Abuzimet me fondet e BE-së, italiani kërkon lirinë

Autoritetet belge të drejtësisë nuk kanë sjellë dosjen në ngarkim të tij brenda afatit 40 ditor të përcaktuar në ligj
U arrestua në Rinas, ndërsa për të kishte një urdhër ndërkombëtar arresti nga policia belge i dyshuar për korrupsion
TIRANË- Biznesmeni 57 -vjeçar Italo Xhigante (Italo Gigante) kërkon nga gjykata lirimin nga "arresti i shtëpisë" për shkak se autoritetet belge për llogari të cilëve është arrestuar në Shqipëri nuk kanë sjellë kërkesën për ekstradimin e tij.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të togave të zeza dhe vetë avokatit mbrojtës të 57- vjeçarit Gigante. Sipas kërkesës së mbrojtjes, të shqyrtuar paraditen e djeshme nga gjyqtarja Mimoza Kajo, biznesmeni italian kërkon të lirohet nga izolimi, për shkak të mbarimit të masës së sigurisë "arrest shtëpie" me afat 40 ditë.
Masë kjo e caktuar nga Gjykta e Apelit dy javë pasi ishte arrestuar në aeroportin e Rinasit për llogari të Inteprolit belg, të cilët kishin lëshuar një urdhër arresti për akuzën e përfshirjes në një skemë korrupsioni që kishte lidhje me rindërtimin dhe marrjen me qira të ndërtesave që do të ktheheshin në seli të delegacioneve të KE-së në Tiranë dhe Nju Delhi të Indisë.
Ishte avokati Ardian Visha, i cili paraqiti kërkesën për shuarjen e masës së sigurisë ndaj biznesmenit Gigante, me pretendimin se kishte mbaruar afati 40- ditor i izolimit të tij. Gjithashtu, i kujtoi gjyqtares së masave se autoritetet belge nuk kishin sjellë brenda këtyre 40 ditëve kërkesën për ekstradimin e tij drejt Belgjikës.
Një gjë të tillë e konfirmoi edhe prokurori i çështjes i pranishëm në sallën e gjyqit, por që kërkoi që kjo masë të zgjatet edhe për 20 ditë të tjera në pritje të kërkesës së autoriteteve belge për ekstradim.
Gjyqtarja Kajo, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, vendosi të ndërpresë seancën gjyqësore për tu shprehur me vendim sot në ora 11:00.
Biznesmeni Italo Gigante akuzohet nga autoritetet belge për veprën penale të "korrupsionit aktiv dhe pasiv"; "falsifikimit dhe përdorimit të dokumenteve të falsifikuara", si dhe "pastrimit të parave".
Vetë i arrestuari gjatë vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se këtë histori e ka vuajtur njëherë dhe në asnjë rast nuk i është fshehur drejtësisë.
Arrestimi i biznesmenit Gigante është kryer mbi bazën e urdhër-arrestit me nr.121/04, të datës 31 korrik 2007 të nënshkruar nga gjyqtarja Berta Bernando Mendez. Sipas belgëve, ndërtuesi Gigante u akuzua në mars të 2007-s dhe më pas u arrestua së bashku me tre shtetas italianë, zyrtarë të Komisionit Evropian nën akuzën e përfshirjes në një skemë korrupsioni që kishte lidhje me rindërtimin dhe marrjen me qira të ndërtesave që do të ktheheshin në seli të delegacioneve të KE-së në Tiranë, si dhe Nju Delhi të Indisë.
Sipas akuzës, Gigante me ndihmën e një kompanie belge, që prej kohësh merrej me mirëmbajtjen dhe rindërtimin e ndërtesave të Komisionit Evropian (Berlaymont) dhe Këshillin Evropian (në ndërtesën Lipsius Justus), kishin nënshkruar një kontratë 4-vjeçare me një shumë prej 60 milionë eurosh. Ata gjetën në Shqipëri një ndërtesë shtatë kate që ishte e re dhe e sapondërtuar në lagjen Laprakë të Tiranës.
Përfaqësuesit evropianë do të përdornin katër kate për zyra dhe katin e pestë për vendbanimin e kryetarit të delegacionit të KE-së. Kjo ndërtesë, edhe pse e re, në letra u përshkrua si ndërtesë e rindërtuar me paratë e fondit të BE-së dhe më pas me një qira rreth 50 000 euro në muaj.