E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditët që do të vijnë do të zbardhin aktorët e grushtit të shtetit

22-01-2013 / Gazeta 55

Edhe pas dy vitesh, Edi Rama s’e fshehu dot arketipin e sjelljes së kriminelit që kthehet në vendin e krimit. Me nekropolitikë dhe me të papërgjegjshëm që kërcënuan me një fazë të dytë të 21 janarit në pranverë, opozita synon të krijojë shansin e dytë të “revoltës”, por me ditët që do të vijnë do të korrë veç vendosmërinë e drejtësisë për të zbardhur deri në fund aktorët e grushtit të shtetit
Berisha: “Rama përpiqet të mbledhë vota në kortezhe mortore”

Pa dyshimin më të vogël që 21 janari i dy viteve më parë, ishte një nga ngjarjet më të dhunshme të 22 viteve pluralizëm, përpjekja ekstreme për rrëzimin e pushtetit me dhunë, që përfundoi tragjikisht dhe pa realizuar ëndrrën e bllokmenëve. Sot, dy vjet më pas, 21 janari ka mbetur si njollë e zezë e aksioneve antishtetërore të opozitës së sotme, me synimin e vetëm rrëzimin e një qeverie demokratike, për hir të ambicieve kryeministrore, të një të paudhi politik që ka uzurpuar Partinë Socialiste. Ajo e “premte e zezë” nuk erdhi krejt papritur dhe në mënyrë të paorganizuar, pasi protestat masive të PS, pas zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës, në thelb ishin “kronikë e një rreziku të paralajmëruar”, që fatkeqësish kulmoi me pasditen e tmerrshme të 21 janarit 2011-ë. Dështimi elektoral, humbja e mbështetjes popullore dhe rreziku i dezertimit të bazës socialiste, e shndërruan Edi Ramën në “Drakulën” e demonstratave të dhunshme, thjesht e vetëm për të masivizuar kauzën inekzistente të manipulimit të zgjedhjeve të 2009-ës. Por, për të arritur 21 janarin nuk mjaftonin as pretendimet e pabaza të manipulimit të zgjedhjeve. Kreut të PS i duhej diçka më e fortë që të bënte të besueshme kërkesat e tij për “hapjen e kutive” dhe “dorëzim të pushtetit në tavolinë”. Edi Rama nuk u zmbraps përballë fakteve të dëshmuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë si OSBE/ODIHR, KiE dhe SHBA, raportet e të cilëve i cilësonin zgjedhjet elektorale të para 3 viteve, si më të mirat në histori. Edi Ramës i duhej një “dëshmi” e fortë korrupsioni qeveritar dhe për këtë u investua vetë direkt, në një video-montazh që përfshinte ish zv/kryeministrin dhe kryetarin e LSI, Ilir Meta - por duke u kujdesur edhe për detajin më të vogël...duke bërë pjesë të kësaj skeme, kryeministrin Sali Berisha. Organizoi dhe mobilizoi elementë të dhunshëm dhe kriminalë, pa u shqetësuar për rrezikun e jetës së secilit, të cilët të dehur nga thirrjet populiste për rrëzimin e qeverisë, harruan se “kryengritja” bëhej kundër shtetit, kundër rendit demokratik dhe kundër ligjeve në fuqi. Për më shumë se 5 orë me radhë, selia e Këshillit të Ministrave ishte në luftë, e sulmuar nga llojet më të ndryshme të dhunës si bomba molotov, dru, gurë etj,. Dhjetëra efektivë të Policisë së Shtetit të plagosur dhe të lënduar rëndë nga furia e segmenteve të dhunës së Edi Ramës, nuk mundën të marrin në kohë ndihmën mjekësore, duke rrezikuar një gjendje tragjike. Sigurisht, humbja e 4 jetëve njerëzore, protestues, është po ashtu një moment i dhimbshëm, por Edi Rama s’ka patur as kurajën dhe as guximin tu kërkojë ndjesë atyre familjeve, që i përdori kryefamiljarët e tyre si mish për top. As sot e kësaj dite, kreu i PS nuk mban asnjë përgjegjësi për organizimin e asaj të premteje të zezë. Edhe pse në të vërtetë...ditët që do të vijnë do të zbardhin aktorët e grushtit të shtetit.

