Gutten Plag

VroniPlag Wiki është më aktivja pas orës 18, kur në hapësirën virtuale të saj mblidhen gjuetarët në plagjiatë. Vullnetarisht, dhe pa asnjë kompensim. Numri i shfrytëzuesve ndryshon, varësisht nga ajo se sa i njohur është personi për të cilin dyshohet se ka kopjuar pjesërisht ose plotësisht punimin e tij shkencor.
Rasti i ministres Schavan
Deri më tani puna e këtyre aktivistëve iu kushtoi me post tetë politikanëve dhe shkencëtarëve. Rasti më njohur gjithsesi mbetet ai i ish-ministrit gjerman të Mbrojtjes, që vinte nga radhët e demokristianëve, Karl-Theodor zu Guttenberg. Në vitin 20011 atij iu desh të tërhiqej nga posti, kur u zbulua se pjesën m të madhe të doktoraturës e kishte përshkruar, pa i cekur burimet. Aktualisht, në shënjestër të VroniPlag Wiki është ministrja gjermane e Arsimit dhe Shkencës, Annette Schavan.
Në doktoraturën e saj janë gjetur shumë pjesë ku mungojnë fusnotat. Parregullsi të kësaj natyre janë zbuluar në 10 përqind të disertacionit.
Por, rasti Schavan ka shkaktuar edhe përçarjet e para mes gjuetarëve në plagjiatë. Në fakt, shumica e tyre mendojnë se kjo sasi e parregullsive nuk mjafton për turpërimin publik të dikujt. Por, njëri prej gjuetarëve të VroniPlag Wiki nuk mendon kështu, andaj dëshmitë kundër ministres Schavan i ka postuar në internet, duke mos dashur që ta “mbyll rastin”.
Dikur s’kishte ‘Copy-Paste’
"Punimi i saj assesi s’mund të krahasohet me punimin e ministrit Guthenberg. Por, kjo s’do të thotë që mëkati i saj është më i vogël. Prandaj, mendoj se asaj duhet t’i merret titulli doktor”, konsideron Stefan Weber, i cili merret profesionalisht me vlerësimin e punimeve shkencore dhe artistike.
Marrja e doktoraturës së ministres së Arsimit dhe Shkencës do të nënkuptonte edhe humbjen e postit që ajo mban. Por, çështje e hapur mbetet edhe ajo nëse një punim shkencor, i shkruar para 32 viteve, mund të përmbush kriteret e sotme për atë se çka është plagjiat, e çka jo.
"Asokohe nuk kishte kompjuterë, e as opsion ‘Copy-Paste’. Në fakt, sot është shumë më lehtë që të kopjohen mendimet e dikujt tjetër, por edhe që të zbulohet mashtrimi”, pohon profesori Gerhard Dannemann, shkencëtar në Qendrën për Britani të Madhe, në Berlin.
Përshkrimi i gjysmës së doktoraturës
Dannemann është një gjuetar i pasionuar i plagjiatëve në VroniPlag Wiki. Deri tani ka zbuluar shumë studentë që kopjuan materiale nga punimet e të tjerëve – përfshirë këtu tentimet më të paskrupullta, si ai kur, para disa viteve dy studente dorëzuan punime diplome krejtësisht identike, por me tituj të ndryshëm. Ky mashtrim perfid mbeti i pazbuluar me vite.
Edhe gjuetari tjetër i plagjiatëve, Stefan Weber, gjeti gjysmën e disertacionit të tij të doktoraturës të kopjuar nga një doktor në tentim i shkencave teologjike.
Problemi më i madh për gjuetarët në plagjiatë mbetet anonimiteti. Meqë shumë prej tyre iu takojnë qarqeve shkencore, ata nuk dëshirojnë që të zbulohet se janë “gjuetarë të kolegëve”. Si rrjedhojë, njerëzit si Weber kërkojnë themelimin e një zyre hetimi, e cila do të zyrtarizonte gjuetinë në plagjiatë. DW