Ditët në vijim do të jenë kritike për Mitrovicën

Ditët në vijim do të jenë shumë kritike për Mitrovicën, pasi që pritet shpërbërja e strukturave paralele në veri sipas marrëveshjes së dy kryeministrave, ka thënë Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, gjatë takimit të Komitetit Lokal për Siguri Publike që u mbajt të hënën në Mitrovicë.
Kastrati ka apeluar tek organet gjegjëse që ta informojnë drejt komunitetin serb në veri për zbatimin e pakos së Ahtisarit në plotëni, që do të ndodhë në ditët në vijim, duke e konsideruar këtë si shumë të rëndësishme.
“Sipas kësaj, është paraparë që të drejtat e komunitetit serb do të jenë të nivelit më të lartë në Evropë”, ka thënë ai.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, ka pohuar se ditët e fundit vërehet prezencë e shtuar e strukturave të sigurisë në veri, të cilat po ndikojnë në qetësimin e situatës së përgjithshme.
Megjithatë, ai përmendi një sërë shpërthimesh dhe incidentet të cilat kanë ndodhur gjatë javës së fundit, duke vlerësuar qëndrimin e qytetarëve të veriut të cilët po tregojnë nivel të lartë të përgjegjësisë./Indeksonline/