E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Gramsh, po na e bëjnë lulishten, pallate

Besova shumë në lëvizjen që u bë me sloganin "Koha për ndryshim" në 2005. Besova dhe u përpoqa shume që të bëja dhe bashkëqytetarët e mi të besonin e të shpresonin. Dhe realisht lindi një farë shprese dhe u duk një farë trembje e tulatje tek abuzuesit pushtetarë. Por këto xixëllonja shprese u fikën shumë shpejt.
Nga qendra në bazë të pushtetshmit shtetaxhinj u bënë thjeshtë lekaxhinj dhe të babëzitur. Kush denoncoi dhe e kapi seriozisht betejën antikorrupsion u viktimizua, u bë i padëshirueshëm.
Në qendër të qytetit, në lulishten para ish-Atelies,ka mjete të rënda gërmuese dhe transportuese, duke krijuar një situatë që ngjason me Kabulin. Pa asnjë lloj njoftimi, pa asnjëfarë transparence. Dëgjojmë të flitet lartë e poshtë se po ndërtohen 2 pallate 8-katësh. Nuk kursyen as shkallët e objektit ekzistues me një gjatësi rreth 60 m paralel, me lulishten e certifikuar si e tillë në të gjitha zyrat e shtetit. Dëmtimi i shkallëve dhe makinave të parkuara para tyre si gjithnjë, ka shkaktuar konflikt mes qytetarëve pronarë dhe ndërtuesve. Bashkia hesht. Asnjë lloj informimi, edhe pse e ka për detyrë ligjore t'u përgjigjet kërkesave me shkrim. Njëri prej ndërtuesve, është vetë anëtar i KRRT. E shoqja e ndërtuesit tjetër, është n/kryetarja e PD së rrethit. Pra, ku ka konflikt dhe shkelje ligjore është vetë shteti, ata që marrin votën e qytetarëve dhe paguhen nga taksat tona. Në godinën e ish-Atelies, punojnë dhe zhvillojnë aktivitet 16 pronarë, të bërë nga AKP që në vitin 1993 sipas rregullave të ankandit të zhvilluar për shitje. Secili prej tyre ka në dokumentet e ankandit midis shkresave, edhe planimetrinë e lulishtes të emërtuar "Lulishte para Atelies". Dhe më pas, në të gjitha investimet e bëra, ekziston gjithnjë si Lulishte. Edhe në dosjen e Ndërmarrjes private të Pastrim Gjelbërimit po e njëjta emërtesë dhe Bashkia paguan për këtë qëllim. Gjithçka flet qartë. Është e shkruar e bardha mbi të zezë. Të gjithë e kuptojnë se është një zaptim i hapësirave të gjelbra dhe mallkojnë me gulç e dënesë. Vetëm Kryetari i Bashkisë dhe zyrtarët përgjegjës nuk duan të lexojnë, nuk duan të shikojnë. Gjithë ligjet në vijimësi, marrin në mbrojtje lulishtet. Edhe "Ligji për Urbanistikën" (neni 62) në mënyrë taksative ndalon ndërtimet në këto hapësira. Në këto kohë të kaosit dhe të absurdit shqiptar mund të ndërtohet edhe pa leje, por të merret leje në kundërshtim flagrant me ligjin, këtë nuk e kuptojmë.
Kjo rrokopujë, që ngjason me kohën e Luterit, duket se ndodh rastësisht, por në thelb është tjetër gjë. Situata "Ha Muço, pi Muço" do vazhdojë të jetë refreni i këngës bajate të pushtetarëve?
Përgjigja e Kryetarit të Bashkisë:
"Pas marrjes së kësaj letre akuzuese, kontaktuam Kreun e Bashkisë së Gramshit, i cili hedh poshtë të gjitha pretendimet e qytetarit Astrit Kosturi, lidhur me akuzën se sheshi ku aktualisht po ndërtohet është lulishte. Ai shprehet se ky shesh ishte vendi ku z.Kosturi parkonte automjetet për biznesin e tij. Këtij trualli i ka dalë pronari dhe ky pronar ka kërkuar, në bazë të të gjitha rregullave, leje ndërtimi pranë KRRT. KRRT ia ka miratuar dhe nuk do të guxonte në rast se në këtë territor, në bazë të Planit Urbanistik,do të ishte një lulishte".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›