Djallëzia e Edi Ramës ka për yrnek figurën djallëzore të diktatorit
Cilido që ka lexuar librin e Xhon Hollideit “The artful albanian”, botuar në shqip në Zvicër (1993) nën titullin “Shqiptari dinak”, do të mund të kuptojë një analogji të djallëzisë së Edi Ramës, që ka për yrnek figurën djallëzore të Enver Hoxhës. Ky libër është botuar për herë të parë në Londër, një vit pas vdekjes së Enverit; pra, është një botim i 1986-s. Në të vërtetë autori, ndonëse nuk i mohon disa të vërteta, duket se ka një dell mirëdashjeje ndaj protagonistit të kësaj vepre. Po të vërehen citimet që bën nga Enveri, këto janë të stërzgjatura dhe në kursiv. Faqe të tëra të ngërthyera me megalomaninë e tij atavike, por që janë kundërthënëse në mjaft pasazhe, po të këtij libri. Si historian, Holidei është në të drejtë të tij që ta citojë, sa më shpesh – madjé, - protagonistin e veprës, “Shqiptarin dinak”, E. Hoxhën. Por cilësori “dinak” është shumë i përafërt me “finok” (siç e përmend në më të shumtat e herës), por edhe me “djallëzor” (siç e karakterizon më rrallë). Si argument më duhet të ngulmoj, në kundërvënie, faktin se E.H.-a përmban jo vetëm citate në kuptimin e mirëfilltë, por edhe riprodhime faqesh të tëra. Konkretisht, mllefi i Enverit ndaj Svetozar Vukmanoviç Tempos përmban 7 faqe të librit (f. 51 gjer në f.57).EH.-a Synon ta quajë antishqiptar, pas prishjes së viteve të mjaltit. Po Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha a mos ishin, vallë filoshqiptarë? Nuk kemi të bëjmë me një rastësi. Riprodhimet vazhdojnë me faqen 65 gjer në f. 80. Janë 15 faqe. Maklinin E.H.-a e quan agjent në këtë 15-faqësh: “Fshihte qëllime të pabesa” (Po Tito, në kohën kur E.H-a i propozonte skeptrin e Sekretarit I të P.K. shqiptare, ishte dashamir i Shqipërisë (Kosovës, konkretisht?). “Maklini na paskësh qenë i zgjuar, por me shpirtin katran të zi!”. Po shpirti i Enverit vetë, si ishte, kur – për interesa krejtësisht vetjake – e shiste 10 herë Kosovën, mjafton që të mos i rrëshqiste kolltuku nën të ndënjurave! Ai ishte stalinist dhe mbeti i tillë kur stalinizmin e kishte braktisur e gjithë dynjaja. Mbeti stalinist edhe pasi kishte mësuar nga Gjilasi, Kardelji, Didieri dhe nga vetë hierarkët e Stalinit, se ky e kishte përdorur Shqipërinë si plaçkë tregu dhe e kishte ofruar për gëlltitje! Atëherë, përse nuk e denoncoi edhe ky Stalinin, si homologët e tij? Për të ruajtur atë karrige, si dëshmi të tradhtisë kombëtare?
Po të vijmë te fizionomia politike e E. Ramës, ky ka pasur se çfarë shembulli të marrë, për të jetësuar babëzinë patologjike për pushtet vetjak. Jo me katër viktima, krejtësisht të shmangshme nga ai vetë, por edhe me dhjetëra e dhjetëra viktima, siç kishte proklamuar një mbështetës i tij, që “përgjerohej” për ligjin, por që ishte anarkist! Që t’i rikthehemi Enverit nën penën e Holideit, në të 15 faqet e riprodhuara nga protagonisti i librit të Xhonit, kemi edhe këtë dialog të E.H.-s me gjeneralin anglez Dejvis, kur i tregon gjeneralit se sa keq ishin veshur partizanët. Donte ta vinte në pozitë të vështirë gjeneralin, për ndihmat e pamjaftueshme angleze, të desantuara nga ajri. Por gjenerali iu përgjigj: - Jua kam thënë edhe më parë se né nuk do t’ju furnizojmë me veshmbathje, derisa ju i keni kthyer pushkën njëri-tjetrit.
