E Diel, 1 Nëntor 2026

Fryma e satanait komunist po ndot idealet e të përndjekurve politikë

19-10-2012 / Nga Eqerem Çapaj

Nga Eqerem Çapaj
Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Savrës, Lushnje   

Personi që po shkruan këto radhë, është një ish i burgosur dhe i internuar politik, qysh prej vitit 1948, si rezultat i arratisjes së babait tim Veledin Çapaj, një kundërshtar i regjimit dhe anëtar i organizatës antikomuniste “Besa e Shqiponjave”. Jam nga katundi Dukat i rrethit të Vlorës, një fshat që është shquar për rezistencën e tij antikomuniste. Në këto ditë të vështira për përgatitjen e Shqipërisë për të hyrë në Europë, të krijuara nga greva e zgjatur e disa të përndjekurve politikë, ku ka infiltruar, si dikur në kohën e sundimit totalitar, fryma e satanait komunist, e cila ka qenë dhe do të mbetet pjellë e së keqes së këtij vendi, ndjej se kjo grevë po trondit mbarë opinionin publik, shoqërinë shqiptare dhe po ashtu imazhin e demokracisë sonë të brishtë dhe kjo është një fatkeqësi.
Është e vërtetë që në atë grevë ka edhe ish-të burgosur politikë të ndershëm që kanë rënë pre e mjeshtrave të mashtrimit, ish vegla të sigurimit të shtetit apo të dënuar ordinerë që nuk kanë asgjë të përbashkët me ta. Janë pikërisht këta njerëz pa karakter që janë të predispozuar të përulen para çdo kacidheje që u ofrojnë, si lëmoshë, padronët e tyre. Ata janë të ngjashëm me renegatët e vitit 1997 që përgatitën atë katastrofë kombëtare që pësoi vendi ynë. Ata nuk janë të përndjekur. Ata janë mercenarë të shitur te padronët e tyre të së kaluarës. Dhe për këtë nuk hezitojnë t’u ofrojnë grevistëve shishe me benzinë apo t’u venë zjarrin me dorën e tyre.                               
Të përndjekurit politikë antikomunistë shqiptarë kanë qenë, janë dhe do të jenë shtylla e demokracisë shqiptare post-komuniste. Ata nuk harrojnë atë që ka bërë Partia Demokratike për ta. Nuk harrojnë qeverisjen e parë të kësaj partie që ishte koha e artë e tyre. Nuk harrojnë që në parlamentin 1992-1996 kishin mbi 30 deputetë nga shtresa e tyre. Nuk harrojnë arsimimin e fëmijëve të tyre që sistemi komunist i kishte lënë në errësirë. Nuk harrojnë punësimin e qindra prej tyre deri në detyrat më të larta shtetërore. Por nuk harrojnë gjithashtu edhe periudhën e zezë të tetë viteve të sundimit socialist (1997-2005) kur u flakën në rrugë për t’u zëvendësuar me pinjollë të ish diktatorëve komunistë dhe kur kriminelët komunistë, që kishin lyer duart me gjakun e këtij kombi dhe ishin ndëshkuar nga drejtësia demokratike për gjenocidin e ushtruar, dëmshpërbleheshin me miliona dollarë nga qeveria socialiste, për krimet e tyre. Nuk harrojnë gjithashtu se ishte qeveria socialiste që miratoi një ligj qesharak për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë prej vetëm një kafeje në ditë, ligj që me të drejtë u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese.               
Prandaj nuk kishte asnjë arsye që të organizohej një grevë e tillë dhe aq më tepër të harrohej që ata që po i përkrahin janë kundërshtarët politikë të tyre me të cilët janë ndeshur për 46 vjet me radhë. Kësaj i thonë, siç thotë populli: “Për inat të sime vjehrre, do të fle me millonanë”. Nuk pretendoj se Partia Demokratike i ka plotësuar të gjitha detyrimet që ka ndaj shtresës tonë, por duhet të jemi të duruar. Duhet me gjakftohtësi dhe mirëkuptim të zgjidhim të gjitha çështjet apo mosmarrëveshjet që mund të na dalin. Kjo është rruga e arsyes.                                 
Lidhur me sa shkruajta më sipër, unë dhe të gjithë qëndrestarët e përndjekur politikë të demokracisë, i lutemi këtij shteti dhe kësaj demokracie të bëjë të gjitha përpjekjet për mbylljen e kësaj greve sa më parë, me rrugën e bisedimeve, jo me organizatorët apo koordinatorët servilë të komunizmit, por me ata grevistë të ndershëm që ndodhen brenda atyre çadrave. Një gjë e tillë do të ishte edhe kurorëzimi me turp i organizatorëve të saj dhe përpjekjeve të satanait për përçarjen e të përndjekurve politikë dhe prishjen e imazhin të Shqipërisë tani që është në prag të hyrjes në gjirin e shteteve të tjera europiane.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›