“Tirana me plan të ri urbanistik, Bashkia ka nisur punën për hartimin e tij”

Plani i ri urbanistik që i ka munguar kryeqytetit prej afro një dekade, pritet të shndërrohet në rregullatorin e kaosit që ka përfshirë qytetin e Tiranës. Bashkia e Tiranës ka nisur punën për hartimin e tij duke premtuar se brenda 10 muajve, kryeqyteti do të ketë një produkt të gatshëm për zhvillimin urban. Këshilltari i kryeministrit për çështjet urbane Flamur Kuçi, njëkohësisht edhe pjesëtar i grupit teknik të punës për hartimin e këtij plani, shprehet se puna ka nisur dhe do të përfundojë brenda afateve. Deri më sot, Tirana ka pasur vetëm studime pjesore të pa harmonizuara të cilat nuk e kanë zgjidhur konfliktin artificial mes qytetit dhe qytetarëve, nuk e kanë zgjidhur problemin e trafikut dhe të grackave të tjera me të cilat ndeshen qytetaret e Tiranës, por sipas Kuçit, e kanë dërrmuar fushën e urbanistikes gjatë këtyre viteve. Ky plan që është premtuar të ndërtohet në një frymë të gjerë bashkëpunimi dhe koordinimi edhe me komunat dhe bashkitë rreth Tiranës, synon sipas kreut të bashkisë së kryeqytetit të jetë guri i themelit për zhvillimin urbanistik të Tiranës.
...