Diversioni kundër ish-të përndjekurve politikë, një strategji e vjetër e të majtës ish-komuniste
Duke biseduar me një mikun tim, ish-i burgosur politik, njëra nga figurat më të spikatura të rezistencës antikomuniste në Revoltën e Spaçit të vitit 1973, në lidhje me grevën e “Urisë”, po më thoshte se, “unë nuk kam asnjë mundësi të bashkohem me atë që ata e quajnë “kauzë” të tyre, për sa kohë shumë prej tyre janë “ordinerë” dhe të manipuluar nga Partia Socialiste ish-Komuniste”. Dhe me të vërtetë kaluan 27 ditë kur një grup i vogël njerëzish - tani kanë mbetur 7 veta që e quajnë veten “ish të burgosur politikë” - kanë hyrë në një grevë urie që nga kohëzgjatja po thyen rekorde botërore se sa mundet njerëzit të jetojnë pa ngrënë, janë me disa kërkesa që asnjëherë nuk janë bërë të qarta për opinionin. Kërkesat sipas tyre kanë “karakter ekonomik”. Por nuk është për t’u çuditur edhe fakti se kjo grevë u përkrah shumë pak ose për të thënë të vërtetën nuk u përkrah aspak nga ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë. Është për t’u çuditur fakti se kjo grevë po inspirohet dhe përkrahet pikërisht nga e majta ish-komuniste, një armike e betuar e lirisë, demokracisë dhe aspiratave të ish-të përndjekurve politikë, deri në përpjekjen gjysmë shekullore të sajë për shfarosjen e idealeve dhe qenies fizike “të armiqve të klasës”. Edhe pas rënies së komunizmit, koncepti klasor i kësaj të majte ekstreme, nuk ka ndryshuar aspak. Ky qëndrim pothuajse armiqësor është ekspozuar gjithnjë dhe vazhdimisht, në të gjitha rastet sa herë që Parlamenti Shqiptar është përpjekur të vendosë ligje të tilla për integrimin e kësaj shtrese të persekutuar barbarisht nga regjimi komunist. Edhe rekomandimet e ndërkombëtarëve që monitorojnë proceset demokratike në Shqipëri, si edhe Rezolutat e Asamblesë Parlamentare të KE për “dënimin e krimeve të komunizmit” janë kundërshtuar dhe injoruar nga Partia Socialiste. Tani duket se “ujku ka hedhur mbi supe lëkurën e qingjit”. Edhe krokodilët më parë se t’i masakrojnë viktimat e tyre, qajnë, sigurisht me lot krokodili. Duke bërë një paralelizëm me diversionin e organizuar nga ish-sigurimi komunist kundër shtresës së ish të persekutuarve politikë për afro një gjysmë shekulli diktaturë, me politikën qorre që po ndjek sot Partia Socialiste për denigrimin e kësaj shtrese fisnikë të popullit shqiptar, më rezulton se strategjia është e njëjtë.
Të gjitha këto flasin, se Partia Socialiste në Shqipëri ka ndryshuar vetëm emrin në Kongresin e saj famëkeq të 10-të, në vazhdimësinë e kongreseve të mëparshme të Partisë Komuniste. Sigurisht historia është shumë kokëfortë të vërtetojë, se kundërshtarët e vendosjes së murtajës komuniste në Shqipëri ishin njerëzit e shkolluar në Perëndim, familjet më të mira të traditës patriotike, që kishin bërë emër në breza për lirinë dhe pavarësinë kombëtare. Komunistët shqiptarë, të instruktuar nga komunistët serbë që erdhën në Shqipëri dhe formuan Partinë Komuniste, platformën e tyre për marrjen e pushtetit e kishin mbështetur në gënjeshtrën dhe mashtrimin, një karakteristikë kjo themelore e ideologjisë marksiste në të gjithë botën. Prandaj krahas gënjeshtrës, mashtrimit, terrorit, djegieve, burgosjeve dhe pushkatimit të kundërshtarëve të tyre politikë, ata aplikuan edhe strategjinë e Romës së vjetër (dividis ed impera) përça dhe sundo. Diversioni kundër “armiqve të klasës” ka qenë një armë shumë e sofistikuar e ish sigurimit komunist. Që në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist, diktatura krahas pushkatimeve masive të kundërshtarëve politikë, mbushi burgjet dhe kampet e internimit me familjarët dhe përkrahësit e antikomunistëve. Në fillimet e para të këtij terrori masiv, të burgosurit politikë u vendosën në burgje të tilla si në Burrel, Gjirokastër, Shkodër apo anekënd Shqipërisë. Por shumë shpejt komunistët ndryshuan taktikë në strategjinë e tyre. Burgjet filluan të mbusheshin edhe me hajdutër ordinerë, mashtrues, vjedhës xhepash nëpër qytetet e ndryshme, për çështje të moralit, të penalizuar për rrahje dhe krime të tjera ordinere. Këtyre fatzinjve, në këto vepra penale që parashikonte ligji i tyre, u shtonin pa mëdyshje edhe një nen tjetër si ai 55 i agjitacionit dhe propagandës ose tradhtisë ndaj Atdheut që konsideroheshin krime politike. Kjo taktikë ndiqej për disa arsye. E para; për planin e fuqisë punëtore që duhej të punonte në kampet e punës së detyruar dhe nga ana tjetër për t’i dënuar sa më rëndë njerëz që ishin problem për krime ordinere. E dyta; për të diskredituar sa të ishte e mundur më tepër “armiqt’ e klasës” se këta janë ndër të tjera janë edhe njerëz të pamoralshëm. E treta; dhe më e rëndësishmja ishte që në këtë mënyrë me njerëz ordinerë do të shtonin pambarim dhe lehtësisht rrjetin e spiunëve që do të përdoreshin kundër ajkës së patriotëve antikomunistë, në mënyrë që ata mos të kishin mundësinë të riorganizoheshin në përpjekjet e tyre të vazhduara për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri. Dhe me të vërtetë, sigurimi komunist ka realizuar qëllimet e tij kriminale duke dënuar dhe ridënuar, torturuar, masakruar dhe pushkatuar pa mëshirë martirët e lirisë dhe të demokracisë. Dhe dëshmitarë në këto gjyqe famëkëqija gjendeshin gjithnjë të burgosurit për krime ordinere që mashtroheshin dhe thyheshin lehtë nga presionet e ish-sigurimit komunist.
