Diveroli, sërish nën akuzë për trafik armësh

24-vjeçari është regjistruar teksa fliste lidhur me një sasi të madhe municionesh që kishte futur dy vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara
Efraim Diveroli, tregtari i ri i armëve nga Majami, i cili arriti të fitonte një kontratë 300-milionë dollarëshe nga Pentagoni për blerjen dhe dërgimin e municioneve në Afganistan, duke përfunduar më pas në një çështje kriminale, është vënë nën akuzë sërish të hënën në Florida.
Djaloshi 24-vjeçar i përfshirë në ngjarjen e Gërdecit në Shqipëri, u arrestua të premten dhe u akuzua për zotërim të armëve të zjarrit si i dënuar më parë, si dhe për mbajtje të armëve ndërkohë që ishte duke u hetuar për një tjetër vepër penale.
Pasi zhvilloi një seancë të shkurtër dëgjimore të hënën në Gjykatën Federale të Orlandës, ai u urdhërua të qëndronte në qeli pa të drejtën e një garancie. Akuzat për armëmbajtjen duket se janë vetëm fillimet e akuzave që pritet të ngrihen mbi Diverolin pas një hetimi në një veprimtari kriminale më të gjerë.
Një dëshmi 18 faqesh u regjistrua javën e kaluar nga Kevin Mekkein, një agjent special i Zyrës kundër Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Lëndëve shpërthyese, ku Diveroli përshkruhej si një person që po vepronte në krye të një kompanie për shitjen e armëve. Diveroli nuk kishte licencë federale për tregtinë e armëve. Për më tepër i ndalohej mbajtja e armëve të zjarrit për shkak se ishte i dënuar më parë.
Sipas dëshmisë, në 14 korrik, Diveroli është lidhur me një tregtar të panjohur të licencuar në tregtinë e municioneve, duke shpresuar se ai do të siguronte për të "rishitjen në zonën e Majamit". Tregtari njoftoi autoritetet, çka çoi në nisjen e hetimit.
Diveroli u regjistrua më pas në bisedat me agjentin sekret ku u shpreh se ishte konsulent për një kompani që kishte nevojë të transportonte municione nga një fabrikë koreano-jugore dhe shpresonte që t'i sillte ato në Shtetet e Bashkuara në një sasi prej 120 000 copësh në vit.
Në biseda, Diveroli, i cili më pas e identifikoi veten si një "kompani private e paanshme" dhe bëri biznes nën emrat "LOË LLC, "AmmoËorks," "Advanced Munitions," dhe "Pinnacle Minerals Corporation"k gjithashtu ofroi për shitje fishekë pushkësh, duke përfshirë edhe një porosi për provë.
Ai ishte vetëm 21 vjeç në vitin 2007, kur Pentagoni realizoi një kontratë gjigante me të për blerjen e municioneve nga depot e ish-Bllokut të Lindjes dhe dërgimin e tyre në Kabul, Afganistan. Municionet që u shitën me emrin e kompanisë së tij, AEY Inc. - ku u përfshinë edhe granata, kallashnikov, fishekë - do t'u shpërndaheshin forcave afgane të sigurisë në luftën kundër talebanëve.
Në vitin 2008-n, pasi Nju Jork Tajms (The Neë York Times) hetoi denoncimet sipas të cilave ai po transportonte kallashnikovë dhjetëravjeçarë në paketime të vjetra, që thjesht ishin ripaketuar dhe që po u fshihej origjina kineze e që bliheshin në Shqipëri, ushtria amerikane vendosi ndërprerjen e kontratës me Diverolin dhe firmën e tij.
Pentagoni dhe prokurorët federalë e akuzuan Diverolin për një skemë kriminale për shitjen e municioneve të ndaluara kineze Pentagoni dhe ai u akuzua për mashtrim federal dhe për komplot. Ai u vetëdeklarua i fajshëm në 2009-n për një akuzë komploti dhe po priste vendimin e gjykatës, i cili do të jepej në nëntor.
Hetimi i fundit zbuloi se Diveroli, tregtia e armëve e të cilit u duk se përfundoi me dënimin e tij, u regjistrua nga agjentë të fshehtë në 4 gusht, duke u shprehur se "kishte një sasi të madhe municionesh në Shtetet e Bashkuara" dhe se e "kishte shkarkuar këtë sasi dy vitet e fundit".
"Një kontrabandist armësh mbetet gjithnjë kontrabandist armësh", mësohet t'i jetë shprehur agjentit Diveroli. Në bisedat e tjera të regjistruara, 24-vjeçari duket se ka dhunuar statusin e tij si një i pandehur që pret vendimin e gjykatës.
Në 11 gusht ai është shprehur se "në mëngjes herët po kryente qitje" dhe disa ditë më pas u regjistrua duke thënë se "ai dhe një mik i veti po gjuanin aligatorë (lloj krokodili), drerë të bardhë dhe derra" me një pushkë të kalibrit 50.
Ai udhëtim duket se ka qenë fatkeq si dhe aventura e tij e fundit e biznesit. Sipas Diverolit, pasi kishin qëlluar dhjetëra herë mbi një aligator, automjeti u kishte ngecur në baltë dhe atyre u ishte dashur të prisnin për një karrotrec që t'i nxirrte.
Ai u arrestua të premten teksa ngiste makinën drejt Brevard County, për t'u takuar me disa agjentë sekretë. Vendi i takimit është jashtë zonës ku Devirolit i lejohej të lëvizte i lirë ndërkohë që priste vendimin e gjykatës. Diveroli çoi në takimin me agjentët sekret dhe një pistoletë gjysmautomatike Glock, model 17, si dhe një pushkë gjysmautomatike 7.62 mm.
Mësohet se i entuziazmuar nga armët ai u kishte sugjeruar shokëve të udhëtimit të shkonin të blinin municionin në mënyrë që të bënin qitje. Kështu ata blenë municione e më pas u kthyen për të takuar agjentët sekretë. Ai u arrestua menjëherë ndërkohë që ndodhej në një automjet tip "Audi" kabriole, me municione në sediljen e pasme.