E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ditët e Qëndresës Antikomuniste, ish-të përndjekurit: Shoqëria shqiptare s’është ballafaquar me të kaluarën

Veprimtaritë për Ditët e Qëndresës Antikomuniste nisën sot (20 maj) nga Shkodra, qyteti simbol i rezistencës ndaj regjimit komunist.

Aktiviteti përkujtimor pranë memorialit të viktimave dhe të dënuarve politikë u organizua nga Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë në Shkodër, me mbështetjen e Bashkisë, dhe me praninë e drejtuesve e anëtarëve të degës të Partisë Demokratike.

Në fjalën e tyre, ish-të përndjekurit theksuan se edhe pas më shumë se 30 vitesh nga rënia e sistemit monist, shoqëria shqiptare ende nuk është përballur seriozisht me të kaluarën komuniste.

“Për këto 35 vjet, politika shqiptare nuk e ka kryer detyrën e vet karshi kësaj shtrese. Shumë premtime, por sot jemi në një gjendje të dëshpëruar, sepse më pak se gjysma e atyre që kanë të drejtën e shpërblimit për vuajtjet e tyre nuk janë shpërblyer,” tha nënkryetari i Shoqatës, Filip Kryeziu.

“Demokracia nuk ka ardhur hala në truallin shqiptar. Demokracia fillon atje ku janë bashkëvuajtësit e mi,” u shpreh ish-i përndjekuri politik, Viktor Martini.

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Shkodër, Luçiano Boçi, ndërsa përsëriti ndjesën publike në emër të partisë për mungesën e vëmendjes së duhur ndaj kësaj shtrese ndër vite, akuzoi mazhorancën aktuale për harresë dhe qëndrim të qëllimshëm ndaj kësaj periudhe të errët të historisë shqiptare.

“Falje dhe ndjesë ka kërkuar Partia Demokratike dhe e bën këtë për shpërblimin financiar. Por nuk është termi financiar ai që plotëson nderin e këtyre burrave dhe grave. Jo! Është respekti. Është historia që duhet përcjellë, duhet mbajtur gjallë sot e ndër breza, e cila me qëllim sot luftohet,” deklaroi z. Boçi.

Veprimtaritë përkujtimore do të vijojnë me ceremonitë përkujtimore në nderim të revoltave të të burgosurve në Spaç dhe në Qafë-Bari, dy nga simbolet më të fuqishme të qëndresës antikomuniste në Shqipëri

Gazetar: Ardian Hoti

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›