E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndotja/ Automjetet elektrike në Itali, qeveria “ndihmë” 597 milionë euro për blerjen e tyre

Qeveria italiane po shqyrton një plan prej 597 milionë euro për të inkurajuar familjet që të shkrijnë për ‘skrap’ makinat e tyre me benzinë ose naftë dhe në vend të kësaj të blejnë automjete elektrike.

Qeveria rilançon sfidën e lëvizshmërisë së qëndrueshme me një program të ri për skrapimin e automjeteve më ndotëse.

Programi quhet Rinovimi i Flotës për Automjetet Private dhe të Lehta Tregtare me Automjete Elektrike.

sipas këtij plani, kontributi do t’u jepet atyre që ‘skrapojnë’ një makinë për të blerë një automjet të ri elektrik, që i përket kategorisë M1 (deri në 8 vende).

Por sipas qeverisë italiane, kjo nuk është e gjitha: edhe mikro-ndërmarrjet do të jenë në gjendje të përfitojnë nga bonusi për blerjen e automjeteve tregtare me emetime zero, në kategoritë N1 dhe N2 (deri në 3.5 dhe 12 ton përkatësisht).

Paketa, në diskutim nga Ministria e Industrisë, do të përfshijë stimuj financiarë me vlerë deri në 11.000 euro për të lejuar qytetarët me të ardhura vjetore më të ulëta se 30.000 euro të heqin modelet e tyre me benzinë ose naftë, që janë më shumë se 20-vjeçare, në favor të modeleve të reja të automjeteve elektrike.

Masa, e financuar me fondet e PNRR (Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës) të destinuara fillimisht për instalimin e kolonave elektrike, synon të inkurajojë blerjen e automjeteve elektrike nga individë privatë dhe mikro-ndërmarrje.

Sipas vendimit të qeverisë italiane është bërë një ndërhyrje të rimodelimit të fondeve.

Nga 597 milionë euro të caktuara fillimisht për instalimin e 20,500 stacioneve të karikimit në rrugë dhe autostrada, një pjesë e konsiderueshme tani do të caktohet për zëvendësimin e 39,000 automjeteve me motor me djegie të brendshme me automjete me emetime zero.

Arsyeja? Tregu i stacioneve të karikimit nuk reagoi siç pritej dhe objektivi u rishikua poshtë.

Siç thuhet në dokumentin e miratuar dje nga dhoma e kontrollit të PNRR, “Italia konfirmon një qasje dinamike ndaj menaxhimit të Planit”, duke investuar aty ku “ndikimi pozitiv është i garantuar dhe i shpejtë”.

Bonuse selektive dhe kriteret për tu miratuar

Nxitja do të lidhet me të ardhurat. Për individët, kontributi do të jepet “me përmbushjen e pragjeve specifike të ISEE”( është dokumenti që dëshmon gjendjen ekonomike aktuale të një familjeje. )

•             11,000 euro për ata me një ISEE deri në 30,000 euro

•             9,000 euro për ata me të ardhura midis 30,000 dhe 40,000 eurove

Për mikro-ndërmarrjet, bonusi do të jetë i barabartë me 30% të vlerës së automjetit elektrik , deri në një maksimum prej 20,000 eurosh .

Masa do të jetë aktive deri më 30 qershor 2026 dhe do të përqendrohet në zonat urbane më të ndotura.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›