E Diel, 1 Nëntor 2026

Djali i Remzi Hoxhës: Të urdhërohet ekstradimi i Ilir Kumbaros

Remzi Hoxha

Ardian Hoxha, djali i biznesmenit të zhdukur prej vitit 1995, Remzi Hoxha ka bërë thirrje që drejtësia shqiptare të dëshmojë se mund të vendosë drejtësi për këtë çështje.

Nga Prishtina Hoxha duke kujtuar se me 14 tetor Gjykata e Lartë e Shqipërisë kthen për gjykim çështjen e Ilir Kumbaros, ish-shikasit që rrëmbeu, torturoi dhe më pas zhduku Remzi Hoxhën, 16 vite më parë theksoi se drejtësia në Shqipëri duhet të dëshmojë nëse në Shqipëri ka drejtësi, apo drejtësia është akoma e uzurpuar nga klanet mafioze shtetërore.

Sot jemi këtu për të kërkuar nga Drejtësia Shqiptare që të vendos për të drejtën, duke urdhëruar ekstradimin e Ilir Kumbaros për në Shqipëri, dhe të na e dëshmojë se në Shqipëri ka drejtësi. Të na dëshmojë se në Shqipëri mund të jetohet. Të na dëshmojë se Shqipëria nuk i zhduk dhe vret më Shqiptarët nga Maqedonia dhe Kosova. Të na dëshmojë se jemi të mirëseardhur në Shqipëri, është shprehur Ardian Hoxha.

Ilir Kumbaro prej 15 vitesh jeton në Angli nën identitetin Shaqa Shatri, ndërkohë që është vërtetura se Shaqa Shatri i vërtet jeton në Kosovë.

Edhe pse në Londër po zhvillohet një gjyq për dëbimin e Kumbaros nga Anglia pasi ka jetuar nën një identitet të rremë, Shqipëria ende nuk ka dorëzuar asnjë kërkesë për diçka të tillë.

Gjykata e Londrës thotë se autoritetet shqiptare nuk e kërkojnë ekstradimin e ish-shefit të SHIK-ut pasi Gjykata e Lartë e Shqipërisë nuk ka dërguar një mandat arresti nën justifikimin se nuk po mblidhen dot të gjithë gjyqtarët për të marrë një vendim të tillë.

Kumbaro akuzohet për zhdukjen e tre personave, një prej të cilëve biznesmeni maqedonas Remzi Hoxha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›