E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditët e letërsisë shqipe në Mal të Zi

Në ditët e fundit të muajit dhjetor, institucionet qendrore, kulturore dhe ato të pavarura të Republikës së Malit të Zi patën rezervuar një hapësirë të veçantë për letërsinë shqipe. Në këtë eveniment të rëndësishëm kulturor u ftuan të nderonin me pjesëmarrjen e tyre tre shkrimtarë shqiptare: Bardhyl Londo, Zija Çela dhe Ermir Nika për nder të të cilëve autoritetet më të larta kulturore dhe akademike të Malit të Zi organizuan në Podgoricë një varg aktivitetesh

promovuese për kontributin që kanë sjellë nëpërmjet krijimtarisë së tyre letrare këta autorë në letërsinë shqipe e më gjerë. Një takim i veçantë u organizua për mediat e shkruar dhe televizive në librarinë KARVER, më e madhja e këtij lloji në Malin e Zi, ku shkrimtarët pasi bënë një prezantim të jetës dhe veprimtarisë së tyre letrare iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve në lidhje me jetën dhe krijimtarinë e këtyre autorëve si edhe për zhvillimet e fundit letrare në Shqipëri. Një aktivitet tjetër ishte programuar të zhvillohej në një tjetër auditor, ku të pranishëm ishin personalitete të spikatura të kulturës malazeze, shkrimtare, përkthyes, botues, kritikë, akademikë dhe njerëz të letrave, të cilët ndoqën me një interes të veçantë pjesë të zgjedhura nga krijimtaria e Londos, Çelës dhe Nikës të përkthyera tashmë në gjuhën malazeze, nën interpretimin e aktores së shquar Varja Dukic. Më pas shkrimtarët referuan mbi shumë aspekte të spikatura të procesit të tyre krijues. Të pranishmit shprehën një interesim të veçantë për letërsinë shqipe dhe ndër të tjera theksuan se letërsia shqipe ka poetë dhe prozatorë të nivelit Evropian. Për shkrimtarët shqiptare kishin rezervuar takime speciale edhe dy ministra të qeverisë së Malit të Zi: Ministri i Kulturës dhe Ministri i Minoriteteve, të cilët pasi shprehën konsideratat më të larta për të ftuarit, vlerësuan rolin e madh që ka luajtur kultura shqiptare në mozaikun kulturor Ballkanik dhe nënvizuan faktin se ky bashkëpunim i nisur tashmë midis dy vendeve tona, duhet të intensifikohet edhe në të ardhmen si shenjë e diversitetit dhe përafrimit kulturor e shpirtëror të popujve. Vlen të theksohet se këtë vizitë të shkrimtarëve shqiptarë në Republikën e Malit të Zi, e pasqyruan gjerësisht mediat e shkruara dhe ato vizive, të cilat programuan edhe edicione speciale për nder të këtyre emrave të letërsisë shqipe.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›