Ditë kompozitorësh
27 janari, një ditë lindjesh e vdekjesh kompozitorësh të mëdhenj. Pikërisht në 27 janar të vitit 1756, lindi në Salzbourg kompozitori austriak Volfgang Amadeus Moxart. Ai është një ndër mjeshtrit më të mëdhenj të operas. Moxart është autor i operave "Martesa e Figaros" në vitin 1786, "Don Giovani" në vitin 1787, "Cosi Fan Tutte" në 1790 si dhe autor simfonish, sonetave dhe koncerteve për piano, vepra me muzikë fetare dhe muzikë dhome. Dy vjet më parë, u kujtua edhe në Tiranë 250 -vjetori i lindjes së Moxartit, madje, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit e shpalli këtë vit si “Viti i Moxartit”. Krahas koncerteve me krijimtari nga kompozitori i madh, u vu në skenë edhe opera “Cosi fan tutte”. E ndërsa 252 vjet më parë lindte një yll, një tjetër do të shuhej në Itali, 107 vjet më parë. Në 27 janar të vitit 1901 vdiq Giuseppe Verdi, kompozitor i madh i operas italiane të shekullit të 19-të. Midis operave të tij janë "Rigoletto", "Traviata" dhe "Aida". Kjo e fundit u ngjit për herë të parë në skenën e operës shqiptare gjatë kalendarit artistik të vitit 2007. Edhe pse pjesë të saj janë interpretuar nga këngëtarë shqiptarë dhe vepra nuk është e panjohur tërësisht për publikun shqiptar, ëndrra e shumë këngëtarëve lirikë u bë e mundur në korrik të vitit që shkoi. Një punë gjigante, që i shtoi repertorit të operës një tjetër vepër të madhe. Ndërsa “La Traviata” është një nga operat më të vëna në të gjitha skenat botërore, mes të cilave edhe ajo shqiptare. Historia e kurtizanes, që braktis sallonet për dashurinë, është interpretuar dhe vënë në skenë në forma nga më të ndryshmet. Që nga ato klasiket, tek ato moderne, pa shandanë e fustanë të fryrë me zhuponë. Por duket që edhe vetë Verdi ka qenë i lidhur shpirtërisht me këtë vepër, të cilën ia ka kushtuar gruas, së tij Giuseppines, jeta e së cilës i ngjante asaj të një kurtizaneje.