Në këtë kontekst nuk mundet të themi se ata që po vuajnë “grevën e urisë”, janë të gjithë “engjëj” apo të gjithë “djaj”. Por një gjë është e sigurtë dhe për ne ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë është mjaft trishtuese. Koordinatorët që drejtojnë grevën janë njerëz ordinerë, trafikantë prostitucioni, mashtrues dhe hajdutër të dënuar nga drejtësia edhe pas rënies së komunizmit. Të tjerë që kanë dëshmuar në gjyqe politike kundër bashkëvuajtësve të tyre të detyruar nga ish-sigurimi komunist. Një pjesë e vogël të mashtruar. Ja kaq janë ata. Por ja që Rama, Topi, Spahiu, janë ata që bëjnë diversion kundër shtresës më fisnike të popullit, duke shpresuar se në zgjedhjet e ardhshme do të fitojnë “topet”. Në këtë kuadër më rezulton se sot në Shqipëri komunizmi nuk është mundur. Ky lugat i neveritshëm është instaluar në kupolën e Partisë Socialiste, riciklimi në politikën shqiptare të brezit të dytë të pinjojve të kastës së kuqe enveriste,duke riaktivizuar në mënyrë të sofistikuar një neokomunizëm të rrezikshëm për demokracinë në Shqipëri. Ideatori i kësaj maskarade pa shembull tjetër në të gjitha vendet e Europës ish-komuniste, është ish-sigurimi komunist i diktaturës, që ka mbetur i pacenuar me të gjitha strukturat e tij kriminale. E kam theksuar dhe ritheksuar që nga viti 1992, në të gjitha shkrimet e mia por kam ngulur këmbë edhe në strukturat e Partisë Demokratike, se gabimi më rëndë i kësaj force politike është që dosjet duheshin hapur. Hapja selektive e tyre ashtu si mundet të mendohet, përsëri do të ishte një gabim tjetër që do t’i kushtonte shumë demokracisë në Shqipëri. Hapja e dosjeve të ish-sigurimit komunist është sot imperativ i kohës. Të gjitha pengesat që sot i bëhen Shqipërisë në rrugën e saj të vështirë drejt familjes europiane, janë pjellë e rezistencës agresive kundër demokracisë, që stimulon dhe aktivizon ish sigurimi komunist me strukturat e tij kriminale në Partinë Socialiste.
Ne ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë, sigurisht jemi të indinjuar se disa nga bashkëvuajtësit tanë po mashtrohen nga propaganda e të majtës ish-komuniste. Greva e tyre po amplifikohet e programuar nga Edi Rama, që sa të jetë e mundur kundër interesave kombëtare, kundër Shqipërisë në BE, ideali për të cilin u masakruam për një gjysmë shekulli diktaturë komuniste. Në qoftë se me të vërtete disa prej tyre janë njerëzit tanë, sa më parë reflektojne në qëndrimin e tyre. Te ikin sa më parë nga propaganda bolshevike. Edi Rama me stanin e tij bolshevik pasi dështoi në të gjitha mënyrat për të rrëzuar me mjetet e forcës Qeverinë Berisha, tani është një orvatje tjetër e dështuar, përpjekja që të përdorë ish të përndjekurit kundër qeverisë së tyre që vetë ata e kanë zgjedhur, të përdhosin idealin e tyre për të cilin janë sakrifikuar; të bashkohen me ish-persekutorët e tyre kundër demokracisë. Kjo nuk mundet të ndodhë. Prandaj edhe “greva e urisë” e programuar dhe e drejtuar nga Edi Rama dhe disa “ordinerë”, ka mbetur si peshku në zall. Ajo jo vetëm që nuk u përkrah por u injorua nga të gjithë ish-të përndjekurit politik të Shqipërisë. Ish të përndjekurit politikë, nuk mundet që të mashtrohen nga inkuizitorët e tyre. Prandaj edhe quhen “ish-të përndjekur politikë nga regjimi komunist”. Ata janë të përcaktuar me Partinë Demokratike dhe të Djathtën në Shqipëri që lufton për demokraci, kundër komunizmit dhe për Shqipërinë në Europë. Edi Rama në organizimin e kësaj “greve” ashtu si dhia shytë, që vajti të verë brirët, la edhe veshët.