me një fuqi të padëgjuar, prej të cilit shpirti krijues hyjnor u zhburgos e i dha rrugë krijimit të të gjitha gjërave, të qiejve e të tokës”.
Në Egjipt, ashtu siç po dëshmon edhe vetë arkeologjia me zbulimet e veta, janë varrosur tradita mistike-religjioze që tashmë është moralisht dhe shkencërisht e padrejtë të trajtohen si frut i një populli që sipas oligarkisë ortodokse arkeologjike, fill i sapodalë nga barbaria prehistorike, qe në gjendje t'i lartësonte zotit të qiellit madhështinë e piramidave, mrekulli të njerëzimit të frymëzuar në mënyrë hyjnore.

Teori dhe hipoteza për jetën në univers

Qysh në agimet e qytetërimit, njeriu është shtyrë përherë nga kureshtja për të ditur nëse ekziston jeta në planetë të tjerë të universit e mbi të gjitha a ekzistonin krijesa inteligjente. Përgjatë shekujve shumë filozofë, teologë e shkencëtarë janë përballur me këtë problem duke sjellë argumente pro dhe kundër ekzistencës së jashtëtokësorëve. 

Mbështetësi i parë i idesë së pluralizmit të botëve ishte filozofi grek Anaksimandri i Miletit, që jetoi në shek. VI para Krishtit. Sipas këtij mendimtari, burimi i gjitha gjërave të njohura ishte një Element i Papërcaktuar e prandaj mund të ekzistonin njëkohshëm shumë botë të tjera, të ndryshme mes tyre.
Edhe Epikuri (341-270 para Krishtit) pohonte se ekzistonin botëra të pafundme të banuara, tek të cilat gjithçka është e përbërë nga një llojshmëri e pafundme atomesh që shkëputen nga Pafundësia për t'iu nënshtruar aty për aty një rregulli të përkohshëm. Atome të tilla mund të kalojnë edhe prej një botë në tjetrën, duke gjeneruar qenie shumë të ndryshme herë mbas here. Tezat e Epikurit qenë mbështetur në botën romake nga Lukreci (shek. I para Krishtit).
Në përgjithësi mendimi filozofik perëndimor e mohoi tezën e pluralizmit të botëve dhe çështjen e jetës jashtëtokësore. Pak mendimtarë (mes të cilëve citojmë Xhordano Brunon dhe Spinozën) u radhitën në favor të ekzistencës së jetës në botëra të tjera.
Bazat e para shkencore që mbështetën idenë e jetës në planetë të tjerë u hodhën në shek. XVII, në vijim të vëzhgimeve dhe arritjeve të Nikolla Kopernikut (1473-1543) dhe Galileo Galileit (1564-1642). Mërkuri, Jupiteri, Afërdita, Marsi e Saturni dukeshin aq qartë si planetë, ndërsa mbi hënë niseshin të vëreheshin male dhe kratere. Në veçanti ai që zgjoi më shumë interes ishte planeti Mars, në sipërfaqen e të cilit mund të vëzhgoheshin hapësira të ngjashme me detet dhe kontinentet, re, shtrëngata.
Duke u nisur nga këto vëzhgime, lindi ideja që planeti mund të ishte banuar prej krijesash inteligjente. Mandej vijmë në kohët tona, kur vëzhgimi i planetëve është bërë më i saktë dhe më i përkryer, falë përdorimit të teleskopëve gjithnjë e më të fuqishëm, radioteleskopëve dhe dërgimit të sondave në hapësirë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›