E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Divjakë/ Fermerët falimentuan me qepën, e zëvendësojnë me pataten

Ngelja e prodhimeve bujqësore stok dhe kërkesa e ulët nga tregu ka detyruar fermerët e Divjakës që të gjejnë alternativa të tjera për të shitur prodhimet e tyre. Ndryshimi i varieteteve të kulturave bujqësore duket se ka dhënë rezultate të kënaqshme si në kultivimin e frutave ashtu edhe atë të perimeve.

Fermerët e Divjakës të falimentuar një vit  më parë me prodhimin e qepës e zëvendësuan atë me pataten.  Këta prodhues të intervistuar nga RTSh pohojnë se nga 6 dynym sipërfaqe të mbjellë me patate këtë sezon kanë kultivuar 1 hektarë. Frika se prodhimi do mbesë stok, solli zëvendësimin e njërës kulturë perimore me një tjetër.

Shumë fermerë të tjerë të Divjakës, kanë bërë të njëjtën gjë, kanë mbjellë patate në shumë sipërfaqe të mëdha. Problemi i vetëm mbetet çmimi.

Aktualisht ata prodhues të cilët kanë nisur shitjet po e tregtojnë 1 kg patate me 70 ose 80 lekë për kg, çmim ky i kënaqshëm për fermerët në këtë muaj. Kur të nis faza e daljes në masë  e prodhimit  të fushës mund të rrezikohet ulja e çmimit.

Megjithatë, fermerët e Divjakës pohojnë se nuk mbjellin më qepë e cila u tregtua me 20 lekë për kg. Patatja jo vetëm që ka çmim më të lartë por është edhe më rezistente si produkt.

Nga 390 ha patate një vit më parë , në Divjakë këtë vit është mbjellë 800 ha. Dyfishimi i sipërfaqes së mbjellë me këtë kulturë , pritet të sjellë tejngopje të tregut vendas dhe rrjedhimisht ulje të çmimit. Patatja ndryshe nga perimet e tjera të mbjella në fushat e Divjakës nuk eksportohet, ndaj gjithë prodhimi shkon për tregjet shqiptare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›