Pra, në disa pasazhe, janë me vlerë disa citime, pa e prishur me shtjellime shumëfaqesh të E. Hoxhës. Ajo e kthimit të pushkëve të njëri-tjetrit të çon te prishja e njëanshme e marrëveshjes së Mukjes, ndonëse nuk sqarohet se kush është “njëri” dhe kush është “tjetri”. Shkurt, si u shkaktua lufta civile, në vend të bashkimit të forcave kundër pushtuesve? Edi Rama, harroi se ishte i versionit se luftën civile “e ndezën” Miladini me Dushanin, në interesa të fqinjit verior të mareshalit Tito. Pa, dyshim, edhe në interes të vasalit Enver, të babëziturit për të konsoliduar gjithmonë e më tepër pushtetin e vet personal, duke mos dashur t’ia dijë asfare për ndjenjat kombëtare të përdhunuara. Këtu bëhet fare lehtë ngjashmëria me ndjenjat kombëtare të E. Ramës, të vëna në ballafaqim me etjen paranojake të këtij, për t’u bërë i pari ndër të parët. Se cilin shembull përqafoi në këtë mënyrë kuptohet vetiu me atë 180 gradëshin e ndërrimit të pozicionit nga antikomunist fals, në enverist e stalinist anakronik. Holidei ua lë interpretimin lexuesve në këtë deduksion historik të pakontestueshëm, të cilin nuk e pranojnë “historianët” enveristë. Dhe tanimë e kanë vënë nën zgjedhën e tyre ideologjike E. Ramën e ovacioneve enveriste në Pezën e festimit të 16 shtatorëve. Pra, Edi nuk është vetëm e thjesht një inkoherent politik (paçka se e quan veten jo politikan!), por shumë më tepër se kaq, në dëm të interesave kombëtare. 11 faqe të tjera Holidei i referón nga shkrimet mashtruese të Enverit, për të mallkuar kolonelin jugosllav Velimir Stojniç (f: 91 – f.102). “Ai erdhi për ta nënshtruar PKSH-në e për ta kthyer në një vegël e bisht të Jugosllavisë”. A nuk ka qenë kurdoherë PKSH-ja vegël e bisht i Jugosllavisë, para e pas ardhjes së Stojniçit, gjer në ardhjen e letrave të Stalinit kundër Titos, shumë vite më vonë? Veçse E.H.-a nuk mund të hidhte dot në kosh të plehrave, të gjitha dokumentet e Pl.II. të Beratit, të cilat dy historianë dinjitozë dhe me reputacionin e arkivistëve profesionistë, i kanë paraqitur pa gabuar as presjen në një vëllim të plotë, të ezauruar nga lexuesit dhe të ribotuar. Sipas këtij dokumentacioni autentik, Velimir Stojniçit E. Hoxha i kishte qendruar me një servilizëm të pështirë dhe ia kishte shitur në mënyrë të shëmtuar Miladinin dhe Mugoshën. Ndërsa këtë të fundit e kishin përshëndetur edhe me letra dashurie “mallëngjyese” të gjithë hierarkët e barbarisë enveriste, nga Enveri vetë, te Nexhmija e te “të mallëngjyerit e tjerë”! Është e dekumentuar, tanimë, se ç’i kishte thënë Miladin Popoviçi sekretares së Enverit në atë kohë, bashkëshortja e Ymer Dishnicës, pasi Miladini bëri hapat e parë për largimin në vendin e tij, si persona non grata, tanimë: “Mjerë Shqipëria se ç’do të heqë nga një njeri si Enver Hoxha!” (Këtë dokumentacion Holidei thuajse nuk e njeh, për të mos thënë se ka qenë i njëanshëm). Megjithatë le të mbarojmë shpejt e shpejt tregimet mashtruese të Enverit në librin e Xhonit: Nën titullin “Koçi Xoxe dhe Nako Spiru”, në shkrimin prej 7 faqesh, gjashtë faqe e gjysmë nga të cilat, të zëna nga mësymjet enveriste kundër Dushanit, Sejfullait, Liri Gegës, Koçit, Pandi Kristos, Nako Spirut. Vetëm gjysmë faqeje i mbetet autorit të librit për “Shqiptarin dinak”. Në këtë copëz, Stojniçi përmendet nga Enveri, si ai trimi pas mbarimit të luftës, në një frazë të vetme: “Fraksioni i Stojniçit”. Përse nuk tha gjëra të tilla në kohën kur i rrinte sus! – Stojniçit? Kemi mbërritur në gjysmë të librit dhe nuk kemi ndërment të zgjatemi edhe njëherë po aq, për të gjithë librin. Po e mbyllim vetëm me një titull tjetër, “Vdekja e Nako Spirut”, prej 7 faqesh. Edhe këtu vetëm 1.5 faqe janë të autorit. 5.5 janë të Enverit. E vërteta s’është aspak ajo që shtjellon Enveri. Nakoja u varros me nderime. Por “Vdis të të dua!”. Në mbledhjen që u bë në B. Politike më 19-20 nëntor 1947, me akuzat e të dërguarit të Titos Slavo Zllatiçit, është e vërtetë se Nako u kryqëzua nga Koçi Xoxe e nja dy të tjerë, të anës së Koçit. Por është e vërtetë edhe se Nako kërkoi një shtyrje dy-ditore të për t’iu përgjigjur akuzave të rënda në kurriz të tij. E gjithë mbrojtja që i bëri E.H.-a, pas mbarimit të seancës në B. Politike, është, - le ta besojmë edhe këtë, - se i paska thënë Koçit se e kishte marrë si shumë me tërsëllëm problemin e Nakos. Por Koçi: - “Si shumë po e mbështet Nakon”. Kurse Enveri: -Nuk mbështes Nakon, por atë që më duket e drejtë.
