E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditë festash në Tiranë dhe një krahasim

"Si janë festat në Amerikë" më pyeti rastësisht dikush. Nuk ndenja dot pa e pyetur veten se përse fryma e festive të fundvitit duket kaq e ndryshme në Shqipëri nga në Amerikë. Mbase ndryshimi është kaq i madh sepse atje, matanë Atlantikut, janë stërvitur tashmë prej shumë e shumë dhjetëvjeçarësh në krijimin e kësaj fryme. Për shembull, në zonën e Çikagos ka një stacion radioje i cili çdo vit, duke filluar nga 1 Nëntori, transmeton vetëm muzikë festash për Krishtlindjet dhe fundin e vitit. Mbase ndodh sepse duke filluar po që nga 1 Nëntori, dyqanet fillojnë e nxjerrin mallrat e festave; ëmbëlsira, dhurata, veshje etj., etj. Sepse shtëpitë fillojnë e i zbukurojnë me drita e disa prej tyre mbulohen me mijëra të këtilla e sepse edhe lajmet në gazeta dhe TV përpiqen ta paraqesin këtë frymë e të nxjerrin në pah diçka më të gëzuar, në krahasim me pjesën tjetër të vitit. E në fund s'mungojnë edhe festivalet e paradat lokale, që shndërrohen në një garë midis zonave se kush e kush të tërheqë sa më shumë vizitorë. I gjithi ky "koncert" është i komercializuar në maksimum, por, megjithatë, ngjall tek banorët një ndjenjë se është një kohë e veçantë e vitit, një kohë e ndryshme, më e mirë, më e kënaqshme. Në Tiranë kjo frymë s'ndjehet, të paktën akoma jo.
Janë vendosur shumë drita në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", por duken të varfra, ca rreshta s'ndizen e ngjajnë ndonjëherë si dhëmbë të thyer. Është ngritur një bredh në qendër, që është mjaft i këndshëm, është ngritur gjithashtu një bredh tek Kryeministria ku kanë "harruar" të vendosin ndonjë dritë të kuqe e kanë përdorur vetëm drita blu…… Janë vendosur ca gjysmë-yje mbi Bulevardin "Zog I-rë". Kulla e ETC-së është veshur me drita e ngjan bukur, por Piramida është relativisht e zhveshur, me vetëm disa fije me drita nga kreu në fund. Ballina e Universitetit UFO dhe hyrja e Kullave Binjake janë të këndshme, por dritat e tyre duken sikur stonojnë në errësirën e përgjithshme të Tiranës. Ka disa ballkone, pak syresh, që janë stolisur me drita shumëngjyrëshe, një përpjekje për t'i zbukuruar pak këto kube të mëdha betoni kaq të ngjashme me njëra-tjetrën, që edhe nata e ka të vështirë t'i bëjë të bukura. Muzikë të ndryshme nga gjithë stinët e tjera s'ka. Televizionet e shtypi s'ndihmojnë fare, lajmet janë të mbushura me halle, me probleme. Politika buçet si gjithnjë; njëra palë thotë që po i bëjmë dhuratë pensionistëve për fundvitin një shumë X, pala tjetër thotë që ja morët me të padrejtë me taksa më të larta, e ndërkohë gazetat kanë hapur temën e përvitshme të rritjes së çmimeve. Sherr e shamata.
Po, fundja, përse nevojitet kjo frymë edhe në Tiranë? Punë e madhe se ekziston jashtë vendit! Nuk mund të them se jam sociolog e se e kam studiuar me hollësi çështjen, por besoj se është lehtësisht e pranueshme që njerëzit kanë nevojë të kenë një kohë të vitit pak më ndryshe nga të tjerat. Është mirë kur ka një ndjenjë feste, gëzimi e shprese në ajër. Si arrihet kjo s'e di; mbase na duhen edhe neve ca dhjetëvjeçarë të tjerë përvojë, ca komercializim më tepër, ca pushim nga politika. Njerëzit zbuten në këto ditë, bëhen më të dashur, më të gjindshëm për njëri-tjetrin e jeta bëhet pak më e ëmbël. Gjithsesi, Gëzuar Festat të gjithëve!
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›