E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet baraspeshim në KQZ

Problemet e shumta që karakterizuan zgjedhjet e kaluara, si dhe mbivotimi që ka ndodhur shpeshherë brenda organit kryesor që merret me organizimin e zgjedhjeve (Komisioni Qendror i Zgjedhjeve), ka shtyrë subjektet politike që krahas reformës zgjedhore të kërkojnë ndryshimin e strukturës së saj.

Opozita kërkon që përbërja e KQZ-së të jetë e baraspeshuar nga përfaqësimi i pozitës dhe opozitës, pra 50 për qind pozitë – 50 për qind opozitë, si dhe kërkuan që të hiqet përfaqësimi i padrejtë i komuniteteve të cilët kanë 4 vende nga 11 gjithsejtë sa ka KQZ. Krahas partive opozitare dhe shoqërisë civile është Partia Demokratike e Kosovës që e mbështet përbërjen e tanishme të KQZ-së. Po ashtu nga burime të “Zërit” mësohet se edhe ndërkombëtarët janë pajtuar për ndryshimin e përbërjes së KQZ-së.

Nënkryetari i Komisionit për Ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje nga PDK-ja, Halit Krasniqi, ka thënë se kjo parti e përkrah përbërjen aktuale të KQZ-së. “Ne i kemi bërë publike qëndrimet tona dhe e mbështesim përbërjen aktuale të KQZ-së”, ka thënë shkurt Krasniqi.

Ndryshe nga Krasniqi, kryetari i Komisionit për Ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, Haki Demolli, ka thënë se opozita në Grupin Punues Zgjedhor ka kërkuar ndryshim e përbërjes së KQZ-së në mënyrë që t’i shmangen mbivotimit. Ai ka thënë se LDK-ja ka propozuar që përbërja e KQZ-së të jetë 50 pozitë me 50 opozitë.

“Aktualisht KQZ-ja përbëhet prej 11 anëtarësh, 7 prej të cilëve janë të pozitës, ndërkaq opozita i ka 3 anëtarë kurse kryetarja është si e paanshme”, ka thënë Demolli. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë e rritjes së anëtarëve të KQZ-së nga 11 në 13 sosh, por me kusht që opozita të përfaqësohet në mënyrë proporcionale 50 me 50 për qind.

Ndërkaq, Demolli ka hedhur poshtë mundësinë që KQZ-ja të përbëhet nga ekspertë zgjedhorë të pavarur, pasi, sipas tij, aty prapëseprapë do të ketë ndikime politika.

Vetë kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se KQZ-ja ka marrë vendim të mos japë rekomandime, meqë, sipas saj, KQZ-së nuk i takon të rekomandojë për veten e saj, sepse konsiderohet konflikt interesi.

Edhe, Albulena Haxhiu nga Lëvizja “Vetëvendosje”, konsideron se përbërja aktuale e KQZ-së është mjaft problematike dhe e pabarabartë. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të reflektojë përbërjen politike dhe partiake në vend. Ajo duhet të jetë e baraspeshuar nga përfaqësimi i pozitës dhe opozitës, pra 50 për qind pozitë – 50 për qind opozitë, si dhe duhet hequr përfaqësimi i padrejtë i komuniteteve të cilët kanë 4 vende nga 11 gjithsejtë që gjithashtu paraqet pengesë serioze në punën dhe vendimmarrjen e këtij institucioni”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka thënë se këtë kërkesë ta kenë pasur qysh në fillim të procesit të reformës zgjedhore, mirëpo, sipas saj, fatkeqësisht deri më tani nuk është marrë parasysh. “Megjithatë ne do të vazhdojmë të bëjmë presionin tonë që kjo çështje të rregullohet”, ka thënë ajo.
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›