Mbesa e deputetit të PD-së në gjobëvënien e dentistit
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e arrestit burg pa afat për të dashurin e mbesës së deputetit demokrat
Luka i kërkoi 500 mijë lekë "gjobë" dentistit se ishte lidhur me të dashurën. Vajza nuk u arrestua pasi s' kishte prova për implikim
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, vendosi izolimin në qeli deri në përfundim të hetimeve për 27 vjeçarin Ylli Luka, i dyshuar për "gjobëvënien" me 500 mijë lekë të reja ndaj dentistit me inicialet E.D, pas një konflitki për një femër, e cila mësohet se është mbesa e një deputetit të PD-së në zonën e Beratit.
Emri i këtij të fundit nuk u bë i ditur nga policia, por burime të sigurta thanë për "Shekullin" se kjo e fundit dyshohej si e përfshirë në historinë e gjobëvënies ndaj dentistit E. D. por provat e pamjaftushme, bënë që ajo të mos merrej në hetim.
Gjyqtarja Ilirjana Olldashi paraditen e djeshme, mori në shqyrtimi kërkesën e prokurorit Besnik Muçi, për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj Lukës, i dyshuar për krimin e "shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë". Pas shqyrtimit të kërkesës dhe dëgjimin e palëve prezentë në sallën e gjyqit, Olldashi vendosi për të riun nga Fushë-Kruja masën e sigurisë "arrest me burg".
Vetë 27- vjeçari nuk e pranoi akuzën por edhe nuk ka dhënë shpjegime për rastin, duke u mjaftuar me kërkesën e avokatit mbrojtës për caktimin e një mase më të butë të sigurisë. Pretendimet e tij i kundërshtoi prokurori Muçi, i cili renditi në kronologji të gjithë ngjarjen (konfliktin) mes dentistit me inicialet E.D. dhe të arrestuarit Luka për "dashnoren" e tyre.
Hetimi
"Nga hetimet paraprake ka rezultuar se shtetasi E.D. me profesion dentist nga puna e tij ishte njohur me një femër nga Fushë-Kruja, e martuar e madje me një vajzë, bashkëshorti i së cilës jetonte në Greqi. Kjo e fundit sipas burimeve kishte një lidhje jashtë martesore me 27- vjeçarin Luka nga Fushë-Kruja, ndërsa dyshohet se ishte lidhur edhe me dentistin E.D, - thanë burime të prokurorisë.
Sipas burimeve, lidhja e tyre kishte vazhduar deri në fillim të gushtit, kur i arrestuari Luka mësoi se e "dashura" e tij kishte edhe një lidhje tjetër me dentistin e saj me inicialet E.D. I prekur nga kjo "tradhti" 27 vjeçari Luka kontaktoi në telefon me dentistin E.D. duke i kërkuar sqarime për këtë lidhjeje.
Pas debateve mes tyre në telefon, 27- vjeçari në formë "gjobe" i kërkoi dentistit të paguante 500 mijë lekë të reja në këmbim të mbylljes së historisë. Dentisti, nuk pranoi "gjobën" çka e ka shtyu Lukën të dërgojë një të njohur të tij në zyrat e dentistit për t'i kërkuar paratë, në të kundërtën çështja mes tyre do të përkeqësohet. Dentisti E.D. në këtë rast refuzoi pagesën.
Pas ca kohësh Luka, i dashuri i mbesës së deputetit demokrat të Beratit, i telefonoi duke e kërcënuar që nëse nuk i paguante lekët do vendoste nderin në vend me armë. Përballë këtij presioni, dentisti E.D. denoncoi në polici duke kallëzuar të riun.
Pas kallëzimit, policia me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka filluar hetimin e dosjes me ndihmën e përgjimeve, duke i regjistruar bisedat mes dentistit dhe të riut Luka që e kërcënonte për të paguar lekët.
Pas këtyre regjistrimeve, prokuroria urdhëroi shoqërimin në Polici të "dashnores" së dy të "konfliktuarve" dhe më pas arrestimin e të riut nga Fushë-Kruja. Arrestimi i tij u krye tre ditë më parë në banesën e 27 vjeçarit Luka duke ngritur akuzën e "Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë".