E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditët që pritet të ndryshojnë Greqinë

ATHINE - Ditë që do të ndryshojnë Greqinë, kështu cilësohen nga mëediat greke ditët në vazhdim. 

Në Parlament do të shkojnë sot ndryshimet në rregullorjen e ministrisë së Punës, për uljen e pagës minimale deri në masën 22 %, uljen 12%-20% të pensioneve kryesore dhe atyre suplementare, zbatimi i të cilave do hyjë në fuqi në 1 mars. 

Qeveria greke do të mblidhet pak orë përpara votimit të shkurtimeve të pagave minimale, pensioneve bazë dhe atyre suplementare nga parlamenti. Kryeministri Papadhimos do të theksojë tek ministrat rëndësinë e votimeve në Parlament, por edhe nevojën që cdo ministri të zbatojë pa asnjë devijim planin që përmban programi i ri ekonomik. 

Ndërkaq kryeministri grek Papadhimos ka marrë një ftesë nga Presidenti i Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, për pjesëmarrjen në një takim të veçantë të Komisionit Evropian, me objekt projektimin e nxitjes së zhvillimit në Greqi. 

Në takimin që do të mbahet të mërkurën pasdite, do të marrin pjesë edhe katër Komisionerë të tjerë evropianë, me përgjegjësi në çështjet për rritjen e konkurrencës së ekonomisë greke. Papadhimos e Barroso kanë pasur një bisedë telefonike të dielën për axhendën e ditës së takimit, që i përket zbatimit të masave në kuadër të programit të dytë të kredisë, thithjes së shpejtë të fondeve të Bashkimit Europian për nxitjen e zhvillimit në Greqi dhe të punës së Task Force i Komisionit Evropian në Greqi. 

Zëdhënësi i KE përcolli kënaqësinë e Komisionit Europian për atë që ka ndodhur kohët e fundit në Greqi dhe besimin për zbatimin me rigorozitet të masave të miratuara. "Paketa e re e ndihmës për Greqinë mund të japë rezultate", deklaroi Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso para vizitës së kryeministrit grek në Bruksel dhe në momentin që gjermanët dhe holandezët insistojnë se Athina do të ketë nevojë për më shumë ndihmë. 

Njëkohësisht, Komisioni Europian njoftoi se një ekip i ekspertëve të BE-së mbërriti dje në Athinë, për të ndihmuar qeverinë që të përballojë problemin e papunësisë së të rinjve, e cila ka arritur rreth 50%.

Kritike janë tre 24-orët e ardhshme për miratimin e paketës së re të ndihmës për Greqinë në parlamentet e Vendeve të Ulëta, në Holandë dhe Finlandë, pasi udhëheqësit politikë të këtyre vendeve kanë shprehur hapur rezervimet e tyre në lidhje me shpëtimin e Greqisë. 

Javën e kaluar, ministrat e financave të eurozonës ranë dakord për një paketë të re të ndihmës për Greqinë prej 130 miliardë euro, paketë që dje u miratua me shumicë votash nga parlamenti gjerman, megjithë kundërshtimet e mjaft deputetëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›