Por neve, lexuesve, na thotë se nuk luajti as gishtin që t’ia shtynte paksa kohën e përgatitjes së Nakos ndaj akuzave: “Kisha bindjen se Nako Kishte të drejtë. Por sa do të qendronte?”. Por thotë edhe se nuk i kishte pëlqyer që të orvatej t’i shtonte afatin për ta bërë këtë qëndresë! Pas disa rreshtash e përsërit sërish se i duhej të bënte qëndresë! (A nuk mund të sajohej një “arsyetim” për një afat kohor më të gjatë për t’u përgatitur Nako? Qoftë edhe një sëmundje e… improvizuar). Në këto faqe me bollëk në dispozicion të Enverit, ky pranon edhe këtë lutje: - “Desha t’ju lutem edhe njëherë… Kuptoni gjendjen time. Influenconi të më jepen 5 ditë kohë”. Enveri, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, mund të ndikonte. Por preferoi t’i bënte një leksion “qëndrese” (më shumë se 20 rreshta të librit), leksion që përfundoi me fjalët:- “Kjo nuk varet nga unë!”. Pastaj ato fjalë shfajësuese që “s’e kishte zënë gjumi” mbase që s’e kishte ndihmuar… janë ajo “vdis pa të të dua”. Siç ndodhi edhe me Mustafa Gjinishin, që e vranë dhe mbajtën zi me shpallje zyrtare dhe e çuan në varrezat e dëshmorëve me kurora e me fjalime, paçka se më vonë e hoqën sërish nga varrezat e dëshmorëvë, për ta deklaruar tradhtar! Apo, (meqë krahasimet i kemi edhe me Edin) siç ndodhi me vdekjen e Kristaqit, të cilin Edvini e kishte telendisur sikur kishte patur marrëdhënie intime me bashkëshorten e tij dhe pastaj … (vdis pa të të dua) nuk akuzonte botuesin e akuzave kundër Edvinit nga riprodhimi i seancave gjxqësore prej personit të vërtetë, me emër e mbiemër, - tanimë aleat i Edit për t’u bërë kryeministër(!), - por ia vinte në gojë atij që ishte pengesë për t’u bërë kryeministër, dr. Berishës!
***
Ajo që i bën të ngjashëm në disa pika themelore, të dy personat që po i ballafaqojmë sot, është narcizizmi i skajshëm që ka lidhje me etjen patologjike për pushtet vetjak. Edi Rama, megjithatë, ka një dalim të rëndësishëm me ithtarin e tij, Enverin: Sistemi sociopolitik nuk e lejon të bëjë kërdinë për t’u bërë i plotpushtetshëm, siç u bë Enveri, në kohën e tij, duke zbatuar metodat staliniste për të shndërruar në viktima persona që paranoja e tij i shihte si armiq. Orvatja për të bërë dukjet e një antikomunisti të flaktë dhe të një kundërenveristi të përkushtuar, nuk zgjati shumë nga ana e Edit. Dështoi në këtë përçapje, sepse ishte i pabesueshëm. Dështimet e tij në bredhjen për pushtet vetjak të pakufizuar, nuk mbahen mend të gjitha, aq të shumta janë. Tani “origjinaliteti” i tij ka arritur në këtë tipar të çuditshëm: - Mblidhuni nga jeni e nga s’jeni, të gjithë ju që doni të rrëzojmë Berishën. Nuk ka rëndësi se ç’mendime keni, të majta a të djathta apo të qendrës. Le të jeni enveristë apo ithtarë të Mehmetit, ose të Kadriut, apo komunistë, qofshi edhe trockistë. Mund të jeni edhe anarkistë, e të na sajoni ndonjë marifet tjetër si ai i 21 janarit, - s’na prish punë. Mjafton të marrim pushtetin! – Mirë, ore shoku Edi. Po sikur ta marrim pushtetin me ato mendime të zjarrta tuajat, vetëm që mos të bëheni ju kryeministër, sepse mund të jetë ndonjë tjetër më i zoti, si i bëhet? Edi u zgjua nga gjumi i trazuar i… lemerisur!