Kryeministri Berisha flet për Kongresin e Lushnjës dhe akuzon Edi Ramën për ngjarjet e 21 janarit

Berisha: “Rama përpiqet të mbledhë vota në kortezhe mortore”

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, kryeministri Berisha u ndal dhe te disa ngjarje historike të janarit, siç është Kongresi i Lushnjës (Janar 1920, formimi i qeverisë së Sulejman Delvinës) dhe rëndësia e tij në unifikimin e shtetit, pas tmerreve të Luftës së Parë Botërore dhe ambicies së fqinjëve për ndarjen e mëtejshme të Shqipërisë. Berisha vlerësoi rëndësinë e këtij Kongresi në konsolidimin e shtetit shqiptar, ndërsa po në këtë datë, e cila përkon edhe me ndarjen nga jeta të ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, kryeministri shprehu mirënjohjen ndaj tij dhe vlerësoi veprën e Rugovës. “Nuk është e zakonshme për mua të komentoj kalendarin, datën, por sot nuk mund të mos ndalem pa komentin dhe qëndrimin tim. Sot është një ditë e madhe në historinë e kombit, dita e Kongresit të Lushnjës, ditë që ndryshoi historinë e shqiptarëve, ditë nderimi dhe vlerësimi të madh për të gjithë ata që me burrëri, zotësi, aftësi, vetëmohim, përkushtim bënë të mundur që shqiptarët të jetësojnë pavarësinë e tyre në Shqipëri. Kongresi i Lushnjës ka qenë një mrekulli e vërtetë në historinë tonë kombëtare. Një Shqipëri që rrokullisej, pothuajse në rënie të lirë, nisi një rrugë e cila çoi në konsolidimin e shtetit shqiptar dhe në vazhdim”, u shpreh kryeministri.
Por, ndër ngjarjet e janarit, kryeministri iu referua edhe protestës së dhunshme të opozitës 2 vjet më parë, duke akuzuar kryesocialistin Edi Rama si përgjegjës të 21 janarit. Berisha tha se Rama përpiqet të mbledhë vota nëpërmjet kortezheve mortore. “Përsëri nuk mund të mos theksoj se, me 21 janar dy vjet më parë, pas tetëdhjetë e ca vitesh, një grusht aventurierësh bënë përpjekje për të rrëzuar me dhunë, pushtetin e dalë me votë. Ky ishte akti më i shëmtuar, që nga viti  ’24 deri në ditët e sotme, në historinë e institucioneve shtetërore. Ata që menduan se, me dhunë do të mund të kishin mandatin e tyre, ata përfunduan në koshin ku e kanë vendin të gjithë ata, që mendojnë si ata. Por duke shprehur edhe njëherë ngushëllimet e mia familjeve të viktimave të Edi Ramës, i kërkoj të ndërpresë çdo formë presioni ndaj drejtësisë, sikundër garantoj qytetarët se qeveria do të bëjë gjithçka, që e vërteta të dalë dhe drejtësia të veproje. Por deri më sot, asnjëri prej atyre, që organizoi, pagoi, mashtroi  njerëz të hurit dhe të litarit, të cilët erdhën për të përmbysur pushtetin me dhunë dhe krijon viktima para ndërtesës së Këshillit të Ministrave, vetëm e vetëm se, zoti Rama donte të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës sime dhe tani përpiqet të mbledhë vota në kortezhe mortore, për të cilat ai, ka përgjegjësinë maksimale. Dua t’i them se me këto veprime dhe akte që bën do mbetet si rreshteri i Buxatit ‘Drogu’, në pritje të karriges së pushtetit”, deklaroi kryeministri Berisha.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›