Ditë të mira për kinematografinë

Kinematografia e Kosovës pritet të shohë ditë më të mira. Brenda pak ditësh, udhëheqësit e Qendrës Kinematografike të Kosovës do të marrin vesh nëse janë pranuar në ‘European Film Promotion’ ku kanë aplikuar për anëtarësim gjatë kohës sa po qëndronin në Festivalin e Filmit në Cannes. Hapja e pavijonit të QKK-së në Cannes, ku Kosova u prezantua aty si shtet përkrah pothuajse gjitha shteteve të botës, duket se ka qenë e frytshme.
Fatos Berisha, drejtor i QKK-së, dukej i entuziazmuar pas kthimit nga Franca. Ai deklaroi për Express se Qendra Kinematografike e Kosovës e ka hapur pavijonin duke e promovuar qendrën, filmat e vet, industrinë e filmit, shtëpitë filmike të Kosovës, por edhe vet shtetin si partner i mundshëm për koproduksione dhe si lokacion i volitshëm dhe i mirë i xhirimeve për filma të jashtëm. Nga xhirimet e tilla, sipas tij, përveç industrisë kinematografike përfitime do të kishte edhe ekonomia e Kosovës. ai shtoi se sukseset duhet të priten.
“Gjerat konkrete do të pasojnë dhe përfitimet konkrete do t’i shohim në një të ardhme shumë të afërt. Ajo që mund të them është se përveç krijimit të kontakteve të reja, përveç prezencës sonë dhe trajtimit të barabartë të QKK-së gjegjësisht Kosovës me vendet tjera, ne kemi aplikuar në ‘European Film Promotion’, që është organizatë unike dhe më e madhja europiane, ku marrin pjesë 33 shtete europiane. Ne kemi kandiduar aty si qendër dhe unë kam pasur prezantimin para asamblesë gjenerale dhe shumë shpejt presim lajme të mira. Besoj brenda javës do të na kthehet përgjigjja për ose kundër anëtarësimit”, tha ai, duke shtuar se është optimist se do të marrin një përgjigje pozitive.
Berisha tregoi se kanë pasur shumë pengesa që lidhen edhe me politikën.
“Kemi pasur pengesa nga disa shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, të cilat kanë tentuar në një mënyrë ta pengojnë hyrjen tonë aty. Ka qenë rreziku që fare të mos futet në agjendë ajo. Por ia arritëm që ta prezantojmë kandidaturën tonë që të futet në agjendë dhe tani për atë kandidaturë do të marrin vendim”, shtoi ai, duke theksuar se përfitimet konkrete do të jenë për industrinë e filmit dhe për aktorët e Kosovës.
“Ne do ta kemi mundësinë që t’i kandidojmë aktorët tanë për ‘Shooting Stars’, që është një program shumë i mirë ku përzgjidhen dhjetë aktorë të rinj europianë, pastaj në Berlinale e marrin atë shpërblim dhe për një vit promovohen dhe u gjenden agjentë europianë dhe karrierat e tyre ndryshojnë drastikisht”, tha ai.
Përfitime do të kenë edhe producentët e Kosovës, pasi që do të kenë mundësinë të aplikojnë në programin ‘Producers on the Move’, që është një program njëvjeçar, ku për producentët e Kosovës do të ketë trajnime, duke filluar prej Cannes e deri në Toronto. Pastaj është programi i zhvillimit i regjisorëve, që quhet ‘Ten Upcoming Directors’ që mbahet në Karlovy Vary dhe që është po ashtu një program njëvjeçar i promovimit të punës së atyre regjisorëve dhe trajnimeve.
“Ajo që është më e rëndësishmja është se me futjen e Kosovës në këtë organizatë do të përfitonte shumë sepse filmat e Kosovës do të promovohen si filma europianë në tregjet e Azisë dhe Amerikës. Kjo është një punë konkrete që e kemi bërë ne gjatë festivalit të Cannes”, tha Berisha. Ai tregoi se kanë pasur pengesa edhe sa i përket hapjes së pavijonit, pasi që është dashur të jenë në pavijonin e përbashkët të Europës Juglindore, por aty kanë pasur telashe, pasi që disa shtete të Ballkanit që nuk e kanë pranuar Kosovën e kanë penguar në mënyrë futjen e Kosovës në këtë pavijon me arsyetimin se nuk ka hapësirë të mjaftueshme.
“Meqenëse e kemi pasur të pamundur të futemi aty, unë u jam drejtuar nikoqirëve dhe ata na kanë mundësuar që me çmimin e njëjtë ta kemi një pavijon të veçantë. Ata nuk janë pajtuar që disa pengesa që nuk janë kulturore dhe artistike të jenë pengesë për një vend sado të vogël siç jemi ne”, tha Berisha.
Përveç që e kanë prezantuar Kosovën si partner të mundshëm, udhëheqësit e QKK-së gjatë kohës sa qëndruan në Cannes kanë kërkuar partnerë të tjerë. Një partner të tillë ata besojnë që e kanë gjetur.
“Është një fond norvegjez, me të cilin kemi pasur disa takime shumë të mira dhe të cilët e kanë shprehur interesimin e tyre dhe me të cilët producentët kosovarë gjegjësisht shtëpitë filmike të Kosovës do ta kenë mundësinë të aplikojnë për fonde shtesë”, tha ai.
Festivali i Filmit në Cannes është i dyti festival i madh ku QKK u prezantua me pavijonin e vet pas atij të Berlinit.
Berisha tregoi se ky pavijon ka qenë shumë i vizituar dhe atraktiv pasi që njerëzit kanë qenë kurioz të dinë më shumë informata për Kosovën. Ai tha se ka pasur interesim për Kosovën si partner i mundshëm i prodhimit të filmave dhe si lokacion.
“Kemi pasur interesim prej një kompanie franceze, e cila po bën një film që flet për ushtrinë franceze dhe ata dëshirojnë që një pjesë të filmit ta xhirojnë në Kosovë. Ende nuk kanë vendosur a do të jetë Kosova apo ndonjë shtet tjetër, por kanë ardhur te ne dhe janë interesuar për mundësinë e xhirimit në Kosovë”, theksoi Berisha.
Një angazhim tjetër që është bërë në Cannes nga ana e QKK-së ka qenë që filmat që i ka prodhuar kjo qendër të promovohen dhe të futen nëpër festivale të ndryshme të filmit.
Berisha tha se Kosova tashmë është hapur ndaj botës. Ai tregoi se në konkursin e sivjetmë të QKK-së kanë arritur shtatë aplikacione nga Europa për koproduksione me Kosovën.
“Nuk e di a do t’i seleksionojë juria ato, mirëpo është mirë se ne jemi hapur ndaj botës dhe jemi futur në hartën e koproduksioneve”, tha ai.
Ndërkaq, duke folur për punët tjera që e presin atë dhe stafin e QKK-së, Berisha theksoi se përpos që do të jenë prezent në festivale të ndryshme në Kosovë dhe jashtë saj, kah fundi i vitit do të jenë nikoqir i Berlinales, pasi që Berlinale sivjet do ta bëjë seleksionimin e filmave për Europën Juglindore në Prishtinë.